Komuna e Ulqinit ka njoftuar se me shpalljen e tenderit ka nisur procedura për ndërtimin e godinës së re të Qendrës Ditore për fëmijë dhe të rritur me nevoja të veçanta në Ulqin, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të përfshirjes sociale dhe cilësisë së jetës së anëtarëve më të ndjeshëm të komunitetit tonë.
Sipas shpalljes zyrtare, afati për dorëzimin e ofertave zgjat nga 11 nëntori deri më 12 dhjetor 2025, ndërsa vlera e përgjithshme e projektit, përfshirë TVSH-në, është 2.2 milionë euro.
Godina e re parashikohet të ketë një sipërfaqe prej 1 400 metra katrore, gjë që do të mundësojë krijimin e një hapësire funksionale, të sigurt dhe moderne, të përshtatur për nevojat e fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara.
Sipas njoftimit për shtyp nga Komuna e Ulqinit, përpos hapësirave për qëndrim dhe mbështetje profesionale, Qendra Ditore do të ketë edhe salla të veçanta për programe edukative, punëtori, fizioterapi, aktivitete rekreative dhe trajnime, si dhe hapësira për organizimin e ngjarjeve të ndryshme shoqërore dhe kulturore.
“Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se, përveç fëmijëve dhe të rinjve, qëndrimi në qendër do të mundësohet edhe për personat e rritur mbi moshën 27 vjeç, duke siguruar kështu mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm për personat me aftësi të kufizuara gjatë gjithë ciklit të jetës”, thuhet në njoftim.
Nga Komuna e Ulqinit kanë deklaruar se ndërtimi i këtij objekti ka për qëllim krijimin e një mjedisi ku përfituesit do të mund t’i zhvillojnë aftësitë e tyre, të fitojnë njohuri dhe shkathtësi të reja, si dhe të integrohen sa më mirë në jetën shoqërore të qytetit.
“Nisja e kësaj procedure tregon përkushtimin e vetëqeverisjes lokale për përmirësimin e shërbimeve sociale dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Zbatimi i këtij projekti do të sjellë përfitime jo vetëm për përdoruesit dhe familjet e tyre, por edhe për tërë komunitetin, përmes forcimit të solidaritetit, empatisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Ky është vetëm një nga hapat drejt krijimit të një mjedisi më të qasshëm dhe më human për të gjithë qytetarët e Ulqinit”, thuhet në njoftim.
Edhe pse nuk është bërë e ditur në njoftimin për shtyp, mësohet se godina e re e Qendrës Ditore do të ndërtohet në Kollomzë, në hyrje të Ulqinit, buzë rrugës Ulqin – Katërkollë.
(Kohapress)
