Dy periudha të rëndësishme fetare, Kreshma dhe Ramazani, këtë vit përkojnë në kohë, një rast që nuk ndodh shpesh, duke sjellë momente reflektimi, sakrifice dhe përkushtimi shpirtëror për besimtarët.
Kreshma në traditën e krishterë nxit pendesën, qetësinë e brendshme dhe përgatitjen për festën e Pashkës, duke lidhur devotshmërinë personale me paqen e ndërgjegjes dhe harmoninë shoqërore, ndërsa Ramazani për besimtarët myslimanë përfaqëson një muaj paqeje, dashurie, bamirësie dhe agjërimi, që i ndihmon të forcojnë lidhjen me Zotin, të pastrojnë zemrën dhe të përmirësojnë marrëdhëniet me të tjerët.
Të dyja synojnë të kultivojnë devotshmërinë, vetëdisiplinën dhe reflektimin shpirtëror te besimtarët e konfesioneve përkatëse.
Për të ndihmuar lexuesit të njihen më mirë me praktikat dhe kuptimin e Kreshmës dhe Ramazanit, “Koha javore” bisedoi me përfaqësues të të dyja besimeve, imam Nadir Bajraktarin dhe atë Kolën, ndihmës i famullitarëve në Triesh, Grudë, Hot, Kojë dhe Tuz.
Në bashkëbisedimin me atë Kolën lidhur me kuptimin dhe rëndësinë e periudhës së Kreshmës për besimtarët katolikë, në aspektin shpirtëror dhe shoqëror, ai tregon se “thelbi është ajo që na ka folur Joeli profet në orën e parë të Krezhmëve (Mërkuren e Pêrhime): ‘Shkyeni zêmrat e jo teshat’. Me të drejtë mund të mendoni se si mund të bluhen këto fjalë kaq të forta?! Mendoj se gjithkujt (mua të parit) i duhet të shkrepë një ‘radiografi zemre’ që të vejë re, a thua kam koleksionuar ‘xhigla apo ndonjë bujashkë në odë’, që të mund të lirohemi sa më parë prej tyre dhe të hapim vend për virtyte njerëzore e hyjnore”.
Atë Kola shprehet se dobia shoqërore dhe ajo shpirtërore, sipas Etërve të Kishës, janë të pandara, sepse, sipas tij, kur je në paqe me ndërgjegjen tënde, vetvetiu je në harmoni e miqësi me gjithkë e gjithçka që të rrethon.
“Ndërsa Nxitja Apostolike, ‘Dilexi te’ (Të kam dashtë) e Papa Leonit XIV, shkruan se ‘bujaria, nuk është veçse që ne po u bëjmë mirë të tjerëve, por është drejtësi që t’u kthejmë të varfërve atë çfarë u nevojitet që të jetojnë me dinjitet’. E çfarë është edhe më e rëndësishme – vazhdon Papa – se duke ndihmuar të tjerët, shërohemi ne vetë, sidomos nga sëmundja e indiferentizmit”, shprehet ai.
Se cilat janë praktikat më të zakonshme gjatë Kreshmës dhe cilat janë më të rëndësishmet për devotshmërinë personale, atë Kola shprehet se tradita më e lashtë e Kishës na ka përcjellë “dëgjimin e fjalës, shenjën e hirit dhe udhën e Kryqit”.
“Ndërsa te devotshmëria personale, si meshtar, jam i kufizuar që të jap propozime, sepse gjithkush e njeh vetveten fort mirë: në dobësi, mangësi apo edhe mbi atë se si kishte me qenë edhe më frytdhënës… Tekefundit, çdo besimtar që bën kusht, ka lirinë e plotë që të lidhë e të zgjidhë vetë kur të dëshirojë, sepse ato janë nene individuale e jo ekleziale”, shprehet ai.
Në pyetjen tonë se në cilat raste besimtarët mund të bëjnë përjashtime nga disa rregulla të Kreshmës, dhe si duhet të veprojnë në këto situata, ai shpjegon se Kisha liron nga këto rregulla të sëmurët (sepse është misioni/detyra e meshtarit të shkojë tek ata).
“Në raste të papritura të jetës bëhen përjashtime, por duhet leje/bekimi nga famullitari. Si për shembull, kur lindin foshnje apo kur një familjar i joni ka ardhur nga larg, pas 12 apo 24 vjetësh, sepse ka marrë letrat në atë shtet që ka jetuar. Pra, është koha që të gëzohemi e të galdojmë me mish, bukë e kripë e zemër të bardhë, sepse fort malli na kishte marrë, pse jo ka edhe surpriza kur ‘pati hup e u gjet’”, thekson ai.
Në mënyrë që periudha e Kreshmës të mos mbetet vetëm ritual, por të reflektohet realisht në jetën e përditshme dhe në marrëdhëniet me të tjerët, atë Kola thotë se “fjala simbol vjen nga greqishtja që ka kuptimin e dy gjërave fizike, por kur përpiqen së bashku, duket vetëm një”.
“Në lashtësi, kur dy dashamirë, jeta i bart që të marrin shtigje të ndryshme dhe shumë të largëta nga njëri-tjetri, merrnin një asht bagëtie dhe e këputnin, që kur të takohen sërish (s’dihet ku e kur), të përputhnin eshtrat që të vërtetohet autenticiteti. Apo siç thotë edhe populli ynë: ‘mish e thua, mish e shpirt’. Duke u pajtuar me këto përvoja të thella e shumë dashamirëse të njerëzimit, ju ofroj edhe dy dëshmi të tjera të mrekullueshme të autorëve që unë nuk i njoh, por që kanë shkruar: ‘si ke me dasht shpirtin që nuk e sheh, kur s’do trupin që e sheh’; dhe tjetri ka shprehur se: ‘si ke me e dasht qiellin që kurrë s’ke qenë, kur s’do tokën që e shkel me kamë’”, thotë ai.
Atë Kola më tutje thekson se këta autorë të mençur duan të na shndrisin se, çdo vepër të mirë apo të jashtme që e bëjmë, “le të jetë në përkim të plotë me brendësinë dhe jo të hedhim kripë më pak e as më shumë, por vetëm aq sa duhet, që t’i japim shije, ndershmëri e dashni krejt qenies tonë. Duke shpresuar se po ecim së bashku, ju përshëndet përzemërsisht atë Kola”, përfundon ai këtë prononcim.
Ndërkaq, imam Nadir Bajraktari shpjegon fillimisht kuptimin dhe rëndësinë e muajit të Ramazanit për besimtarët në aspektin shpirtëror.
Ai shpjegon se muaji i Ramazanit është muaji i paqes, dashurisë, mëshirës, bamirësisë, pendimit dhe faljes.
“Është kohë e pastrimit shpirtëror, muaj që e bën njeriun më të mirë me njerëzit dhe më të afërt me Zotin. Ramazani ka një rëndësi të madhe për besimtarët myslimanë, sepse bart me vete një nga pesë shtyllat e besimit, që është agjërimi”, thotë Bajraktari.
Agjërimi, shprehet ai, në një aspekt e dobëson trupin, duke e privuar atë nga ushqimi gjatë ditës, por nga ana tjetër e forcon shpirtin dhe e pastron zemrën.
“Ramazani është muaj i zbritjes së Kur’anit dhe të gjithë librave hyjnorë. Ky muaj na mëson durimin, vetëkontrollin dhe sinqeritetin në adhurim”, thotë Bajraktari, ndërsa në aspektin shoqëror “Ramazani nxit solidaritetin, bamirësinë e përgjithshme dhe forcon lidhjet farefisnore, e që këto gjëra e bëjnë Ramazanin një muaj atraktiv dhe të dashur për njerëzit”.
Ai thekson se rregullat bazë që duhet të respektojë një besimtar gjatë agjërimit janë: “Bërja e nijetit me zemër, pra të ketë për qëllim agjërimin për hir të Zotit (dhe jo me ndonjë qëllim tjetër, qoftë për dietë dobësimi etj.); përmbajtja nga ushqimi, ngrënia e pija dhe distancimi nga marrëdhëniet bashkëshortore nga agimi e deri në perëndimin e diellit; përmbajtja nga fjalët dhe veprat e këqija, posaçërisht gjatë agjërimit (nga agimi deri në perëndim), por kjo sugjerohet të bëhet 24/7, pra gjatë gjithë muajit Ramazan”.
Ndërsa për gabimet apo paqartësitë më të shpeshta që hasen në praktikë, imam Bajraktari thekson se konsumimi i ushqimit gabimisht, pra dikush që ha apo pi gabimisht, kjo nuk e prish agjërimin.
“Thjesht, në momentin që i kujtohet, e ndërpret dhe vazhdon agjërimin. Ngritja e zërit apo fjala e keqe, e thënë si padashje, nuk e prish agjërimin, edhe pse te kjo pikë kërkohet maturi për një Ramazan më efikas”, shprehet ai.
Duke iu përgjigjur pyetjes sonë se në cilat raste lejohet mosagjërimi dhe si duhet të veprojnë besimtarët në këto situata, sipas mësimeve islame, imam Bajraktari thotë se mund të mos agjërohet kur “personi është i sëmurë, kur është udhëtar, gratë shtatzëna apo gjidhënëse, kur rrezikohet shëndeti, si dhe për të moshuarit që nuk kanë mundësi fizike-shëndetësore. Këta duhet ta kompensojnë më vonë, pas Ramazanit, agjërimin e ditëve kur ishin të sëmurë apo për ditët kur ishin udhëtarë, apo në pamundësi, kurse ata që nuk munden as më vonë, japin ‘fidje’ (si kompensim); ushqim për një të varfër për çdo ditë të Ramazanit ose japin ushqim për 30 persona në një ditë të caktuar”.
Sipas Bajraktarit, disa dijetarë e kanë lejuar edhe dhënien e parave në vlerën e 30 racioneve ushqimi, “por më e mira është që kompensimi të bëhet duke e konkretizuar atë me blerje të ushqimit”.
Sa i përket përjetimit të Ramazanit në Malin e Zi, Bajraktari thotë se ai ndryshon nga vendi në vend.
“Unë mund të flas nga eksperienca, sepse e kam përjetuar Ramazanin në vende dhe qytete të ndryshme të botës, por të jem real ndjesinë më të bukur e përjetoj këtu në Malësinë tonë. Këtë nuk e them vetëm për faktin se e kam vendlindje, por për shumë aktivitete të caktuara që janë trashëguar brez pas brezi këtu te ne, duke nisur nga iftaret e përbashkëta, dashamirësia dhe bujaria e këtij vendi që është trashëguar ndër vite”, thotë ndër të tjera ai.
Në fund, duke dhënë një mesazh për besimtarët, imam Bajraktari thotë se “këtë paqe, bashkim dhe dashuri që na e sjell muaji i Ramazanit, të mundohemi ta përvetësojmë dhe të jetë ky muaj i bekuar shkas që ne të ndryshojmë pozitivisht dhe të bëhemi njerëz më të mirë, më të afërt si shokë, më të respektuar si kolegë dhe më të dashur si familjarë”.
“Për në fund, lus Zotin që ky muaj të na sjellë në sofrat tona bereqet, në trupat tonë shëndet, në zemrat tona dashuri dhe në vendin tonë paqe e harmoni”, përfundon mesazhi i imam Nadir Bajraktarit. T. Ujkaj
Kohë reflektimi, devotshmërie dhe përkushtimi shpirtëror
Të dyja synojnë të kultivojnë devotshmërinë, vetëdisiplinën dhe reflektimin shpirtëror te besimtarët e konfesioneve përkatëse
