Shenjë e humanizmit, përgjegjësisë dhe dashurisë ndaj komunitetit

“Jam i sigurt se në këtë automjet do të udhëtojnë profesionistët, novatorët dhe njerëzit e së ardhmes, të cilët me dijen dhe punën e tyre do të lënë gjurmë. Çdokujt i duhet ndonjëherë një shtysë e vogël dhe, për fat të mirë, jetojmë në epokën digjitale që u hap të rinjve mundësi të pafundme”, është shprehur Vukçeviq

Guci – Në sheshin e Ali Pashës, mu para ndërtesës së Komunës së Gucisë, të martën më 2 dhjetor 2025, ishin tubuar një numër i konsiderueshëm qytetarësh të moshave të ndryshme (fëmijë, të rinj dhe të moshuar), një orë para mesditës, për të marrë pjesë në ceremoninë solemne të dorëzim-pranimit të donacionit me peshë dhe vlerë të lartë – automjetit të udhëtimit (kombibusit) me 30 ulëse, i destinuar për transport të sigurt dhe të organizuar të fëmijëve nga zonat rurale.
Donator është djaloshi humanist, novator dhe investues Savo Vukçeviq, themelues i platformës së avancuar shëndetësore “THERAPI”, i cili automjetin e ka blerë dhe ia ka dhuruar Komunës së Gucisë.
Donacioni në fjalë paraqet përgjigjen në problemin e kahmotshëm të mungesës së transportit adekuat për fëmijë që çdo ditë udhëtojnë deri tek objektet arsimore-edukative dhe sportive. Një numër i madh prindërish dhe fëmijësh nga zonat e largëta janë përballur me mundësi të kufizuara, gjë që ka ndikuar drejtpërdrejt në arsimimin, socializimin dhe cilësinë e jetës së tyre.
Dorëzimin e çelësave në mënyrë solemne e mallëngjyese e kreu donatori entuziast, Savo Vukçeviq, i cili në fjalën e vet të rastit tha se iniciativa për këtë veprimtari humane i erdhi nga një motivim personal.
“Për problemin me të cilin përballen fëmijët e Gucisë, mësova nga një anëtar i ekipit tim. Kur dëgjova se sa e vështirë është për ta të udhëtojnë çdo ditë drejt aktiviteteve të tyre shkollore, sportive e të tjera, u bë e qartë se bëhet fjalë për një sfidë që kërkon reagim të shpejtë”, duke shtuar në vazhdim se “këtë automjet kombibus ia dhuroj Gucisë si kontribut për të ardhmen e ndritshme të fëmijëve, që ata të kenë një rrugëtim më të sigurt, më të lehtë dhe më të dinjitetshëm drejt arsimit, sportit dhe të gjitha aktiviteteve që janë të rëndësishme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të tyre”, ka theksuar ai.
Vukçeviq ka thënë se beson që një komunitet rritet atëherë kur u ofron shans, mbështetje dhe siguri më të rinjve.
“Nëse dikush në Mal të Zi është shembull se nga një vend i vogël mund të lind suksesi i madh, atëherë këta janë pikërisht qytetarët e Gucisë, shumë prej të cilëve kanë ndërtuar karriera të spikatura dhe kanë arritur rezultate mbresëlënëse në mbarë botën. Prandaj jam i sigurt se në këtë automjet do të udhëtojnë profesionistët, novatorët dhe njerëzit e së ardhmes, të cilët me dijen dhe punën e tyre do të lënë gjurmë. Çdokujt i duhet ndonjëherë një shtysë e vogël dhe, për fat të mirë, jetojmë në epokën digjitale që u hap të rinjve mundësi të pafundme”, është shprehur ai.
Kryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq, i cili nga donatori Vukçeviq i pranoi çelësat e automjetit, në fjalën e rastit në emër të mbarë komunitetit gucian, shprehu falënderim për këtë gjest të madh human e frymëzues, me ç’rast dhuruesit solemnisht ia dorëzoi fletëfalënderimin.
“Në emër të Komunës së Gucisë, të gjithë prindërve dhe para së gjithash fëmijëve tanë, shprehi mirënjohjen më të thellë dhe të sinqertë për këtë donacion me peshë dhe vlerë të jashtëzakonshme. Ky nuk është vetëm një automjet udhëtimi; ky është një akt që ndryshon jetë. Falë humanizmit të Savos, fëmijët tanë do të kenë transport të përditshëm, të organizuar dhe të sigurt drejt aktiviteteve të tyre shkollore, edukative e sportive”, theksoi kryetari Balliq dhe në vazhdim shtoi se “ky gjest është shenjë e humanizmit të madh, përgjegjësisë dhe dashurisë ndaj komunitetit. Do të mbahet mend nga brezat. Falënderoj gjithashtu edhe mikun e madh të Gucisë nga Podgorica, i cili me angazhimin e tij kontribuoi që kjo iniciativë të realizohet me sukses”.

Humanizëm që i tejkalon kufijtë
Ky është një rast i rrallë në Mal të Zi – një shembull i pastër se si një individ me përkushtim personal dhe empati, mund të ndikojë në jetën e një komuniteti të tërë. Në kohën kur veprat e tilla janë të rralla, gjesti i djaloshit entuziast e human Savo Vukçeviq dërgon një mesazh të fuqishëm solidariteti, përgjegjësie shoqërore dhe kujdesi për më të rinjtë.
Kombibusi i dhuruar do t’i transportojë fëmijët çdo ditë, duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në aktivitetet arsimore, kulturore e sportive si dhe do të ndikojë në përfshirjen më të mirë të fëmijëve nga zonat e largëta dhe ato më të ndjeshme sociale.

“THERAPI” – brendi që qëndron pas humanizmit
I brenduar me identitetin vizual të platformës “THERAPI”, ky automjet simbolizon njëkohësisht edhe misionin e projektit që drejton Vukçeviq: mbështetje e qasshme, kujdes për shëndetin mendor dhe investim në një të ardhme më të sigurt dhe më të bukur për çdo individ.
Ceremonia solemne e dorëzimit të donacionit në Guci është më shumë se një akt humanitar, është shembull i vërtetë i përgjegjësisë shoqërore që meriton respekt dhe vëmendje në mbarë Malin e Zi.
Mes buzëqeshjeve të fëmijëve, krenarisë së qytetarëve dhe mirënjohjes së Komunës së Gucisë, Gucia fitoi më shumë se një automjet udhëtimi – fitoi besimin se me vullnet të mirë dhe bashkëpunim, bota vërtet mund të ndryshohet – qoftë edhe një pjesë e vogël, por më e rëndësishmja, ajo e fëmijëve.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat