Sfida e rrezikshme për të rinjtë dhe roli i shoqërisë

Nga një analizë profesionale, kjo ligjeratë kishte për qëllim të ndihmojë të shohim më qartë pasojat që fshihen pas kësaj forme të arratisjes dhe si t’i qasemi kësaj sfide si prindër, edukatorë dhe profesionistë

Në ambientet e Hotelit “Mediteran” në Ulqin, të mërkurën e kaluar, më 7 gusht 2025, është mbajtur ligjërata e hapur me temën “Substancat si arratisje nga realiteti – Pasojat për të ardhmen e të rinjve”, organizuar nga Qendra për Këshillim dhe Psikoterapi “Aurora” nga Ulqini.
Shumë të rinj, të ballafaquar me pasiguri, boshllëk emocional apo presion shoqëror, kërkojnë rrugë të shpejta të arratisjes. Fatkeqësisht, këto rrugë shpesh përfshijnë edhe përdorimin e substancave që mund të lënë pasoja afatgjate.
Ligjërata u mbajt nga Prof. dr. Musa Musai, psikolog i njohur në fushën e shëndetit mendor dhe psikoedukimit, njëherazi pedagog në Universitetin Shtetëror të Tetovës.
Nga një analizë profesionale, kjo ligjeratë kishte për qëllim të ndihmojë të shohim më qartë pasojat që fshihen pas kësaj forme të arratisjes dhe si t’i qasemi kësaj sfide si prindër, edukatorë dhe profesionistë.
Në fillim të ligjëratës së tij, profesori Musai tha se këtë çështje, apo këtë fenomen, duhet ta marrim me të vërtetë si të rëndësishëm dhe se është e domosdoshme që si njerëz të kemi mundësinë të jemi vetvetja, të zhvillojmë tiparet e personalitetit tonë, ato që i posedojmë natyrshëm, apo që i formojmë me kohë përmes përvojës dhe mjedisit.
“Shpeshherë këto pasoja nuk janë vetëm rezultat i përdorimit të substancave, por janë shkaktuar edhe nga faktorë më të thellë, komponentë që nuk janë trajtuar siç duhet, qofshin ata personalë, familjarë apo shoqërorë. Nëse ndalemi pak, do të vërejmë se jetojmë në një kohë ku ndryshimet janë të mëdha dhe shpesh të pashmangshme. Mjafton të bëjmë një intervistë me njerëz të zakonshëm në rrugë dhe t’i pyesim: Cilat janë nevojat themelore të një njeriu? Nëse kthehemi te hierarkia e nevojave të Abraham Maslow-it, aty fillohet me nevojat biologjike – ushqimi, uji, gjumi, ajri – këto janë baza.
Por mendojmë pak: Cili ka përparësi në një moment urgjence? Një njeri që s’ka ngrënë prej tri ditësh, që është i etur, mund të mendojë vetëm për ushqim e ujë. Por nëse një tjetër është duke u mbytur, nuk ka oksigjen, atëherë ushqimi dhe uji humbin rëndësi – ajri bëhet prioritet”, shpjegoi Musai.
Kur është fjala për një nga varësitë më shqetësuese, siç është ajo nga droga, profesor Musai u shpreh se qoftë nga substanca narkotike apo psikotrope të ndryshme, është një sindromë me pasoja të rënda dhe me shumë vështirësi për t’u përballuar.
“Në momentin që një njeri krijon varësi, ai nuk e kontrollon më veten. Jeta e tij bëhet e varur nga ajo substancë, nga oferta që i bëhet vazhdimisht. Dhe ky është një nga momentet më të rrezikshme – ndodh një deformim i mënyrës së të menduarit, një ndryshim i mënyrës së të jetuarit, që shpesh përfundon në margjina të shoqërisë”, theksoi ai.
Profesor Musai ka thënë se këto substanca sot janë shumë lehtë të qasshme, shumë më tepër se më parë, dhe shpeshherë paraqiten si “shpresë e momentit”, ose si simbol i një “drite në errësirë”, por në fakt, janë mashtruese.
“Sepse truri i njeriut është ai që në momentin e përdorimit të parë reagon me sinjale të fuqishme. Ato sinjale janë plotësisht biologjike dhe psikologjike. Dhe kur këto sinjale përforcohen, për shembull përmes reklamimit, ndikimit të grupeve shoqërore, apo mungesës së ndërhyrjes nga familja e institucione të tjera, atëherë personi shkon drejt një shkatërrimi të brendshëm”, ka thënë ai, duke potencuar se shoqëria jonë, institucionet, organizatat joqeveritare, kanë një rol të rëndësishëm, por gjithashtu edhe familja.
“Sepse mungesa e një oferte të shëndetshme, qoftë në formë edukimi, aktivitetesh apo mbështetjeje, e bën të riun më të ndjeshëm ndaj këtyre ofertave të rreme”, u shpreh profesor Musa Musai në ligjëratën e tij.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të bashkëbisedojnë me ligjëruesin, të ndajnë përvoja dhe të marrin këshilla profesionale për mënyrat e ndërhyrjes dhe mbështetjes psikologjike.
Ky aktivitet u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në ndërgjegjësimin e komunitetit për problematikat e të rinjve dhe nevojën për qasje të shëndetshme ndaj sfidave emocionale dhe sociale me të cilat ata përballen.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat