Tezja e Muhamedit

Kepi i Gjeranave është kufiri i pjesës shkëmbore dhe fillimi i Plazhit të Madh. Këtu është ndërtuar moli në të cilin janë lidhur barkat (anijet) në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar. Me vagona është transportuar kripa dhe ngarkuar në barka. Ky lloj transporti i kripës ka qenë aktual deri në dekadën e gjashtë, mandej fillon transporti i kripës përmes rrugës tokësore

Gani Karamanaga

Gjeranat fillojnë prej rrugës ndërmjet Shtëpisë së Shëndetit dhe Komunës dhe pastaj majtas deri në Portë Milenë dhe te Plazhi i Madh. Ato mund të të ndahen në:
Gjeranat e Para – të cilat janë menjëherë sipër qytetit. Këtu dominojnë shtëpitë e hershme dhe ndonjë e re.
Gjeranat e Dyta – në të cilat hyhet prej Bulevardit “Teuta” dhe janë krejtësisht të ndërtuara me shtëpi të reja dhe të mëdha për banim dhe turizëm.
Gjeranat e Treta – janë sipër Port Milenës, me pamje në Plazhin e Madh, krejtësisht me shtëpi të reja.
Kepi i Gjeranave është kufiri i pjesës shkëmbore dhe fillimi i Plazhit të Madh. Këtu është ndërtuar moli në të cilin janë lidhur barkat (anijet) në vitet ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar. Me vagona është transportuar kripa dhe ngarkuar në barka. Ky lloj transporti i kripës ka qenë aktual deri në dekadën e gjashtë, mandej fillon transporti i kripës përmes rrugës tokësore.

Gjeranat e familjes Haxhibrahimi
Gjenden ndërmjet Gjeranave të Dyta dhe të Treta. Tezja e Muhamedit e ka pasur tokën me bahçe, pemë dhe pjesën në malin e Gjeranave.

Lundrimi me sandallin UL 70
Në pjesën e dytë të dekadës së tetë të shekullit të kaluar, bleva një sandall druri me gjatësi 4 metra. Një ditë vere, me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi filluam lundrimin prej Njallisë. Sandalli ishte i pajisur me motor Tomos 4. Kaluam kepin e Hotelit “Jadran”, vazhduam nën hotelet “Galeb” dhe “Albatros”, dhe për rreth 30 minuta mbërritëm te Kepi i Gjeranave.
Pjesa detare e Gjeranave është pjesërisht me pyll të pishave dhe drunj tjerë të vegjël. Prej Hotelit “Albatros” ekziston rruga e këmbësorëve, për shëtitje deri te Kepi i Gjeranave. Mora drejtimin të hyja me sandall në Port Milenë.

Nga rrjedh emri
Porto Milenë?

Me vendosjen e pushtetit të Malit të Zi në Ulqin, pas vitit 1880 u hap kanali ndërmjet liqenit të Zogajve dhe gjirit ekzistues në afërsi. Kështu ky gji u zmadhua dhe u bë i lundrueshëm.
Deti ishte i trazuar dhe barka velore, për të shpëtuar hyri në gji ndërmjet Gjeranave dhe Plazhit të Madh. Atëherë kapidani i barkës i dërgoi telegram mbretit Nikolla në Cetinë:
“Vivo gospodari
Primo arrivata
In Porto Milena kapidan Sulejman Bullari”.
E lidha sandallin brenda Port Milenës. Vazhduam rrugës së ngushtë ndërmjet bahçeve dhe arave dhe i gjetëm Gjeranat e tezes së Muhamedit. Atëherë aty ishte vetëm një shtëpizë e vogël me një dritare. Brenda ishte një krevat, një shporet dhe vitrinë me disa enë kuzhine.
Tezja e Muhamedit mbeti herët pa burrë, me katër fëmijë – djemtë Muhamedin (1925), Fadilin (1927), vajzat Haxhiren (1903) dhe më të voglën Muradijen (1932), e cila jeton akoma, është 93 vjeçe, e lëvizshme dhe me të folur të plotë, veç dëgjimin e ka të dobët.
Shtëpiza e tezes ishte shumë interesante për fëmijët, të cilët mandej dolën në oborr të luanin me një qen të vogël. Aty afër ishte lopa dhe disa dele me qengja. Tezja me bashkëshorten time përgatitën një drekë për të gjithë ne. Pasdite me sandall u kthyem deri në Njalli. Maestralin e kishim mbrapa nga kiçi dhe lundrimi ishte i lehtë.
Tezja jetoi edhe nja 15 vjet pas vizitës sonë. Ishte mysafire edhe në shtëpinë tonë në Meteriz. Një ditë më ftuan për ta vizituar. Ishte në gjendje të rëndë. I përshkrova terapinë e nevojshme.
Pasdite më ftuan të vizitoj një të sëmurë në Mëhallën e Re, në afërsi të shtëpisë së tezes. U ndalova për ta parë edhe një herë.
Gjendja e saj ishte përkeqësuar. Por unë i thashë: Teze, po më dukesh se je pak më mirë!
Tezja buzëqeshi dhe me zë të dobët u përgjigj: A e din se po ma ban qefin?!
Tezja e Muhamedit ndërroi jetë atë natë.

Të fundit

më të lexuarat