Në një nga ambientet më të bukura natyrore të bregdetit të Ulqinit, Valdanosi u shndërrua në një skenë gjigante të gëzimit dhe festës për të shënuar një nga ditët më të veçanta të vitit – 1 Qershorin – Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Të pranishëm ishin prindër, gjyshër, edukatorë, drejtues institucionesh dhe, më të rëndësishmit nga të gjithë, fëmijët – të cilët ishin në qendër të vëmendjes.
Aktiviteti është organizuar me përkushtim nga Komuna e Ulqinit, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit dhe Qendrën për Punë Sociale – Ulqin. Qëllimi kryesor i kësaj dite ishte të krijonte një hapësirë të gëzueshme dhe edukative për fëmijët, duke promovuar njëkohësisht rëndësinë e mbrojtjes dhe përkrahjes së të drejtave të tyre.
Në hapje të aktivitetit, të pranishmit u përshëndetën nga nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Petar Deliq.
“Fëmijët janë pasuria më e madhe e një shoqërie. Investimi në edukimin dhe mirëqenien e tyre është një investim në të ardhmen e qytetit. Kjo ditë është për t’i kujtuar vetes përgjegjësinë që kemi ndaj tyre çdo ditë”, është shprehur ai.
Kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq ka thënë në fjalën e saj se në këtë ditë ne jo vetëm që festojmë me fëmijët tanë, por edhe riafirmojmë përkushtimin tonë për të garantuar të drejtat dhe mundësitë që ata meritojnë.
“Të gjithë ne, si komunitet, kemi për detyrë të ndërtojmë një mjedis që i rrit dhe i fuqizon ata”, ka theksuar ajo.
Pas fjalimeve përshëndetëse aktiviteti ka vazhduar me programin artistik që përfshinte një sërë performancash nga kopshte, shkolla fillore dhe institucione artistike të qytetit, ku fëmijët shfaqën talentin, kreativitetin dhe pasionin e tyre. Atmosfera festive u shoqërua nga duartrokitjet e prindërve dhe publikut të gjerë, që e mbështetën çdo paraqitje me shumë dashuri.
Programi u pasurua nga interpretimet e fëmijëve të Qendrës Ditore “Sirena”, Shkollës së Vallëzimit “Porta di Danza”, kopshteve “Solidariteti”, “Arushi Pu” dhe “Xixëllonjat” – me këngë, valle dhe lojëra dramatike që reflektuan pafajësinë dhe botën imagjinare të fëmijëve.
Ndërsa Shkolla e Muzikës dhe e Baletit me numra të rafinuar baleti solli emocione të veçanta. Gjithashtu me disa pika artistike u paraqitën edhe shkollat fillore “Marshall Tito”, “Boshko Strugar”, “Marko Nuculloviq” dhe “Bedri Elezaga”.
Në fund, fëmijët u surprizuan nga një shfaqje e veçantë magjie, ku një magjistar i talentuar i përfshiu edhe ata në truket e tij, duke shkaktuar të qeshura dhe entuziazëm.
Organizatorët u kujdesën që dita të mos ishte vetëm argëtuese, por edhe edukative. Përveç shfaqjeve, fëmijët patën mundësi të marrin pjesë në punëtori kreative, lojëra interaktive dhe aktivitete që nxitën bashkëpunimin, krijimtarinë dhe vetëbesimin.
Në fund të ditës, emocionet, buzëqeshjet dhe kujtimet e bukura që fëmijët morën me vete ishin dëshmia më e mirë e suksesit të kësaj feste.
Siç u përmblodh në fjalën hapëse të ngjarjes, “kjo festë është një dëshmi e përkushtimit për t’u dhënë fëmijëve vendin që meritojnë – në qendër të vëmendjes, në qendër të dashurisë dhe përpjekjeve tona”.
D. Teliqi