Fuqia e heshtur që Bjeshkët eNemuna i ktheu në hartën e botës

Rezultatet janë të dukshme në çdo hap - kapacitetet akomoduese të rritura, vendet e reja të punës, ekonomia lokale e gjallëruar dhe numri gjithnjë e më i madh i turistëve të huaj, të cilët Plavën e Gucinë i njohin si destinacione të natyrës së paprekur dhe përjetimit autentik

Plavë – Në kohën kur shumë vise ballafaqohen me shpërngulje dhe moszhvillim, Plava dhe Gucia shënojnë trend të kundërt, rritje të fuqishme turistike që Bjeshkët e Nemuna i ka shndërruar në njërin prej destinacioneve alpine më të dëshiruara të Ballkanit. Në qendrën e këtij rrëfimi gjendet Klubi Alpino-Sportiv “Hrid” nga Plava, themelues ideor i të cilit është Enes – Enko Dreshkoviq, njeriu puna e të cilit ka lënë gjurmë të përmotshme e të matshme.
Deri në vitin 2019, Plavën e Gucinë dhe masivin e Bjeshkëve të Nemuna i kanë vizituar vetëm 1.000-4.000 turistë në vit. Sot, falë zhvillimit të planifikuar të turizmit aktiv dhe promovimit të trekëndëshit Mali i Zi-Shqipëri-Kosovë, ky numër i tejkalon 150 mijë vizitorë në vit, që paraqet njërin prej hapave më të mëdhenj në Malin e Zi bashkëkohor.
Që prej themelimit, KAS “Hrid” është dalluar me karakter të posaçëm dhe mision të qartë. Klubi nuk ka qëndruar i mbyllur në kuadër të veprimit formal, por është rritur dhe shndërruar në lëvizje e cila Bjeshkët e Nemuna ia ka hapur botës. Përmes marketimit dhe lidhjes së shtigjeve alpine, organizimit të ngjitjeve ndërkombëtare, bashkëpunimit me klubet nga rajoni e diaspora, si dhe promovimit në vazhdimësi të terrenit dhe mediave, janë krijuar themelet e turizmit alpin bashkëkohor.
Vend të posaçëm në këtë rrëfim zë Trekëndëshi, me dekada i lënë pas dore dhe hapësirë administrative e ndarë. Vizioni i Enes – Enko Dreshkoviqit ka qenë që Bjeshkët e Nemuna të shikohen si tërësi unike natyrore pa kufij për alpinistë (malësorë) dhe dashamirë të natyrës. Pikërisht, kjo ide sot e bën këtë trekëndësh simbol të lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal, turizmit të qëndrueshëm.
Rezultatet janë të dukshme në çdo hap – kapacitetet akomoduese të rritura, vendet e reja të punës, ekonomia lokale e gjallëruar dhe numri gjithnjë e më i madh i turistëve të huaj, të cilët Plavën e Gucinë i njohin si destinacione të natyrës së paprekur dhe përjetimit autentik.
Për këtë, KAS “Hrid” dallohet nga shoqëritë tjera alpino-sportive në Mal të Zi. Derisa shumë të tjera punojnë në nivel të entuziazmit, “Hrid” ka dëshmuar që puna konsekuente, dija dhe vizioni mund ta ndryshojnë tërë rajonin.
Puna e Enes – Enko Dreshkoviqit dhe i KAS “Hrid” dëshmojnë se zhvillimi real nuk vjen deklarativisht, por nëpërmjet viteve të përkushtimit dhe nismës individuale. Kontributi i tyre nuk është vetëm turistik, por edhe shoqëror, sepse dëshmon se periferia mund të bëhet qendër kur drejtohet nga njerëzit të cilët besojnë në atë që punojnë.
Bjeshkët Ae Nemuna sot nuk janë vetëm masiv alpin; ato janë simbol suksesi, bashkëpunimi dhe i perspektivës së re të veriut të Malit të Zi. E ky rrëfim e ka emrin KAS “Hrid” – Enes – Enko Dreshkoviq – Plavë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat