Kundër realizimit të projektit fitues të monumentit të Skënderbeut

Disa prej shoqatave kryesore që tubojnë diasporën shqiptare nga Mali i Zi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, dhe Kuvendit të Komunës së Ulqinit, ku kanë shprehur qëndrimin e tyre se janë kundër vendosjes së skulpturës fituese në konkursin e shpallur nga kjo komunë për monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
“Shumica e shqiptarëve të Amerikës nuk janë të kënaqur me projektin tuaj për ndërtimin e monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në qytetin tonë të dashur Ulqin. Ky projekt nuk ka asgjë të përbashkët me heroin tonë kombëtar. Aty përulet madhështia e tij, që duket më shumë si një karikaturë se përmendore. Historia kombëtare dhe ndërkombëtare e cilëson trimin tonë si njërin prej heronjve më të përmendur të Evropës mesjetare. Në periudhën prej një çerekshekulli iu dhanë nderimet dhe shpërblimet më të larta të Evropës. Prandaj një vizatim i tillë për shtyllën kryesore (pontifex maximus) të historisë sonë kombëtare nënçmon heroizmin, lavdinë, nderin dhe dinjitetin e këtij kolosi të lirisë kombëtare dhe evropiane. Për më shumë se pesë shekuj e gjysmë ky çlirimtar (liberator) nderohet dhe përkujtohet nga kombi shqiptar dhe më gjerë. Edhe shqiptaro-amerikanët e nderojnë Skënderbeun në mënyrë të veçantë, duke ngritur monumente dhe lapidarë në shumë qytete të këtij vendi. Këto nderime u realizuan nga imzot Noli, Konica dhe patriotët tjerë shqiptarë të Shteteve të Bashkuara”, thuhet ndër të tjera në letër.
Në të theksohet se “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu jo vetëm që është kryeheroi i popullit tonë, por për shqiptarët në Mal të Zi ai është njëherit simbol i cili përfaqëson identitetin e tyre kulturor e kombëtar, prandaj këtu qëndron rëndësia e ngritjes së përmendores së tij në formën më dinjitoze dhe të merituar edhe në qytetin e lashtë iliro-arbëror të Ulqinit”.
Letra është nënshkruar nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) me drejtor ekzekutiv Agim Aliçkajn, Shoqata “Ulqini” me kryetar Xhemal Lanicën, Shoqata “Kraja” me kryetare Venera Gjenashajn, Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” me kryetar Senad Lulanajn, Shoqata “Ana e Malit” me kryetar Albert Salajn, Shoqata “Jehona e Malësisë” me kryetar Agron Dedivanajn, Shoqata “Plavë e Guci” me kryetar Qazim Dedushajn, Fondacioni Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” me kryetar Zaim Hajdarin dhe Fondacioni “Dom Simon Filipaj” me kryetar Tom Shkrelin. Ajo po ashtu është nënshkruar edhe nga disa figura të njohura publike në diasporë: Nikollë T. Lulgjuraj, Xheladin Zeneli, Gjekë Gjonlekaj, Cafo Boga, Esad Gjonbalaj dhe Valdet Çobaj.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat