13 vite ekzistencë – 13 vite eksperiencë

“Fillimet nuk ishin aspak të lehta. Mund ta përshkruaj si një letër të bardhë, ku vit pas viti shkruam çdo arritje. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të gëzosh këta fëmijë, të luftosh për ta dhe të jesh për ta çdoherë e gatshme. Ndjesitë e këtyre fëmijëve tregojnë shumë, por ajo çfarë më shqetëson është se sa i kuptojnë të tjerët ndjesitë e tyre”, ka thënë drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena”, Salije Meqikukiq

Në një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale, Qendra Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Sirena” shënoi 13-vjetorin e themelimit të saj. Një rrugëtim i gjatë, i mbushur me sfida dhe përpjekje, por mbi të gjitha me dashuri, përkushtim dhe humanizëm të thellë. Për të nderuar këtë ditë të veçantë, stafi i qendrës organizoi një program simbolik të dedikuar prindërve – heronjve të heshtur, të cilët me besimin dhe përkushtimin e tyre janë bërë themeli i kësaj qendre.
Ceremonia nisi me një video të shkurtër, e cila përmblidhte kujtimet më të bukura të këtyre 13 viteve. Pamjet nga aktivitetet e përditshme, sfidat, të qeshurat dhe lotët, përpjekjet e palodhshme të stafit dhe dashuria e pakushtëzuar e fëmijëve, krijuan një mozaik prekës që dëshmon për rrugëtimin e paharrueshëm të “Sirena”-s. Më pas, vetë fëmijët e Qendrës dhanë një program artistik me recitime, këngë dhe valle, duke treguar me zemër gjithë talentin dhe përparimin e tyre.

Ceremonia nisi me një video të shkurtër, e cila përmblidhte kujtimet më të bukura të këtyre 13 viteve. Pamjet nga aktivitetet e përditshme, sfidat, të qeshurat dhe lotët, përpjekjet e palodhshme të stafit dhe dashuria e pakushtëzuar e fëmijëve, krijuan një mozaik prekës që dëshmon për rrugëtimin e paharrueshëm të “Sirena”-s. Më pas, vetë fëmijët e Qendrës dhanë një program artistik me recitime, këngë dhe valle, duke treguar me zemër gjithë talentin dhe përparimin e tyre


Drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena”, Salije Meqikukiq, ndau emocionet dhe reflektimet e saj mbi këto 13 vite përkushtimi ndaj fëmijëve dhe prindërve të tyre.
“Kur thua 13 vite, ndoshta në paraqitje duken pak, por për Qendrën tonë janë shumë, pasi që kemi përjetuar shumëçka. Gjatë këtyre viteve kemi përjetuar lumturi, sfida të ndryshme, ballafaqime, gjëra të reja ndoshta të panjohura për ne, por nga të gjitha këto në fund ia kemi arritur dhe për këtë ia vlen që t’i rikujtojmë. Për këtë arsye sot Qendra Ditore ‘Sirena’ shënon në mënyrë simbolike me një program të shkurtër, pikërisht të përgatitur nga fëmijët e Qendrës sonë dhe të ftuarit që janë prindërit e tyre”, ka thënë ajo.
Meqikukiq ka përkujtuar fillimet e punës së Qendrës Ditore “Sirena” që, sipas saj, nuk ishin aspak të lehta.
“Mund ta përshkruaj si një letër të bardhë, ku vit pas viti shkruam çdo arritje. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të gëzosh këta fëmijë, të luftosh për ta dhe të jesh për ta çdoherë e gatshme. Ndjesitë e këtyre fëmijëve tregojnë shumë, por ajo çfarë më shqetëson është se sa i kuptojnë të tjerët ndjesitë e tyre”, ka thënë drejtoresha e Qendrës Ditore “Sirena”.
Ajo ka treguar se për momentin, numri i fëmijëve në këtë qendër është 25.
“Në veçanti, prindërve u kushtojmë një rëndësi të veçantë, sepse janë ata të cilët luftojnë çdo ditë të jetës së tyre. Mund të them se gjatë viteve të punës dhe gjithë kësaj eksperience, ne kemi kuptuar që heronjtë janë ata që luftojnë luftëra të heshtura dhe qëndrojnë në prezencën e tyre gjithmonë të fortë – këta janë prindërit e fëmijëve të qendrës sonë, të cilëve u uroj më të mirat për ta dhe fëmijët”, ka theksuar drejtoresha Meqikukiq.

“Sirena” nuk është vetëm një qendër ditore. Ajo është një familje, një vend ku dashuria dhe mirëkuptimi janë themelet e çdo dite. Është një hapësirë ku fëmijët ndihen të pranuar, të përkrahur dhe të dashur, dhe ku prindërit nuk janë vetëm në rrugëtimin e tyre, por kanë pranë njerëz që i kuptojnë, i dëgjojnë dhe i mbështesin


Këto fjalë nga drejtoresha, të mbushura me ndjenja të sinqerta dhe të thella, reflektojnë përkushtimin e pamasë të një ekipi që punon çdo ditë me zemër për t’i bërë ditët më të lehta dhe më të bukura për këta fëmijë të veçantë.
“Sirena” nuk është vetëm një qendër ditore. Ajo është një familje, një vend ku dashuria dhe mirëkuptimi janë themelet e çdo dite. Është një hapësirë ku fëmijët ndihen të pranuar, të përkrahur dhe të dashur, dhe ku prindërit nuk janë vetëm në rrugëtimin e tyre, por kanë pranë njerëz që i kuptojnë, i dëgjojnë dhe i mbështesin.
Me 13 vite pas vetes, “Sirena” është tashmë një histori suksesi, një model inspirues dhe një dëshmi e fuqisë së përkushtimit njerëzor. Dhe ky përvjetor nuk është thjesht një përkujtim i së kaluarës, por një premtim për të ardhmen – se përkushtimi, dashuria dhe puna me zemër do të vazhdojnë të ndriçojnë rrugën e këtyre fëmijëve të jashtëzakonshëm.D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat