Më 1 dhe 2 nëntor 2025, parkun “Hajdari Family” në Anë të Malit – Ulqin, e mbushi aroma e vjeshtës, e kombinuar me muzikë, ngjyra dhe shije të veçanta. Manifestimi tradicional “Shporta e vjeshtës”, i organizuar për të katërtin vit me radhë, e ktheu këtë hapësirë të bukur natyrore në një panair të gjallë ku prodhuesit vendas, artizanët dhe fëmijët e talentuar shfaqën pasuritë dhe kreativitetin e tyre.
Ky manifestim u organizua nga Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji i Komunës së Ulqinit, në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit, me synim të promovimit të pasurive tona bujqësore, artizanale dhe kulturore.
Hapja e manifestimit u shoqërua me fjalime nga organizatorët.
Arber Haxhibrahimi, përfaqësues i Organizatës Turistike të Ulqinit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe angazhimit për zhvillimin e turizmit lokal gjatë gjithë vitit.
“Është kënaqësi e veçantë që sot jemi së bashku në hapjen e manifestimit ‘Shporta e Vjeshtës’, i cili ka për qëllim promovimin e produkteve vendase, traditës dhe vlerave të pasura të zonës sonë. Në emër të OTU-së dëshiroj të falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, prodhuesit, partnerët dhe institucionet që kanë kontribuar në realizimin e këtij manifestimi. Mbështetja juaj është dëshmi që së bashku mund të krijojmë një imazh të qëndrueshëm e tërheqës të destinacionit tonë turistik gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit veror. Le të jetë ‘Shporta e vjeshtës’ një shembull i bukur i bashkimit të traditës me turizmin, i përkushtimit ndaj cilësisë dhe krenarisë për produktet tona vendore. Ju falënderoj për praninë dhe kontributin tuaj në promovimin e kulturës, gastronomisë dhe identitetit. Shijojeni këtë festë të vjeshtës në Ulqin!”, ka thënë ai.
Arta Muçaj, sekretare e Sekretariatit për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji pranë Komunës së Ulqinit, u shpreh se është e rëndësishme të theksohet roli i këtij manifestimi në promovimin e produkteve vendore, traditës lokale dhe angazhimin për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë.
“Është kënaqësi e veçantë të gjendemi në këtë ambient kaq të bukur, të cilit hijeshia i është shtuar edhe më shumë nga ekspozuesit me prodhime autoktone. Produktet tipike për këtë periudhë janë ulliri, agrumet, shega, arra, gështenja, mjalti, si dhe shumë prodhime të tjera vendore dhe artizanale, të kultivuara me shumë mjeshtëri dhe përkushtim. Qëllimi kryesor i këtij manifestimi është mirënjohja dhe vlerësimi i punës së prodhuesve vendorë, si dhe promovimi i traditës së Ulqinit dhe i rrethinës në kultivimin e produkteve cilësore autoktone, të cilat na bëjnë të njohur edhe përtej kufijve të Malit të Zi”, ka thënë ajo.
Manifestimin e hapi kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili theksoi se “Shporta e vjeshtës” ka një rëndësi të veçantë për ruajtjen e traditës dhe vlerave të prodhimeve lokale.
“Ky manifestim është festë e punës, e tokës dhe e prodhimeve që na i jep natyra përmes duarve të palodhura të bujqve tanë. Në çdo shportë me fruta dhe perime shohim mundin, dashurinë dhe përkushtimin e njerëzve tanë ndaj tokës së Ulqinit. Kjo është gjithashtu një mundësi e mirë për të promovuar produktet vendore, për të përkrahur ekonominë rurale dhe për të kujtuar se zhvillimi i qëndrueshëm fillon nga respekti ndaj tokës dhe njerëzve që punojnë në të. Krahas produkteve bujqësore, sot kemi edhe këngë, argëtim dhe atmosferë festive, sepse vjeshta është stinë e ngjyrave, stinë e gëzimit dhe e mirënjohjes për gjithçka që kemi korrur gjatë këtij viti”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka falënderuar të gjithë organizatorët, prodhuesit, artistët dhe qytetarët që kanë kontribuar për ta bërë këtë ditë të veçantë.
“Falë jush, ‘Shporta e vjeshtës’ është bërë tashmë një traditë që e pasuron jetën tonë kulturore dhe ekonomike të qytetit. Të gjithë së bashku, le të ruajmë dhe zhvillojmë këtë frymë bashkëpunimi, pune dhe gëzimi”, ka thënë ai.
Vizitorët u pritën nga tryeza e shijeve vendore, ku ullinjtë e artë, agrumet e freskëta, shegat e kuqe dhe mjalti aromatik i jepnin ambientit një ngrohtësi të veçantë. Panairi i produkteve artizanale tërhoqi sytë me suvenire, punime dore dhe produkte bio, duke treguar mjeshtërinë e prodhuesve vendas.
Gjithashtu, për fëmijët ky manifestim ishtë një eksperiencë e veçantë, sepse ata patën mundësi të bëjnë shëtitje me kuaj dhe t’i ushqenin kafshët shtëpiake. Kjo jo vetëm që i argëtoi, por edhe i mësoi për natyrën dhe kujdesin ndaj kafshëve, duke e bërë pjesëmarrjen një përvojë të këndshme dhe edukative për të gjithë familjen.
Programi kulturor-artistik solli emocione të veçanta. Ditën e parë, skena u mbush me energji nga Kopshti “Arushi PU”, Kopshti “Xixëllonjat”, shkolla fillore “Boshko Strugar”, shkolla fillore “Bedri Elezaga”, shkolla fillore “Marshall Tito”. Fëmijët, me valle, këngë dhe performanca të gjalla, transmetuan gëzim dhe ngjyra të vjeshtës për të gjithë të pranishmit. Pas tyre, “Acoustic Band” e mbushi hapësirën me muzikë të ngrohtë.
Dita e dytë solli më shumë ngjyra dhe aktivitete. Fëmijët nga Qendra Ditore “Sirena”, kopshti “Solidariteti”, Shkolla e Muzikës dhe e Baletit, shkolla fillore “Marko Nuculloviq”, shkolla e mesme e kombinuar “Vëllazërim–Bashkim”, mbushën skenën me valle, këngë dhe pjesë artistike plot energji dhe kreativitet. Vizitorët patën mundësinë të shijonin tryezën e shijeve vendore dhe të eksploronin panairin e produkteve artizanale, duke u zhytur në aromat dhe ngjyrat e prodhimeve lokale.
Manifestimi u përmbyll me një koncert festiv, ku u paraqitën SHKA “Olcinium”, Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Trojet Tona”, grupi “Espressivo Band”.
Njëra nga pjesëmarrëset në stendat ekspozuese, Pasho Ceka u shpreh se merr pjesë për çdo vit në manifestimin “Shporta e vjeshtës”, sepse është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar dhe prezantuar larmishmërinë e produkteve tona vendore.
“Nga frutat e freskëta dhe konservat, tek vajrat e prodhuar me kujdes dhe çdo produkt tjetër tradicional, ky manifestim na jep mundësinë të tregojmë pasionin dhe përkushtimin tonë ndaj traditës dhe cilësisë”, tha ajo.
Vizitorët e shprehën gëzimin për atmosferën festive.
“Është një eksperiencë e mrekullueshme për të gjithë familjen. Aromat, ngjyrat dhe energjia e fëmijëve e bëjnë këtë ngjarje të veçantë”, tha një vizitor.
Një tjetër vizitore shtoi se “më pëlqen që manifestimi promovon prodhimet lokale dhe na tregon traditën e Ulqinit në një mënyrë kaq të gjallë”.
Dy ditë me shije, muzikë dhe ngjyra vjeshte e kthyen “Shportën e vjeshtës” në një festë të vërtetë të natyrës, punës dhe shpirtit komunitar.
D. Teliqi
