Shqiptarët nuk e shfrytëzojnë të drejtën për qasje të lirë në informacion

Synimi i tryezës së rrumbullakët ka qenë të krijojë një hapësirë dialogu dhe shkëmbimi të ideve midis subjekteve të ndryshme që përballen me konceptin e qasjes së lirë në informacion dhe ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale

Ulqin – Anëtari i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Qasjen e Lirë në Informacion, Muhamed Gjokaj, ka thënë se nga përvoja e tij 16-vjeçare mund të thotë se zonat ku jetojnë shqiptarët në Malin e Zi nuk e përdorin të drejtën për qasjen e lirë në informacion dhe në dokumente publike në atë masë që e përdorin qytetarët e tjerë të Malit të Zi.
Ai i ka bërë këto deklarata në tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat në zbatimin e Ligjit për qasje të lirë në informacion”, të organizuar nga organizatat joqeveritare “Horizonti i Ri” dhe “Eduko Plus” në Ulqin, më 23 dhjetor 2024.
Në ligjëratën e tij “Mbrojtja e të dhënave personale në media – praktika ndërkombëtare, zgjidhjet ligjore dhe aplikimi” eksperti ka folur në aspektin teorik dhe praktik se çfarë quhet apo konsiderohet e dhënë personale, çfarë është liria e shprehjes dhe për mundësitë e qasjes në dokumente publike.
“Kjo e drejtë ka një hapësirë të madhe. Ju keni të drejtë në çdo informacion që është publik apo në posedim të shtetit”, ka thënë Gjokaj.
Ai ka folur edhe për konceptin e privatësisë duke thënë se gazetarët përbëjnë përjashtim.
“Privatësia në media ka një dallim prej asaj që quhet privatësia e rëndomtë, sepse ju si gazetarë keni disa përjashtime. Gazetarit i jepet mundësia që ai të vlerësojë çfarë është interesi publik”, ka thënë eksperti, duke shtuar se e vetmja që mund të vlerësojë nëse përbën apo jo interes publik është gjykata.
Përvojat e administratave lokale në Ulqin dhe Tuz me kërkesat për qasje të lirë në informacion i kanë ndarë me të pranishmit Kristjan Gjokaj, këshilltar i pavarur për kulturë në Komunën e Tuzit dhe Haxhere Jahja nga Komuna e Ulqinit.
Ata kanë treguar se këto dy komuna nuk kanë një person përgjegjës që merret me kërkesat për qasje të lirë ndaj informacionit, por çdo sekretariat cakton një person që merret me këtë çështje.
“Për sa i përket kërkesave për qasje të lirë në informacion kryesisht të interesuar janë individë dhe organizata joqeveritare, ndërsa shumë rrallë e gati aspak mediat dhe organet shtetërore”, ka thënë Kristjan Gjokaj, duke shtuar se në vitin 2022 Komuna e Tuzit ka pasur 39 kërkesa, 32 kërkesa në vitin 2023, kurse në vitin e kaluar 38 kërkesa.
Ndërsa zyrtarja e Komunës së Ulqinit, Haxhere Jahja, ka thënë se “sfidat në zbatimin e ligjit për qasje të lirë në informacion mund të jenë të larmishme dhe përfshijnë disa aspekte kryesore”.
Synimi i tryezës së rrumbullakët ka qenë të krijojë një hapësirë dialogu dhe shkëmbimi të ideve midis subjekteve të ndryshme që përballen me konceptin e qasjes së lirë në informacion dhe ruajtjen e privatësisë dhe të dhënave personale.
Në të është diskutuar për situata e raste të ndryshme me të cilat ballafaqohen gazetarët gjatë raportimit të tyre sa i përket të dhënave personale, privatësisë, interesit publik etj., si dhe organizatat joqeveritare gjatë kërkesave të tyre për qasje ndaj informacionit.
Tryeza e rrumbullakët është organizuar në kuadër të projektit “Sfidat e raportimit mediatik në gjuhën shqipe në Mal të Zi”.
Koordinatori i projektit dhe kryetari i OJQ “Horizonti i Ri”, Nazif Veliqi, ka folur për objektivat dhe qëllimet e tryezës së rrumbullakët.
Ai ka thënë se nga përvoja e punës së tyre shumëvjeçare, bashkë me kolegët e vet, kanë konstatuar se një prej sfidave në fushën e raportimit mediatik pa dyshim që është zbatimi i drejtë i Ligjit për qasjen e lirë në informacion.
“Sepse pikërisht shfrytëzimi i mekanizmave dhe i mundësive që ofron ky ligj është një garanci shumë e madhe për të rritur transparencën, për të rritur llogaridhënien dhe për të siguruar qeverisjen e mirë. Janë pikërisht OJQ-të dhe mediat ato që duhen të jenë përdoruesit kryesorë të këtij ligji. Andaj dhe ne sot kemi vendosur t’i trajtojmë disa çështje lidhur me këtë temë”, ka theksuar Veliqi.
Në emër të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave e cila e ka mbështetur projektin, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë për Mbrojtjen dhe Avancimin e të Drejtave të Popujve Pakicë, Arben Xhurreta, ka thënë se diskutimet në këtë tryezë të rrumbullakët, të përqendruara te balancimi i së drejtës për lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e privatësisë kanë një rëndësi të veçantë për këtë ministri, e cila është e angazhuar të promovojë dhe të forcojë një qasje gjithëpërfshirëse për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut e veçanërisht të pakicave.
Pjesëmarrësit në tryezë i ka përshëndetur nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sella.
Në tryezë kanë marrë pjesë gazetarë të mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi, përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve dhe organeve komunale, organizatave joqeveritare etj..

i. k.

Të fundit

më të lexuarat