Tuz – Në sallën e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”, në prani të një numri të madh të publikut, të mërkurën në mbrëmje (15 shkurt 2023), u shfaq monoframa “Lahuta e Malcis” e At Gjergj Fishtës, interpretuar me shumë profesionalizëm nga aktori i njohur i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Armend Baloku.
Kjo monodramë e cila zgjati pak më shumë se një orë, zgjoi vëmendjen e audiencës dhe u ndoq me shumë interes.
Në konspektin e kësaj monodrame, theksohet se “Lahuta e Malcis” është sinonim i ndeshjes së madhe në mes jetës dhe vdekjes, në mes shqiptarëve dhe pushtuesve të huaj, e njëkohësisht është teatri i luftërave shekullore për liri e pavarësi në poemën e gjatë prej 16 mijë e 838 vargjesh, në një hapësirë kohore 35-vjeçare.
“Koncepti i shfaqjes së monodramës është bazuar në idenë që aktori të shfaqet për të interpretuar para trupit gjyqësor, e që në këtë rast është vetë publiku. Narratori (aktori) është njëkohësisht edhe protagonisti kryesor i ngjarjeve për të cilat flet “Lahuta e Malcis”. Personazhi kryesor i shfaqjes është narratori, ai i cili i tregon ngjarjen dhe flet mbi personalitetet e ndryshme që i përmend vepra”.
Kjo është hera e parë që monodrama “Lahuta e Malcis” u shfaq në Tuz, ndërsa u organizua nga Qendra Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz.
t. u.
