Tregu i ri, ende në pritje

“Janë bërë disa ndërhyrje të përkohshme, por kanalizimi, rrjeti elektrik dhe tezgat e vjetruara mbeten sfida serioze. Këto janë çështje që kërkojnë investim më të madh dhe zgjidhje strukturore, jo vetëm ndërhyrje të pjesshme”, thotë drejtori i SHPK “Tregu”, Ruzhdi Lluka

Tregu i përzier në Tuz prej disa vitesh funksionon me infrastrukturë të vjetruar dhe me nevoja për përmirësim. Kjo është theksuar disa herë, madje është folur herë pas here edhe për ndërtimin e një tregu të ri. Megjithatë, realizimi i tij nuk ka ndodhur ende.
Se çfarë masash konkrete kanë ndërmarrë mbikëqyrësit dhe drejtuesit e tregut deri tani për të përmirësuar infrastrukturën e vjetruar dhe ambientin e përgjithshëm për tregtarët dhe vizitorët, biseduam me drejtorin e SHPK “Tregu”, Ruzhdi Lluka.
Ai tregon se në këtë treg janë bërë disa ndërhyrje të kufizuara për mirëmbajtjen dhe funksionimin bazë të tij, mirëpo, siç konfirmon Lluka, për shkak të vjetërsisë së infrastrukturës, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për një përmirësim thelbësor.
Drejtori Lluka më tej jep një pasqyrë më të detajuar në lidhje me kushtet aktuale në të cilat ndodhet ky treg si dhe për hapat konkretë që janë ndërmarrë për të ndryshuar gjendjen.
Në pyetjen tonë nëse i kanë adresuar problemet që ka ky treg dhe nëse është përmirësuar diçka që tregtarët dhe vizitorët të kenë kushte më të favorshme, Lluka thotë se këto probleme janë të njohura dhe janë evidentuar përmes raportimeve të mbikëqyrësit të tregut.
“Janë bërë disa ndërhyrje të përkohshme, por kanalizimi, rrjeti elektrik dhe tezgat e vjetruara mbeten sfida serioze. Këto janë çështje që kërkojnë investim më të madh dhe zgjidhje strukturore, jo vetëm ndërhyrje të pjesshme”, thotë drejtori i SHPK “Tregu”.
Lluka shprehet se bazuar në raportimet e mbikëqyrësit të tregut, shqetësimet janë përcjellë në mënyrë zyrtare edhe te komuna dhe institucionet përkatëse.
“Dua të theksoj se hartimi i projektit për tregun e ri ka përfunduar dhe projekti ka kaluar edhe fazën e revizionit. Ai i është dorëzuar Ministrisë së Punëve Publike dhe është propozuar për përfshirje në buxhetin e Malit të Zi për vitin 2026. Bëhet fjalë për një projekt me vlerë rreth 10 milionë euro dhe aktualisht presim miratimin e tij në kuadër të procedurave buxhetore”, thekson Lluka.
I pyetur se çfarë është ndërmarrë deri tani për ndërtimin e një tregu të ri, një projekt që është potencuar disa herë e prej disa vitesh, Lluka thotë se ndërtimi i tregut të ri ka kaluar kryesisht në fazën e planifikimit dhe procedurave administrative, pa filluar ende punime konkrete në terren.
“Kjo lidhet kryesisht me madhësinë e projektit dhe nevojën për sigurimin e mjeteve financiare në nivel shtetëror. Megjithatë, dua të theksoj se Komuna, në kuadër të buxhetit të saj për vitin 2026, ka paraparë mjete për rinovimin e një pjese të rrjetit elektrik të tregut, konkretisht rreth një të tretës së sistemit ekzistues, si një ndërhyrje e domosdoshme për përmirësimin e kushteve deri në realizimin e projektit të tregut të ri. Për këtë arsye, edhe pse projekti i ri është në pritje të miratimit, po ndërmerren hapa të ndërmjetëm për të përmirësuar sadopak gjendjen aktuale”, thotë ai.
Në përmbyllje të këtij prononcimi, drejtori i tregut, Ruzhdi Lluka, rendit edhe elementet kryesore që, sipas tij, janë të domosdoshme për ndërtimin e një tregu modern në Tuz.
“Për këtë nevojitet një projekt i qartë dhe i miratuar, sigurimi i mjeteve financiare, përcaktimi i lokacionit dhe një plan kohor i realizimit”, shprehet ai, duke thënë se mbeten të hapur për bashkëpunim me Komunën dhe palët përkatëse, në mënyrë që Tuzit t’i sigurohet një treg që i plotëson standardet bashkëkohore dhe që u shërben siç duhet tregtarëve dhe qytetarëve.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat