Simpatia e dukshme e Nachtigalit ndaj gjuhës shqipe dhe shqiptarëve

Ekzistojnë tentativa që t’i mohohet autorësia ekskluzive e Die Frage… prof. Nachtigallit, duke ia shtuar Don Ndre Mjedën si bashkautor. Këtë tenton ta argumentojë, studiuesi i spikatur, mjedologu më i madh, profesori Mentor Quku. Argumentimi i tij për bashkautorësinë bazohet në bashkëveprimin e të dy studiuesve në ekspeditën studimore dhe aktin e përkthimit të Promemories në gjuhën shqipe nga Don Ndre Mjeda

Nikollë Berishaj

Sa i përket bashkëveprimit, përpos Mjedës aty merr pjesë edhe prof. dr. Gjergj Pekmezi, por edhe Aleksandër Xhuvani. Siç e pamë edhe nga artikulli i dr. Ramovshit, Promemorja është vetëm njëra pjesë e librit, padyshim e bazuar në veprimtarinë shkencore të ekipit, përkthimin në shqip të së cilës e bëri Don Ndre Mjeda. (Ky version, sipas M. Qukut, nuk është zbuluar ende. Nachtigali ndërkohë ishte kthyer në Graz!)
Gjithashtu, në mbledhjen e KLSH të datës 23. 01. 1918 vendoset që “përkthimi i promemories së Z. Dr. Nachtigalit, (theksimi im, N.B.) tue qenë se shumica e misvet (anëtarëve, vër. N.B.) janë të mendimit se nuk del nji fitim prej saj, mbasi s’asht vepër origjinale por përkthim, prandaj lihet me nji anë.”1
Vetë fakti se as pjesëmarrësit e tjerë të ekspeditës nuk shënohen si bashkautorë dhe bazuar në vendimin e sipërshënuar nga mbledhja e KLSH e 23. 01. 1918, ku padyshim merr pjesë edhe Mjeda, jam i mendimit se bashkautorësia e tekstit Die Frage… nuk mund të mbrohet.
Pavarësisht vendimit të Komisisë Letrare, argumenteve të fuqishme të shumicës së anëtarëve të saj, me në krye pjesëmarrësit e Ekspeditës, në punën e KLSH ka edhe divergjenca të mëdha, para së gjithash këtu mund t’i marrim kundërshtimet e Maksimilian Lambretzit, që ishte këmbëngulës që e folmja e Shkodrës të bëhet themel për gjuhën e përbashkët letrare shqipe, me pretekst se elbasanishtja nuk kishte traditë letrare, e Shkodra po, vendimi përfundimtar nuk u mor. Kjo edhe falë rrethanave historike pas Luftës së Parë Botërore. Lidhur me shkodranishten “Nachtigali tërheq vërejtjen për gjendjen tipike periferike të kësaj të folmeje, ku reduksioni ka arritur vrullin më të madh dhe për këtë nuk do të ishte e përshtatshme t’u imponohet shqiptarëve të tjerë kjo formë e gjuhës letrare” 2
Nachtigali e përdor thënien e njohur shqipja e Elbasanit e turçja e Stambollit, mirëpo alfabetet e ndryshme shpesh e kanë mjegulluar pamjen unike të gjuhës. Propozon edhe themelimin e Bletës shqiptare, apo Arkivit për gjuhën dhe kulturën shqiptare, që do të publikonte në vazhdimësi artikuj shkencorë dhe gjuhësorë, material folklorik, si dhe pasurinë gjuhësore shqiptare.
Mirëpo, edhe përkundër kësaj, (shkatërrimit të Perandorisë AH …) interesimi i prof. dr. Rajko Nachtigalit për çështjet e gjuhës së njësuar letrare shqipe nuk përfunduan. I shtyrë nga kundërshtimet e Lambretzit dhe qëndrimi i po të njëjtit mbi mungesën e traditës së të shkruarit shqip në Elbasan, ai në revistën e udhëhequr nga prof. Henrik Barić3 , që botohet në Beograd i boton dy studime tejet të rëndësishme4 :
1. O elbasanskem pismu in pismenstvu na njem (1923); dhe
2. Luk. XV 11–32 v prevodu bratov Anastasija in Spyridona Tsellio (Tsel’o) iz Argyrokastra. Iz Kopitarjeve zapuščine (ibid. II, 1924).
Lidhur me punimin e parë, pra lidhur me alfabetin e Elbasanit, studenti i tij Franc Jakopin, përndryshe ndër linguistët më të njohur sllovenë të pjesës së dytë të shekullit 20 shkruan në artikullin e tij: Albanološke študije Rajka Nahtigala5 , dhe mes tjerash thotë:
“Nuk mund ta anashkalojmë konstatimin se nga i tërë shqyrtimi buron simpatia e dukshme e Nachtigalit ndaj gjuhës shqipe dhe shqiptarëve; ai sinqerisht dëshiron që ata të ngrihen sa më shpejt në aspektin kulturor dhe arsimor, e për këtë është parakusht – gjuha e përbashkët letrare.”6
Pra, gjashtë vjet pas Die frage… Nachtigali i qaset edhe një herë problematikës së albanologjisë. Në studimin e tij Mbi alfabetin e Elbasanit… ai e jep fillimisht historikun e zbulimit të atij alfabeti, për të cilin kishte folur në mënyrë mjaft sensacionale albanologu dhe vicekonsulli austriak në Janinë, J. G. Hahn. Hahni që me veprën e tij madhore “Albanesische Studien”, 1854, (Studime shqiptare), në tri vëllime njihet si themelues i studimeve mbi shqiptarët. Pavarësisht këtyre epiteteve, Hahni në ligjëratat e veta dhe në shtyp e vlerëson gabimisht alfabetin e Elbasanit si alfabet të burimit fenikas, që është edhe më i vjetër se alfabeti i greqishtes së vjetër.
Edhe në fillim të shekullit, diku rreth vitit 1900 kur Gjergj Pekmezi solli në Vjenë të dhënat e para mbi alfabetin në fjalë, miku i tij i ngushtë, Rajko Nachtigalli ishte i mendimit se vjetërsia e këtij alfabeti nuk mund të jetë më e madhe se dy shekuj. Me një argumentim shkencor e me përpikëri të madhe, Nachtigali e hedh tezën se autori i alfabetit është dhaskal-i (mësuesi, shë.N.B.) Todhëri, elbasanasi që i kishte marrë mësimet në Moshopol (ashtu e quan fillimisht Voskopojën, shën. N.B.). Edhe Hahni e kishte lidhur këtë alfabet me Voskopojën dhe me Todhërin, por nuk e mendonte të kishte buruar pikërisht aty. Me këtë alfabet ishte marrë edhe paleografi zagrebas Geitler (Die albanesischen und slavischen Schriften, 1883), mirëpo teza e Nachtigalit se autori i këtij alfabeti ishte dhaskal Todhëri u pranua nga shkenca si i vërtetë. Ndihmë për argumentimin e autorësisë së alfabetit Nachtigalit i sjellin edhe shënimet e Dositej Obradoviqit, që i kishte kaluar disa vjet nëpër shkollat shqipe dhe greke të kohës dhe që e kishte njoftuar në Veneci mësuesin voskopojar Todhërin.
“Edhe përkundër dyshimeve të arsyeshme personale, Hahni është përcaktuar për një vjetërsi të madhe të alfabetit të Elbasanit, duke e parë në të motrën më të vjetër të alfabetit fenikas, apo motrën e alfabetit paragrek (shih fq. 863). Në faqen 853 ai e krahason alfabetin e Elbasanit me alfabetin fenikas dhe paragrek dhe vjen deri te përfundimi se: 1. alfabeti i Elbasanit si edhe ai grek, buron nga alfabeti i fenikasve dhe 2. alfabeti i Elbasanit në shumë forma më shumë bazohet në prototip se në alfabetin grek”.

 

1 AQSH, regjistri i procesverbaleve të KLSH, mbl. dt. 23.1.1918, cituar sipas M.Çuku, Mjeda 4, fq245
2 Shih: Franc Jakopin, Albanološke študije Rajka Nahtigala, Jezik in slovstvo Letnik XXIII številka 3-4 Ljubljana, december-januar 1977/78, fq 65-71
3 Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Beograd 1923-1924
4 Të dy punimet e prof. dr. Rajko Nachtigalit i kam përkthyer në shkurt-mars të këtij viti (2015) në shqip me kërkesën e Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë. I pari mban titullin Mbi alfabetin e Elbasanit dhe letërshkrimin në të, ndërsa i dyti Luka XV 11-32 në përkthimin e vëllezërve Anastas dhe Spyridon Tsellio (Tsel’o) nga Argyrocastra
(Nga punishtja e Kopitarit). Sipas informative të mia, përkthimi deri më tani nuk është botuar.
5 Franc Jakopin, Albanološke študije Rajka Nahtigala…
6 ibidem

Të fundit

më të lexuarat