Siguria e Ballkanit pa NATO-n, shumë më e brishtë

Ai ka nënvizuar se siguria e Ballkanit do të ishte shumë më e brishtë dhe pikëpyetjet rreth së ardhmes së sigurisë shumë më të mëdha pa një Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kroaci në NATO. Përkundër sigurisë që ofron NATO-ja për shkak se anëtare të saj tashmë janë pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit, Çejku ka thënë se megjithatë kemi një boshllëk sa i përket sigurisë së rajonit, një problem, që është Kosova

Ulqin – “Sot mund të flitet për një periudhë para luftës në Ukrainë dhe besoj do të flitet edhe për pas luftës në Ukrainë. Jemi ndërmjet dhe ky është ndoshta pozicioni më i vështirë edhe për një diplomat apo për këdo tjetër që të japë disa konkluzione apo të arrijë në disa përfundime”, ka thënë ish-ambasadori i Shqipërisë, Arben Çejku, në bisedën e hapur me temë “Stabiliteti i brishtë në rajon dhe ndikimi në interesat e shqiptarëve”, që është zhvilluar të shtunën mbrëma në Librarinë “Ulqini”.
Në bashkëbisedim me auditorin, ai është përqendruar në sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve ku jetojnë shqiptarët, në prizmin e luftës në Ukrainë, duke thënë se “ajo që i kushtojmë rëndësi të gjithë është pyetja: po me rajonin e Ballkanit çfarë do të bëhet?”
Çejku ka thënë se “ne kemi investuar shumë si kombe, si popuj, si shtete për të krijuar harmoni, një marrëdhënie fqinjësore shumë të mirë, një Ballkan Perëndimor në paqe, në stabilitet, për të pasur një Ballkan Perëndimor të integruar në NATO, në Bashkimin Evropian, të jemi jo thjesht një familje ballkanike por një familje evropiane, duke ruajtur traditat tona”.
Duke folur për Malin e Zi, ai ka theksuar se shpallja e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006 ka qenë arritja më e madhe e këtij vendi.
Çejku ka vlerësuar rolin konstruktiv të Shqipërisë në pavarësinë e Malit të Zi.
“Kam qenë i nderuar që edhe në misionin e pozicionit që kisha në Kosovë, të bashkëpunoja me faktorin shqiptar në Mal të Zi, dhe në koordinim me ta, duke lënë anash disa kërkesa imediate siç ishte realizimi i Komunës së Tuzit si komunë e pavarur, të shikonim përtej kësaj se çfarë ishte interesi më madhor i vendit. Dhe në atë periudhë, interesi më madhor i vendit ishte pavarësia e Malit të Zi. Ai ishte një moment tepër i rëndësishëm dhe zhvillimet e mëvonshme kanë treguar që ai gur themeli ishte tepër i rëndësishëm”, është shprehur ai.
Sipas tij, hapi i dytë shumë i rëndësishtëm është anëtarësimi i Malit të Zi në NATO. Lidhur me këtë, Çejku ka thënë se të gjithë ata që ishin skeptikë më herët, “që e shikonin që Mali i Zi po futej në një rrugë që nuk është e natyrshme, apo në një familje që nuk është e sigurt, një familje që s’është e jona, pra familja në NATO, sot kur shohim se sa vuan Ukraina dhe kur shohim që NATO thotë: ‘një për të gjithë, të gjithë për një’, dhe e garanton me nenin 5 sigurinë e Malit të Zi, sigurinë e vetë anëtarëve, familja e NATO-s është e sigurt, çfarë ndodh?! Të gjithë qytetarët e Malit të Zi, edhe ata që ishin pro, edhe ata që ishin kundër, flejnë më të qetë”.
Ish-ambasadori i Shqipërisë ka thënë se duke qenë se jemi në Evropë, duhet t’i përkrahim të gjitha agjendat që janë në favor të popujve të Evropës.
“Mjaft kemi vuajtur nga izolimet. Ne duhet të jemi pjesë e kësaj familjeje”, ka thënë ai.
Çejku ka thënë se nuk don të flasë me gjuhën e një diplomati zyrtar dhe me gjuhën e një retorike mediatike, por të ndajë mendimet dhe konceptin e tij për rajonin.
Pavarësisht marrëdhënieve të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, ai ka thënë se përtej retorikës diplomatike të politikanëve, “ka nevojë për të zbritur në tokë dhe të kemi një komunikim dhe një bashkëpunim më praktik, siç është kjo librari, për shembull, ose edhe forma të tjera të bashkëpunimit”.
Ish-ambasadori Çejku ka nënvizuar se siguria e Ballkanit do të ishte shumë më e brishtë dhe pikëpyetjet rreth së ardhmes së sigurisë shumë më të mëdha pa një Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Kroaci në NATO.
“Në fund të fundit, koha tregon që pa një siguri, pa një qëndrueshmëri, pa një stabilitet nuk mund të ketë edhe një zhvillim. Edhe ekonomia nuk mund të shkojë, sepse ne po e shohim se çfarë ndodh sot, edhe në Ukrainë, edhe në Rusi, ku shumica e kompanive më të mëdha po tërhiqen nga ai rajon, nga ato vende. Dhe edhe biznesi, edhe ekonomia shkojnë paralel me sigurinë”, ka thënë ai.
Përkundër sigurisë që ofron NATO-ja për shkak se anëtare të saj tashmë janë pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit, Çejku ka thënë se megjithatë kemi një boshllëk sa i përket sigurisë së rajonit, një problem, që është Kosova.
“Kosova e ka NATO-n brenda, e ka sigurinë brenda, por nga ana tjetër duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, me të drejta të plota, duke mos pasur mundësi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, duke mos pasur mundësi të anëtarësohet në NATO, mbetet dhe gjithmonë listohet në listën e atyre vendeve problematike edhe sa i përket çështjes së sigurisë”, ka thënë ai, duke shtuar se i vjen keq që Kosova barazohet shpeshherë me Bosnjë dhe Hercegovinën, që sipas tij ka një problem shumë të madh për shkak të Republika Srpskas, e cila përpiqet të shkëputet nga ajo.
“Shkëputja de facto e saj në një moment të caktuar do të krijonte një precedent dhe një problem shumë të madh për të gjithë rajonin e Ballkanit. Sepse ju e dini që filozofia e Putinit ka qenë që të luajë me konfliktet e ngrira… Pra, janë disa rajone që nga të ngrira i ka kthyer në të zjarrta”, ka thënë ai.
Duke folur për Kosovën, ish-ambasadori Çejku ka thënë se “me gjithë progresin që është bërë në Kosovë, Kosova nuk e ka shtrirë mjaftueshëm sovranitetin e vet në veriun e saj dhe kjo ka ardhur edhe për shkak se pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur Kosovën”.
Sipas tij, momenti në të cilin ndodhemi si pasojë e luftës në Ukrainë është momenti më i mirë që përmes njohjes së Kosovës nga pesë shtetet e BE-së që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, BE t’i dërgojë një mesazh të qartë Putinit se rajoni i Ballkanit Perëndimor i përket Evropës.
Arben Çejku ka qenë shef i Misionit të Shqipërisë në Kosovë në vitet 2005-2009 dhe ambasador i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2009-2013. Është njëri ndër themeluesit e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, ndërsa aktualisht drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë. Më herët ka punuar gazetar në disa media shqiptare. Ai është autor i vëllimit poetik “Floknaja e muzgut” (1996) dhe romanit “Dymbëdhjetë” (2013). Në vitin 2000 ka botuar librin mbi transicionin në Shqipëri, me titull “Demokracia e imponuar”, kurse së fundmi librin “Sovraniteti versus integriteti”, një historik i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat