Tuz- Shoqata Joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) me rastin e festave të fundvitit gëzoi mbi pesëdhjetë fëmijë duke u ndarë atyre dhurata të ndryshme të cilat janë siguruar nga donatorë të ndryshëm të cilët janë miq të kësaj shoqate ndër vite, ndërmarrës dhe individë të cilët synojnë që fëmijët me aftësi të kufizuara të ndjehen të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë.
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës Joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi), Sabra Deceviq u shpreh për gazetën “Koha javore” se kjo shoqatë është e vetmja e cila punon me fëmijë me aftësi të kufizuara ne Tuz, duke ofruar shërbime falas për një numër të madh të fëmijëve.
“Çfarë është interesant dhe na gëzon pamasë, është fakti që Baba Dimri është anëtari i shoqatës i cili edhe vetë në të kaluarën ka shfrytëzuar shërbimet e kësaj shoqate. Kënaqësia e tij që të jetë pjesëtar i gëzimit të fëmijëve, e bën këtë ngjarje, edhe më të rëndësishme”, u shpreh Deceviq.
Ajo më tej shtoi se, shoqata në fjalë lufton për të krijuar kushtet në shoqëri me synim që, të gjithë fëmijët të jenë të barabartë dhe t’u jepet mundësia që të jenë të inkuadruar në shoqëri.
Shoqata joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) ka organizuar edhe disa aktivitete ku fëmijët dhe vullnetarët kanë përgatitur stoli të ndryshme e kartolina për Vitin e Ri, ku ata do t’i paraqesin gjatë pjesëmarrjes në Pazarin e Dimrit.
t. u.