Në Ostros, gjatë fundjavës (më 15 dhe 16 nëntor 2025) u mbajt manifestimi tradicional “Festa e Gështenjave”, një festë dyditore që edhe këtë vit mblodhi mijëra vizitorë nga Kraja, Tivari, Ulqini, Podgorica, Malësia, Shqipëria dhe Kosova. Atmosfera ishte e mbushur me gjallëri, aromë gështenjash të pjekura dhe krenari për traditën e pasur të këtij rajoni të veçantë buzë liqenit të Shkodrës
Dita e parë e manifestimit
Që në orët e para të së shtunës, Ostrosi i ngjante një panoje të gjallë plot ngjyra e tinguj. Nën organizimin e Bashkësisë Lokale – Ostros, me mbështetjen e Komunës së Tivarit dhe Organizatës Turistike të Tivarit, u hap edicioni i 17-të i këtij manifestimi.
Beqir Berjashi, kryetar i Bashkësisë Lokale Ostros, në fjalën e tij shprehu shpresën se vitin e ardhshëm do të hapet pikëkalimi kufitar Zogaj – Skje, të cilin ai e quajti “kthim historik dhe një dritare e re për Krajën”.
Ai shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen e madhe dhe theksoi se mbështetja e Komunës së Tivarit dhe e Organizatës Turistike të Tivarit është çelësi i suksesit të këtij manifestimi.
Manifestimin e hapi zyrtarisht nënkryetarja e Komunës së Tivarit, Mr. Tanja Spiçanoviq, e cila nënvizoi rëndësinë e multikulturalizmit dhe e quajti gështenjën “simbol të qëndrueshmërisë dhe identitetit tonë”.
Ajo rikujtoi se “Dita e Gështenjave” është pjesë e programit të festimeve të 24 Nëntorit – Ditës së Çlirimit të Tivarit, datë që këtë vit shënon 81 vjet nga çlirimi i qytetit.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Tivarit, Branisllav Neneziq, si dhe shumë figura të tjera të jetës publike dhe lokale.
Atmosferën festive e pasuroi me këngë Myzafer Koliqi, ndërsa një pjesë tepër emocionuese ishte paraqitja e fëmijëve të kopshtit nën drejtimin e edukatores Bana Muja. Po ashtu, publiku u magjeps nga talenti i të riut Arion Gjeçbritaj.
Në skenën e “Festës së Gështenjave” shkëlqyen edhe artistët nga Kosova – Leonora Jakupi dhe Asim Gashi, të cilët sollën një atmosferë të jashtëzakonshme me interpretimet e tyre plot energji dhe emocion. Me elegancën dhe zërin e saj karakteristik, Leonora i magjepsi të pranishmit duke sjellë këngë që u kënduan njëzëri nga publiku, ndërsa Asim Gashi ndezi skenën me stilin e tij të veçantë dhe ritmet që i dhanë festës një shpirt edhe më festiv. Të dy artistët u pritën me duartrokitje të gjata dhe krijuan një atmosferë të paharrueshme që e bëri këtë ditë edhe më të veçantë për të gjithë pjesëmarrësit.
Po ashtu u shpallën edhe fituesit e çmimeve në konkursin letrar dhe artistik (prozë, poezi dhe pikturë) kushtuar liqenit si element jetësor dhe trashëgimi natyrore e Krajës, ndërsa një vend të rëndësishëm zuri edhe ekspozita e punimeve artistike të nxënësve, të realizuara në kuadër të konkursit.
Krah gjithë kësaj feste qëndron krenar edhe fakti se ekosistemi i gështenjës në Krajë është më i madhi në Mal të Zi, me rreth 20 mijë rrënjë gështenjash.
Dita e dytë e manifestimit
Dita e dytë e festës solli edhe më shumë gjallëri dhe një mori ngjyrash tradicionale. Nëpër stendat e shumta, vizitorët gjenin gjithçka që e karakterizon këtë vend: produkte të freskëta dhe të përpunuara nga gështenja, vaj ulliri, mjaltë, djathë, hudhra, fiq të thatë e lëngje shtëpie, agrume të rritura buzë liqenit, krap, ëmbëlsira tradicionale dhe punime artizanale.
Duke kaluar nëpër stenda, duke shijuar gështenjat, bisedat me prodhuesit lokalë dhe tingujt e muzikës, vizitorët ndienin frymën e vërtetë të traditës së Krajës.
Pjesa muzikore e ditës së dytë u pasurua me mysafirë nga Shkodra: Adelina Correj, Laorjan Ejlli dhe Bjanka Çela, të cilët sollën ritme të ngrohta e plot emocion.
Edhe këtë ditë, një rol të veçantë patën më të vegjlit. Nxënësit e shkollës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” nga Ostrosi, të udhëhequr nga drejtori Sami Dodiq, kishin ngritur stendën e tyre. Ata vetë i mblodhën gështenjat nga oborri i shkollës, përgatitën ëmbëlsira dhe i shitën në manifestim. Fitimi u lihet nxënësve, të cilët vetë vendosin si t’i përdorin. Vitin e kaluar financuan ekskursionin dhe pritet që edhe këtë vit të marrin një vendim po aq të mençur.
Edicioni i këtij viti dëshmoi edhe një herë se “Festa e Gështenjave” nuk shërben vetëm si një panair produktesh. Ajo është një urë lidhëse mes njerëzve, një festë mirësie, tradite dhe natyre, një rast për t’u krenuar me pasurinë shpirtërore dhe kulturore të Krajës.
Manifestimi, siç theksuan organizatorët, ishte një mundësi për promovim të prodhimeve lokale, forcim të lidhjeve mes njerëzve dhe nxitje të zhvillimit rural. Ata paralajmëruan se programi i vitit të ardhshëm do të jetë edhe më i pasur, duke ruajtur thelbin më të çmuar të kësaj feste – traditën, mikpritjen dhe frymën e bashkësisë.
D. Teliqi
