Në ditët e fundit të vitit, kur ftohtësia e dimrit rëndon mbi viset malore, por kur zemrat njerëzore kërkojnë më shumë se kurrë afërsi dhe solidaritet, një akt i rrallë humanizmi solli ngrohtësi dhe shpresë për dhjetëra familje të fëmijëve me pengesa në zhvillim në Plavë, Guci dhe Rozhajë.
Me datën 20 dhjetor 2025, së bashku me Hajro Veliun, u nisëm nga Ulqini drejt këtyre tri komunave, me një mision të qartë dhe thellësisht njerëzor: që, në emër të donatorëve Dina dhe Ahmet Kurmemaj, filantropë shqiptarë nga Nju Jorku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nën patronazhin e Fondit Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, të shpërndanim ndihma financiare drejtpërdrejt për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ndalesa e parë ishte Plava, ku u pritëm me respekt institucional nga drejtori Jasmin Jevriq dhe nënkryetarja e Kuvendit të Komunës së Plavës, Sabina Kolashinac. Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, duke reflektuar rëndësinë që institucionet lokale i kushtojnë mbështetjes së kategorive më të ndjeshme të shoqërisë. Në këtë rrugëtim na shoqëroi edhe miku ynë nga Martinajt e Gucisë, Shaban Prelvukaj, i cili me praninë e tij i dha edhe më shumë peshë njerëzore kësaj nisme.
Ndihmat konkrete konsistonin në nga 500 euro për secilin fëmijë, shumë që iu dorëzua drejtpërdrejt prindërve, me dinjitet, transparencë dhe ndjeshmëri të veçantë. Për shumë prej tyre, kjo ndihmë nuk ishte vetëm mbështetje financiare, por një mesazh i fuqishëm se nuk janë të harruar dhe se dikush, larg, mendon dhe vepron për ta.
Pas Plavës dhe Gucisë, rrugëtimi vazhdoi drejt Rozhajës, ku u pritëm nga drejtoresha Xhenita Kurtagiq dhe nënkryetari i Komunës së Rozhajës, Ismet Kallaç. Pritja ishte e ngrohtë dhe e organizuar me përkushtim të veçantë. Një rol kyç në realizimin e këtij aktiviteti pati Haxhi Lajçi, i njohur për angazhimin e tij të palodhur në shërbim të komunitetit, i cili mbajti edhe një fjalim rasti në Qendrën Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim, duke theksuar se solidariteti është themeli i një shoqërie të shëndoshë.
Në total, shuma e ndarë në këtë aksion humanitar arriti në 15.500 euro. Edhe pse rruga ishte e gjatë dhe lodhëse, karakteri i veçantë dhe simbolika e këtij aksioni, pikërisht në fund të vitit, krijuan një ndjesi ngrohtësie njerëzore që e zbehu çdo lodhje fizike.
Ky veprim fisnik është dëshmi e qartë se humanizmi nuk njeh kufij gjeografikë dhe se diaspora shqiptare, kur vepron me zemër dhe përgjegjësi, mbetet një shtyllë e fortë mbështetjeje për bashkëkombësit e saj. Emrat e Dina dhe Ahmet Kurmemajt, si dhe angazhimi i Fondit Humanitar “Trojet Tona” mbeten shembull frymëzimi për një shoqëri më të drejtë, më të ndjeshme dhe më njerëzore.
Sami Flamuri
