Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) organizoi më 22 korrik 2025 një prezantim publik në Librarinë “Ulqini” në Ulqin, ku u diskutua gjerësisht misioni, objektivat dhe puna e tij në dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
IKKL është një institucion shtetëror, i themeluar për të hulumtuar dhe dokumentuar krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. I themeluar më 8 nëntor 2023 me një ligj të veçantë nga Qeveria e Kosovës, ky institut ka për mandat dokumentimin e krimeve të kryera nga 1 janari 1998 deri më 20 qershor 1999, si periudha zyrtare e luftës, por gjithashtu përfshin edhe krimet që kanë ndodhur pas përfundimit të saj, deri më 31 dhjetor 2000, nëse ato lidhen drejtpërdrejt me luftën. Në krye të IKKL-së është Dr. Atdhe Hetemi, i emëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka udhëhequr punën që nga themelimi e deri më sot.
Në këtë ngjarje në Ulqin, që u ndoq nga përfaqësues të shoqërisë civile, studiues, aktivistë dhe qytetarë të interesuar, foli drejtori ekzekutiv i IKKL-së, Dr. Atdhe Hetemi, i cili theksoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve si një akt i domosdoshëm për ndërtimin e drejtësisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon.
“Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës nuk është vetëm një akt historik, por edhe një detyrim moral dhe politik ndaj viktimave dhe të mbijetuarve. Pa të vërtetën, nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme”, u shpreh ai.
Hetemi prezantoi punën e deritanishme të IKKL-së në mbledhjen e dëshmive, arkivimin e fakteve dhe përgatitjen e raporteve që hedhin dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut, të ndodhura gjatë viteve të luftës. Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua rolit të bashkëpunimit rajonal në procesin e ndërtimit të kujtesës kolektive dhe nevojës për përfshirjen e brezave të rinj në këtë proces.
“Kujtesa kolektive nuk ndërtohet vetëm me histori zyrtare. Ajo kërkon përfshirjen e komuniteteve, të rinjve dhe atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga lufta”, shtoi ai.
Në vijim të prezantimit të mbajtur në Ulqin, Dr. Atdhe Hetemi bëri një përshkrim të detajuar të punës që IKKL po zhvillon në terren dhe në aspektin arkivor. Ai tregoi se materiali i mbledhur nuk qëndron vetëm në nivel të dëshmive të shpërndara, por i nënshtrohet një procesi rigoroz verifikimi, përpunimi dhe arkivimi sipas standardeve ndërkombëtare.
“Të gjitha materialet që mbledhim kalojnë në një proces të saktë të verifikimit. Më pas ato përpunohen dhe ruhen në arkivin institucional, duke u kategorizuar sipas llojit të krimeve”, shpjegoi Hetemi.
Ai shtoi se procesi i dokumentimit përfshin krijimin e bazave të strukturuara të të dhënave, të cilat ndihmojnë jo vetëm për ruajtjen e kujtesës historike, por edhe për qëllime hetimore, edukative dhe ndërgjegjësimi.
Sipas Hetemit, IKKL ka mandat ligjor për të dokumentuar çdo formë të krimeve të luftës, çka përbën një përgjegjësi të madhe institucionale, por që shpesh është ngarkuar edhe me pritje të tepruara, përtej kapaciteteve të momentit.
“Kemi për detyrë të dokumentojmë krime të natyrave të ndryshme: krime kundër njerëzimit, krime ekonomike, krime psikosociale, dëmtimet në ambient si dhe ato kulturore. Këto të dhëna kategorizohen në mënyrë të standardizuar”, shtoi ai.
IKKL ka një shtrirje të gjerë në të gjithë territorin e Kosovës, me zyra lokale në pothuajse të gjitha komunat dhe staf të përkushtuar që punon në terren. Deri tani janë mbledhur rreth 345 metra lineare material fizik dhe mbi 23.6 terrabajt material digjital – që përfshijnë mijëra video-incizime, audio-dëshmi, fotografi dhe dokumente të tjera.
“Aktualisht posedojmë mbi 14 000 orë video-incizime që dëshmojnë krimet e kryera gjatë luftës. Kjo përbën një pasuri të madhe jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e drejtësisë në vendin tonë”, theksoi Hetemi.
Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me institucione të tjera kërkimore dhe teknologjike, si Institute of Technology, me qëllim avancimin e kapaciteteve teknike dhe ruajtjes së të dhënave.
Dr. Atdhe Hetemi theksoi gjithashtu rolin e Departamentit të Hulumtimeve brenda IKKL-së, i cili është përgjegjës për analizat e specializuara dhe ndërtimin e bazave të të dhënave të besueshme mbi viktimat dhe krimet e luftës në Kosovë. Ai nënvizoi se këto përpjekje synojnë të sigurojnë një pasqyrë të saktë dhe zyrtare, e cila do të shërbejë si referencë për institucionet vendore dhe ndërkombëtare.
“Deri më tani, të dhënat për viktimat kanë qenë të fragmentuara dhe janë bazuar në burime të jashtme apo të pjesshme. Ne kemi arritur të identifikojmë mbi 13 000 viktima të verifikuara nga periudha e luftës, me emra, mbiemra dhe të dhëna të dokumentuara. Kjo bazë e të dhënave do të lansohet zyrtarisht në nëntor të këtij viti”, u shpreh Hetemi.
Sipas tij, qëllimi është që Kosova të ketë më në fund një bazë të të dhënave zyrtare shtetërore për viktimat e luftës, si dhe një narrativë institucionale që të mos lë më hapësirë për manipulim apo relativizim të fakteve historike.
Në të njëjtën kohë, IKKL ka filluar ndërtimin e një baze të veçantë të të dhënave edhe për masakrat e kryera gjatë luftës, një proces i vështirë por jetik për ndërtimin e kujtesës kolektive.
“Është e papranueshme që, edhe pas më shumë se 20 vitesh, ende flitet në mënyrë spekulative për numrin e viktimave. Disa flasin për 20 mijë, disa për 100 mijë. Ne kemi nevojë për shifra të sakta. Deri tani kemi dokumentuar 39 masakra të mëdha në bazën tonë të të dhënave dhe po vazhdojmë me plotësimin e saj”, ka thënë Hetemi.
“Mandati ynë është që së pari të verifikojmë secilin rast me kujdes dhe më pas t’i paraqesim këto të dhëna në mënyrë të institucionalizuar”, ka nënvizuar ai.
Në përfundim të prezantimit, Dr. Hetemi theksoi se pjesëmarrja e publikut në këto ngjarje është një formë konkrete mbështetjeje për drejtësinë dhe përpjekjet për të mos harruar.
“Çdo pjesëmarrës është dëshmitar dhe kontribues në këtë proces të rëndësishëm”, përfundoi ai.
IKKL ka bërë thirrje të vazhdueshme për hetim të pavarur, ndjekje penale të krimeve të luftës dhe krijimin e një kulture shoqërore që e pranon dhe reflekton mbi të kaluarën. Ky institucion do të vazhdojë aktivitetet e tij nëpër rajon me qëllim ndërgjegjësimin dhe forcimin e rrjeteve për drejtësi tranzitore.
D. Teliqi
