Edicioni i dytë i manifestimit sjell bashkë bujqësinë dhe turizmin

Më 25 dhe 26 korrik 2025, në ambientin e Pazarit të Suvenirëve në zemër të Ulqinit, u mbajt edicioni i dytë i manifestimit “Shalqiri i Ulqinit”, i organizuar nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit. Ky aktivitet përfaqëson një vazhdimësi të suksesshme të lidhjes ndërmjet turizmit dhe bujqësisë vendase, duke promovuar një nga produktet më të njohura të kësaj zone – shalqirin ulqinak.
Pas suksesit të edicionit të parë, të mbajtur në vitin 2024 në zonën e Shtojit, ky edicion i dytë u zhvendos në një ambient më qendror dhe të frekuentuar, duke i dhënë edhe më shumë peshë qëllimit kryesor të manifestimit – përkrahjes së prodhuesve vendorë dhe ringjalljes së traditës së hershme të kultivimit të shalqirit në Ulqin.
Në hapje të manifestimit folën figura të rëndësishme të jetës institucionale dhe publike të qytetit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, theksoi rëndësinë e krijimit të urave lidhëse mes bujqësisë dhe turizmit.
Ai nënvizoi se ngjarje të tilla janë mënyra më e mirë për ta bërë këtë lidhje funksionale dhe të qëndrueshme.
“Prodhuesit tanë duhet të lidhen me tregun – dhe kjo festë është ura që na lidh me të ardhmen”, deklaroi ai.
Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, theksoi që manifestimi jo vetëm që e promovon shalqirin si një produkt autokton, por gjithashtu kontribuon në pasurimin e ofertës turistike të qytetit.
Ai theksoi se turizmi dhe bujqësia mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike dhe të përfitojnë reciprokisht kur promovohen në mënyrën e duhur.
Ndërsa Arta Muçaj, sekretare e Sekretariatit për Bujqësi në Komunën e Ulqinit, theksoi rëndësinë që ka kjo nismë për fermerët lokalë dhe për ringjalljen e kulturave tradicionale bujqësore.
“Ulqini gjithmonë ka qenë një vend ku shalqiri kultivohej me dashuri dhe kujdes, dhe sot po e rikthejmë atë krenari”, u shpreh ajo.
Pazari i Suvenirëve, si hapësirë e rizgjuar për promovimin e vlerave tradicionale dhe produkteve artizanale, ofroi një skenë ideale për këtë manifestim. Vizitorët patën mundësi të shijojnë shalqirin e freskët ulqinak, të njohur për shijen dhe cilësinë e tij të lartë, si dhe të njihen me prodhuesit që qëndrojnë pas këtij produkti të mrekullueshëm.
Përveç shijimit dhe ekspozitave të produkteve vendore, manifestimi përfshiu edhe elemente kulturore dhe argëtuese, duke krijuar një atmosferë festive që afroi banorët, turistët dhe vizitorët e shumtë në një ngjarje që tashmë synon të bëhet pjesë e pandashme e kalendarit veror të Ulqinit.
Kjo ngjarje është dëshmi se Ulqini jo vetëm që i ruan traditat, por edhe di si t’i ripërtërijë ato në përputhje me kohën dhe nevojat moderne.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat