Ulqin – Për dy ditë me radhë, më 15-16 maj 2025, Ulqini ka qenë nikoqir i Lojërave Olimpike Ndërkombëtare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara Zhvillimore, të organizuara nga Qendra Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Sirena”.
Drejtoresha e kësaj Qendre, Salije Meqikukiq, e konsideron këtë organizim si realizimin e një ëndrre të saj, por edhe të personelit të Qendrës Ditore “Sirena”.
“E dinim për sfidat që do na dilnin para, por pas shumë sakrificave, mundimeve, ia arritëm qëllimit deri te realizimi i kësaj ëndrre”, thotë ajo.
Kjo është hera e parë që organizohen lojërat olimpike për fëmijët me aftësi të kufizuara.
“Është një risi absolute dhe si e tillë kuptohet që mbarti një barrë të madhe. Prandaj, nuk mund të shprehi mjaftueshëm që pas gjithë këtij manifestimi fshihet një ekip i madh”, shprehet ajo, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur, posaçërisht Selim Likën, sipas saj “një person me të gjitha vlerat e humanizmit, shembull për të gjithë ne, pa të cilin kjo ide do të ngelte veç ëndërr”.
Ajo është krenare për ekipin e Qendrës Ditore “Sirena”, të cilin e quan një familje të madhe.
“Kanë bërë një punë të palodhshme, që është shpërblyer më së miri nga kënaqësia e fëmijëve”, thekson Meqikukiq.
Pavarësisht organizimit të mirë, drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena” nuk e fsheh zhgënjimin me pjesëmarrjen e paktë të publikut ulqinak, gjë që sipas saj tregon mosinteresim dhe mosrespekt ndaj personave me aftësi të kufizuara, të cilët meritonin spektatorë më të zjarrtë.
Vlerësime për organizimin e Lojërave Olimpike Ndërkombëtare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara Zhvillimore kanë pasur zyrtarët nga Qeveria e Malit të Zi, pushteti lokal, qendrat e ndryshme ditore etj.
Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes, kryetarja e Kuvendit të komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq ka thënë se kur i njihni këta fëmijë, e kuptoni se sa të veçantë janë ata, plot dashuri, ngrohtësi dhe sinqeritet.
“Na mësojnë që të gëzohemi për gjëra të vogla, të jemi më të durueshëm, më të pranishëm dhe më të mirë për njëri-tjetrin. Por po ashtu nuk mund të mos e përmendi luftën e prindërve të tyre, njerëzve të cilët nga dita në ditë zhvillojnë garën më të rëndësishme – qetësisht dhe me dashuri”, ka thënë ajo.
Popoviq ka thënë se Lojërat Olimpike nuk janë vetëm një ngjarje sporti, por festë e fuqisë, bashkimit dhe kuptimit.
Në emër të qendrave ditore të fëmijëve me aftësi të kufizuara, të pranishmit i ka përshëndetur Bozhidar Drecun, drejtor i Qendrës Ditore të Fëmijëve me Pengesa në Zhvillim dhe Personave të Rritur me Invaliditet.
“Sot jemi këtu për të promovuar inkluzionin. Inkluzioni nuk është vetëm misioni ynë, ai duhet të jetë vizioni i shoqërisë që dëshiron të jetë e drejtë. Për këtë arsye, jemi këtu që fëmijët me pengesa në zhvillim të mos jenë në margjina, por në qendër të vëmendjes”, ka thënë ai, duke dhënë edhe një mesazh për pushtetin lokal dhe këshilltarët e Kuvendit të komunës së Ulqinit se “çdo komunë do të ishte krenare sot të kishte një Salije Meqikukiq”.
Sponsor kryesor i Lojërave Olimpike ka qenë Erste Banka.
Drejtoresha e Shërbimit të Komunikimit në Erste Bank, Dragana Crvenica ka thënë se si bankë janë të vetëdijshëm se pritjet e klientëve të tyre nuk i plotësojnë vetëm në filialet e tyre dhe përmes produkteve bankare.
“Besojmë se puna për dobinë e shoqërisë është e pandarë nga suksesi afarist. Për këtë arsye investojmë në projekte me dobi shoqërore, mbështesim shumë organizata në misionin e tyre fisnik, siç është Qendra Ditore ‘Sirena’ nga Ulqini”, ka thënë ajo.
Crevenica ka theksuar se “vetëm së bashku, me hapa të vegjël dhe të mëdhenj, mund të ndërtojmë një shoqëri më të mirë, me diversitet, në të cilën secili ka mundësinë të tregohet dhe të jetojë jetën me kapacitet të plotë”.
Të pranishmit në ceremoninë e hapjes i kanë përshëndetur edhe nënkryetari i Komunës së Ulqinit, Beqir Sellaj, dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Astrit Hoxha.
Pjesëmarrës në Lojërat Olimpike kanë qenë fëmijët e qendrave ditore nga komunat e ndryshme të Malit të Zi, pastaj nga Tirana e Shkodra etj., të cilët kanë zhvilluar gara të ndryshme në sallën sportive të shkollës fillore “Marshall Tito” dhe atë të shkollës së mesme të kombinuar “Vëllazërim-Bashkim”, ku në plan të parë nuk kanë qenë rezultatet dhe çmimet, por shoqërimi i fëmijëve.
i. k.