Skulptura kushtuar prijësve shqiptarë dhe paraardhësve ilirë

Tuz – Në prani të një numri të vogël të publikut, të hënën mbrëma më 6 dhjetor 2021, në QKI “Malësia”, u shfaq ekspozita e skulpturave me elemente kombëtare dhe historike, e autorëve: Bujar Vani dhe Elvis Kabilo, skulptorë të njohur nga Shqipëria.
Fillimisht ka përshëndetur ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi, i cili tha se këta dy skulptorë, punimet e tyre ia kanë kushtuar prijësve shqiptarë dhe paraardhësve të tyre ilir.
“Brezi i ri, nipërit mbesat do t’ ju pyesin se kush janë këta, çfarë kanë bëra këta për kombin e tyre, si i kanë mbrojtur ata betejat, dhe ju natyrshëm do të informoheni mbi veprimtarinë e tyre, dhe pikërisht këtu lidhet arti dhe historia, dhe për këtë arsye kjo ekspozitë ka karakter edukativ për brezat e rinj”, u shpreh ndër të tjera ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi.
Në këtë ekspozitë të pranishmit i kanë përshëndetur edhe autorët e kësaj ekspozite, Bujar Vani dhe Elvis Kabilo, të cilët shprehën kënaqësi që erdhën edhe në Tuz, me këtë ekspozitë që siç u shprehën ata, është vijimësi e festës së flamurit e cila u kremtua në Ulqin.
Ata theksuan se këto skulptura janë një kontribut estetiko-artistik, mbi pasqyrimin e veprimtarisë së ndritur që kanë dhënë figurat e çmuara të kombit shqiptar.
Ekspozitën në fjalë e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nikë Gjeloshaj, i cili tha se nëntori është përherë muaji që kujton shqiptarët për sakrificë, por edhe në krenari.
“Përkujtojmë, Gjergj Kastriotin, Ismail Qemalin. Përkujtojmë flamurin tonë kombëtar dhe atë që i parapriu 28 nëntorit, ngritjen e flamurit në Bratilë dhe Dedë Gjon Lulin tonë, duke vazhduar me legjendarin Adem Jashari, me të cilët ne si popull krenohemi. Sonte këtu kemi mundësinë që të njihemi nga afër edhe me ata që nuk i kemi njohur”, u shpreh ndër të tjera Gjeloshaj.
Skulptorët, Bujar Vani dhe Elvis Kabilo janë emra të njohur të skulpturës shqiptare të cilët për kontributin e tyre në pasqyrimin e personaliteteve historike shqiptare, janë nderuar me çmime të ndryshme nga institucione muzeale, organizata dhe bashki.
Kjo është hera e parë që ekspozita e skulpturave me elemente kombëtare dhe historike prezantohet në Tuz, ndërsa u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit.
Ekspozita në fjalë është shpalosur më 28 nëntor, në qytetin e Ulqinit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat