Ulqini, një ndër komunat e pakta në Mal të Zi që deri më sot nuk ka pasur një sistem të organizuar të transportit publik, duket se është më afër se kurrë për ta ndryshuar këtë realitet. Në një kohë kur pothuajse çdo qytet tjetër në vend ka një formë funksionale të transportit urban dhe ndërurban, qytetarët e Ulqinit janë përballur me mungesën e një shërbimi kaq thelbësor për jetën e përditshme.
Sekretariati për Veprimtari Komunale dhe Banesore ka ndërmarrë hapat e parë konkretë për të vënë në lëvizje projektin e shumëpritur. Sipas Leart Taipit, sekretar i këtij Sekretariati, çështja e transportit publik është kthyer tashmë në një nga prioritetet kryesore të administratës komunale.
“Transporti publik është një nga temat kryesore që prek qytetarët në jetën e përditshme dhe për Sekretariatin për Veprimtari Komunale dhe Banesore është një prioritet i rëndësishëm. Ulqini nuk ka pasur një transport publik të rregullt deri më sot. Qytetarët duan të kenë një transport publik të rregullt dhe të besueshëm gjatë gjithë vitit”, deklaron Taipi.
Ai thekson se sidomos gjatë sezonit turistik, mungesa e një sistemi të organizuar ka krijuar pengesa serioze për lëvizjen, jo vetëm për turistët, por edhe për vetë banorët.
“Gjatë sezonit turistik lëvizja për qytetarët ka qenë shumë e vështirë. Për kategoritë që varen kryesisht nga transporti publik, kjo situatë ka qenë sfiduese dhe ka krijuar vështirësi në qarkullim”, pohon Taipi.
Për të përballuar këtë sfidë dhe për të hartuar një zgjidhje afatgjatë, Sekretariati ka bashkëpunuar me Fakultetin e Komunikacionit në Beograd. Ky bashkëpunim ka prodhuar një plan të detajuar, të bazuar në analizë të të dhënave reale, që synon optimizimin e rrjetit të linjave.
“Kemi analizuar rrjetin ekzistues, dendësinë e popullsisë, distancat mes stacioneve, distancat mes fshatrave që të lidhen me qytetin. Si rezultat, kemi arritur në një plan të detajuar për të optimizuar shërbimet dhe për të rritur cilësinë e transportit. Plani i linjave përfshin qytetin si dhe zonat rurale”, shprehet Taipi.
Deri tani, janë siguruar dy minibusë me nga 22 ulëse, të cilët do të përdoren për transport publik në mënyrë më efikase dhe të organizuar, si në qytet ashtu edhe në pjesët rurale, dhe për organizimin e transportit të nxënësve. Këto automjete janë të përshtatura për infrastrukturën ekzistuese dhe nevojat e qytetarëve.
Por kjo është vetëm faza e parë. Sipas Taipit, pritet ardhja e edhe tre minibusëve të tjerë deri në fund të vitit, pas së cilës do të bëhet ndarja përfundimtare e zonave që kanë më shumë nevojë.
Përveç investimeve publike, Sekretariati ka ndërmarrë hapa për të përfshirë edhe operatorët privatë në rrjetin e ri të transportit. Për këtë është shpallur një thirrje publike për ndarjen e linjave dhe deri tani janë lëshuar pesë leje për operim.
“Sekretariati ka bërë thirrjen publike për ndarjen e linjave nga operatori privat, nga ku edhe kemi lëshuar pesë leje aktualisht për linjat e qytetit, si për shembull lidhja e qytetit me qendrën e Shtojit, Pinjeshit me Plazhin e Madh, si dhe zonën rurale ku kemi qytetin me zonën Zogaj, Qyrkaj dhe qendrën e Shtojit, si dhe me zonën e Anës së Malit duke përfshirë fshatrat: Kravar, Brajshë, Katërkollë, Krythë, Kllezën si dhe Sukubinën me qendrën e qytetit”, tregon sekretari Taipi.
Megjithatë, vendosja e një sistemi funksional të transportit publik nuk është pa vështirësi. Nga kostoja e lartë e investimeve e deri te sfidat me infrastrukturën dhe bashkëpunimin me operatorët privatë, rruga nuk është e lehtë.
“Kur flasim për vlerën monetare të rregullimit të transportit publik, shifrat janë të larta, ku koston më të lartë e përbëjnë automjetet. Aktualisht kemi shpenzuar rreth 200 mijë euro për sigurimin e mjeteve dhe rreth 300 mijë euro janë të planifikuara dhe të kontraktuara për blerjen e automjeteve të tjera”, deklaron Taipi.
Taipi nënvizon se për këtë nismë kërkohet përkushtim nga të gjitha palët.
“Transporti publik kërkon përkushtim nga Komuna dhe nga firmat, jo vetëm ato shtetërore, por edhe ato private, që të përmirësohet dhe të funksionojë më mirë. Është e rëndësishme që këto firma të fillojnë punën në mënyrë efikase dhe në praktikë të arrijnë rezultate konkrete”, thotë ai.
Përveç aspektit teknik dhe infrastrukturor, Taipi thekson edhe rëndësinë e krijimit të një kulture të re te qytetarët në lidhje me përdorimin e transportit publik.
Sipas tij, “është e rëndësishme të krijohet një kulturë e mirë te qytetarët, që të kuptojnë rëndësinë e transportit publik dhe ta përdorin atë si një shërbim të përshtatshëm dhe të dobishëm për ta”.
Ai nuk lë pa përmendur edhe sfidat me operatorët privatë, të cilët duhet të rrisin disiplinën, respektimin e orareve dhe funksionimin në përputhje me nevojat e qytetarëve.
Në një kohë kur lëvizshmëria urbane dhe ndërurbane është konsideruar një e drejtë bazë në shumë vende, qyteti i Ulqinit më në fund po bën hapa seriozë për të mos mbetur më pas në këtë drejtim. Nëse planet realizohen sipas premtimeve dhe në bashkëpunim me të gjitha palët e përfshira, banorët e kësaj komune do të mund të shijojnë një sistem transporti të denjë për një qytet turistik, me histori dhe potencial të madh zhvillimi.
Transporti publik në Ulqin nuk është më vetëm një premtim – është një proces që ka nisur. Dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, ndoshta shumë shpejt, pyetja nuk do të jetë më “a po bëhet Ulqini me transport publik?”, por “si funksionon transporti publik i Ulqinit sot?”.
D. Teliqi
