93 gra kërkuan ndihmë brenda një viti

Gjatë periudhës njëvjeçare sa ka zgjatur projekti, 93 gra kërkuan ndihmë pranë SOS Telefonit, ndërsa u regjistruan rreth 480 thirrje - shifra që flasin jo vetëm për përmasat e fenomenit, por edhe për rritjen e besimit ndaj mekanizmave mbështetës

Të mërkurën e kaluar (18 shkurt 2026) në Ulqin është mbajtur tryeza e rrumbullakët me temë “Mbrojtje dhe mbështetje efektive për viktimat”, e organizuar nga SOS Telefoni për Gra dhe Fëmijë Viktima të Dhunës – Ulqin, në kuadër të projektit “Në të drejta jemi të barabarta”, që njëherësh shënoi edhe përmbylljen e kësaj nisme 12-mujore.
Tryeza mblodhi përfaqësues institucionesh, aktiviste dhe profesionistë të fushës së mbrojtjes sociale, me synim prezantimin e rezultateve konkrete dhe hartimin e rekomandimeve për përmirësimin e politikave lokale në mbrojtje të grave, në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe Konventës së Stambollit.
Gjatë kësaj periudhe njëvjeçare, 93 gra kërkuan ndihmë pranë SOS Telefonit, ndërsa u regjistruan rreth 480 thirrje – shifra që flasin jo vetëm për përmasat e fenomenit, por edhe për rritjen e besimit ndaj mekanizmave mbështetës.
Drejtoresha e SOS Telefonit Ulqin, Hatixhe Nelaj, theksoi se qëllimi i tryezës ishte jo vetëm prezantimi i rezultateve, por edhe reflektimi mbi sfidat që vazhdojnë të mbeten të pranishme, veçanërisht në zonat rurale.
“Komuna e Ulqinit ka 38 fshatra, disa prej të cilëve janë rreth 20 kilometra larg qendrës së qytetit dhe pikërisht shumica e këtyre grave nuk janë të informuara për të drejtat e tyre. Nuk i dinë gjërat elementare, kështu që shumica e tyre mbesin me vite të tëra të rrethuara në ambientet të cilat janë plot dhunë. Për të dalë nga këto situata, ne, në kuadër të këtij projekti kemi pasur edhe shërbimin e personit të besueshëm, që do të thotë se gratë të cilat janë paraqitur pranë SOS Telefonit janë shoqëruar nëpër institucione të ndryshme gjatë procedurave institucionale”, ka thënë ajo.
Nelaj nënvizoi se mungesa e transportit dhe varësia ekonomike janë ndër faktorët kryesorë që i mbajnë gratë të mbyllura në ciklin e dhunës.
Sipas saj, projekti ka synuar pikërisht thyerjen e këtij izolimi përmes informimit në terren, fuqizimit përmes edukimit dhe ofrimit të mbështetjes direkte gjatë proceseve institucionale.
Në kuadër të projektit janë realizuar 10 punëtori edukative me nga 15 gra nga zona të ndryshme të komunës, janë mbajtur takime multisektoriale me përfaqësues institucionesh, është zhvilluar një fushatë mediatike ndërgjegjësuese dhe janë shpërndarë materiale informuese dhe edukative me qëllim rritjen e vetëdijes mbi të drejtat dhe mekanizmat e mbrojtjes.
Nelaj bëri thirrje për denoncimin e dhunës, duke theksuar rëndësinë e çdo telefonate si akt guximi dhe vetëdijesimi.
Ajo shtoi se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por përgjegjësi institucionale dhe shoqërore, duke theksuar nevojën për reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha hallkat e sistemit.
Projekti “Në të drejta jemi të barabarta” është mbështetur nga Ministria e Mirëqenies Sociale, Kujdesit për Familjen dhe Demografisë, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.
Në panelin e diskutimit morën pjesë edhe përfaqësuese të institucioneve dhe organizatave partnere, të cilat theksuan se koordinimi ndërmjet institucioneve mbetet thelbësor për mbrojtjen efektive të grave dhe fëmijëve viktima të dhunës. U nënvizua se reagimi i shpejtë, qasja e ndjeshme gjinore dhe mbështetja e vazhdueshme psikologjike dhe ligjore janë elemente kyçe për rikthimin e besimit të viktimave në sistem.
Në përmbyllje të tryezës u dërgua një mesazh i qartë: Ulqini duhet të mbetet një hapësirë me zero tolerancë ndaj dhunës. Barazia nuk është privilegj – është e drejtë themelore. Përmes përpjekjeve të përbashkëta të shoqërisë civile, institucioneve dhe qytetarëve, synohet ndërtimi i një mjedisi ku çdo grua dhe fëmijë të ndihet i sigurt, i dëgjuar dhe i mbrojtur.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat