Nga 500 euro dedikuar prindërve të fëmijëve me invaliditet

Drejtori i Qendrës Ditore “Lipa”, Jasmin Jevriq, në fjalën e rastit ka shprehur falënderim të veçantë në emër të institucionit që drejton, në emër të vet si dhe në emër të prindërve të fëmijëve, duke theksuar se kjo është hera e parë që ky institucion fiton drejtpërdrejt donacion në të holla, meqë deri më tani donacionet kryesisht kanë qenë në forma të tjera

Plavë – Në emër të donatorëve Dina dhe Ahmet Kurmemaj, filantropë shqiptarë nga Nju-Jorku, Fondacioni Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”, para pak ditësh ka realizuar donacionin në të holla me vlerë nga 500 euro për Qendrën Ditore “Lipa” në Plavë, dedikuar prindërve të fëmijëve me të meta në zhvillim, të cilët i shfrytëzojnë shërbimet e këtij institucioni.
Në realizimin e këtij donacioni të rëndësishëm kanë ndërmjetësuar personat e autorizuar – Sami Flamuri, Shaban Prelvukaj dhe Sabina Kollashinac, të cilët janë falënderuar për angazhim dhe përkushtim.
Drejtori i Qendrës Ditore “Lipa”, Jasmin Jevriq, në fjalën e rastit ka shprehur falënderim të veçantë në emër të institucionit që drejton, në emër të vet si dhe në emër të prindërve të fëmijëve, duke theksuar se kjo është hera e parë që ky institucion fiton drejtpërdrejt donacion në të holla, meqë deri më tani donacionet kryesisht kanë qenë në forma të tjera.
“Veçmas jemi falënderues për donacionin bujar në shumën prej 500 euro për çdo shfrytëzues, i cili do të ketë rëndësi shumë të madhe për përditshmërinë e tyre, zhvillimin dhe cilësinë e jetës”, është shprehur ai, duke shtuar se “ky gjest human paraqet porosi të fuqishme solidariteti, fisnikërie dhe kujdesi për ata të cilëve mbështetja dhe përkrahja u është më se e nevojshme”.
Me rastin e ndarjes së donacionit, po ashtu është theksuar se Qendra Ditore “Lipa” funksionon në kushte modeste dhe hapësirë të kufizuar dhe se shërbimet e saj i shfrytëzojnë fëmijët nga Plava e Gucia me rrethina, të dhëna këto që konfirmojnë rëndësinë e mbështetjes së tillë.
Po ashtu, është theksuar edhe nevoja që në mënyrë të vazhdueshme të punohet në avancimin e inkluzionit të fëmijëve me invaliditet, si dhe në dhënien e ndihmës familjeve të tyre, sepse sfidat janë të shumënumërta, kurse shpenzimet gjithnjë e më të mëdha.
Në fund të kësaj ceremonie, u është dërguar falënderim të gjithë atyre të cilët kanë dhënë kontributin e vet që ky donacion vërtet me peshë dhe vlerë të realizohet, me porosinë që gjestet e tilla humane paraqesin nxitje të fuqishme dhe shpresë për tërë bashkësinë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat