Hilmi Nimanbegu: “Deti – bukë e ëmbël”
Portretin e babait të vet të ndjerë, Hilmiut, na e përshkroi, i biri i dytë – zotëri Agim Nimanbegu (40), kamerier.
- Babai im ka filluar që në moshën 12-vjeçare të lundrojë. Ka filluar në anijen e babait të vet. Gjyshi im (Nimani II) ka pasur anijen dhe, Hilmiun, si djalin e parë, më i madhi, e ka marrë në barkë. Mbas shumë kohe që e kaloi në det, vendosi që të vinte në Ulqin. Në Ulqin fitoi punë tjetër, si peshkatar. Mirëpo, pas një kohe u mërzit. Shkoi në Split dhe atje u punësua në ndërmarrjen detare. Hilmiu lundroi nëpër dete deri në moshën 50-vjeçare.
Për fat të keq, u sëmur. U kthye në shtëpi, në Ulqin. Në shtëpi e ka pasur shtratin afër dritares. Që ta shikonte detin. Kur e çonim te mjeku, kërkonte ta ndalnin në Njalli. E prekte ujin me dorë dhe i thoshte detit: – Unë e di se ti je bukë e gjak, por je bukë e ëmbël!
Beto Kashoxha
Mbetëm pa flluga
- Baba u plak, flluga u vjetërua, siç kam kallëzuar, e shkatërroi, por edhe e vogla u kalb. Mbetëm pa flluga. S’kemi pasur më flluga.
Ikin të rinjtë
Ishte kohë e papunësisë së madhe në Ulqin. Të rinjtë ikshin klandestinë në Itali. Pastaj, nëpër llogore emigrantësh, në mënyra të ndryshme – për në Amerikë, Kanada, Australi. Betoja thotë: – Unë nuk ika në Itali, edhe pse më kanë pritë ke Krruçi njizet shokë. Ata e koptisën Adriatikun, dolën në Bari, Latina – Itali. Pastaj tretën nëpër botë.
I kënaqur me jetë - Jam rritë me zor, por jam i kënaqun nga jeta. Gjatë lundrimeve kena ra shumë herë në furtuna. Në Biskaj kapidani e ndërroi vijën për nja 100 mile dhe, na kapi se na kapi cikloni. Por shpëtuem, falë vaporit të madh.
Valla, s’kisha shku prapë në det. Isht punë e zorshme. Edhe djelmve ua kam prishë qefin, dëshirën, të mos dalin në det.
Adem Dema
Vendet – bota
- E bukur isht Kuba, Brazili, Ishujt Kanarine, Shangai. Por, vendi ma i bukur, e populli ma i butë, s’ka se isht Spanja! Mos me t’u ba me u kthye në vapor!
Pasardhësi - Tash s’ka ma gjeneratë teme.
Djali ka shku nja tre vjet në det, ai ka qenë edhe në Australi, par tesh jeton në Itali. S’ka ma punë, se janë zhgatrru vaporat, s’ka ma kompani të Tivarit.
Bahri Çaushi
Shkova në det
- Më 1962, mbas ushtrie, shkova në det. Gjendja ekonomike ishte e vështirë; isha i detyruem t’i siguroj vetes ekzistencën; e zgjodha detin, detarinë, si traditë e të parëve dhe ulqinakëve.
Shtetet, vendet që kam qenë e pa: India: Bombei, Kalkuta; Japoni: Tokio, Jokohama; Kanada: Halifaks, Beikano; Kuba: Havana, vetëm nji herë. Kam ba qejf gjithsekejt se, kur je i ri, e ke pare, ka qenë bukur gjithsekejt, sidomos në Gjermaninë Lindore, Algjeri, Maroko. Kështu kam lundrue 20 vjet.
Profecia e gabeles - Gabelja, në Ulqin, në oborr, para se gjeta punë, detar, lundrues, më qiti fall dhe më tha: “Do t’nisesh në një rrugë të gjatë, ke me qenë në rrezik të madh, ka më të ardhë shpirti me dalë, por ke më shpëtue, mandej ke me u shendu (gëzue) shumë. Për çudi, nolli ashtu siç e paratha. Pra, lundrova, qeshë tue u mbytë në oqean, por shpëtuem. Kur dolëm në tokë, e mora lajmin – isha ba me djalë.
- Pushova lundrimet shkaku i familjes: gruja, fëmijët, kur filluen të rriten, të shkojnë në shkollë.
Trupi këtu e shpirti në det. Par ma afër janë fëmijët se dëshiri.
Bahriu lundroi me vaporë sipëroqeanikë. Por Bahriu doli në pension. Kush do ta vazhdojë traditën detare familjare?
Detari i pensionuar, thotë: - Djelmët, tre, e duen detin, por ekzistenca i ka orientue në hotelieri edhe, për mue isht ma mirë, i kam afër vedit, të sigurt.
Hashim Dervishi
Është njëri ndër ata të rinjtë e Ulqinit të pasluftës, i cili, pasi e ka mbaruar tetëvjeçaren, është dashur të vendosë: nëse donte të shkollohej, duhej të merrte rrugën e gjatë të kurbetit, në Kosovë – ose të rrinte në Ulqin, pa punë. Ka mundur të zgjedhë: të bëhet peshkatar, detar, ndoshta “konobar” (kamerier). Hashimi e ka zgjedhur detin.
Më sigurt në tokë
Edhe tash, pas gjithë asaj kohe të kaluar, Hashimi, tash detar-peshkatar i moçëm, konkludon: – Ma mirë në tokë se në det.
E ka edhe këtë mendim: – Ulqinakët e kanë krijue “Kotorrin”, “Tivarin”, “Budven”, se vetëm ulqinakët kanë qenë të aftë si peshkatarë, detarë e si kapidana në Mal të Zi.
Hashimi ngutet të kthehet në “Kafen e peshkaxhive”, shokët e grupit e presin të luajnë domino, ai ikën.
Unë mbetem vetëm pranë tavolinës, të plotësoj shënimet. Shikoj tej-tehu: limanin, anijet e gastuara, detin e hapur, të kaltër, të qetë, qiellin e kthjellët.
A është Ulqini Parajsë?
Prandaj kthehen detarët, po!
Ulqini është liman i shpëtimit.
Zejnel Ismajlaga
Të moçmit
Jam prej shtëpisë detare, edhe babën e kam pasë detar (Hamit Ismajlaga), dhe gjyshi ka qenë detar (Mustafa Ismajlaga), edhe axha (Talip Ismajlaga) ka qenë detar, edhe vëllanë (Mustafa II – Cafo Ismajlaga) ka qenë detar. Më 1899 gjyshi dhe axha janë mbytë me barkë, me brikun tonë, janë humbë në Afrikë, vendin tamam s’e di; tue shkarkue trupa.
Briku “Oh, ç’qenka”
Barka e ka pasë emnin shqip -“Oh, ç’qenka”. Barka ka qenë 4-5-vagonash, me cereme (vela), brik, pa matarr. Briku ka pasë dy dyrekë. Dyreku i parë ka pasë cereme (4 vela), e në dyrek ka pasë nji rang (nji vel i madh) dhe dy zaravela (dhe m’i vizaton detari); edhe në mes të dy dyrekëve ka pasë zaravela, ndërsa në bash ka pasë nji harap e dy floqe.
Barkat janë dashuri e madhe. Janë pasuri. E malli është barabar me shpirtin, thonë. I kam pasur dy barka të mira, pronë imja.
Peshkaxhia
- Punë e zorshme, pa motor, por me rrema: Ulqin – Bunë – Shinjin. Masanej kanë dalë motorrat, ishtë lehtsue pak. Tesh gjuhet me peshkadore e rrjeta.
Tash detaria - Detaria – gjithmonë – e zorshme. Kurrë nuk vjen në shpi, 6-7 muj, nji vjet.
Detaria kurrë s’ishtë pague
I kam dy djelm. Në det – mazallah. Më kanë lutë në “Brodospas”, me ju dhanë denjinin djalë, por – jo. Kam uzdajë në Zotin se kush prej shtëpisë time nuk ka me e kapë detin ma.
Xhavid Vogliqi:
Pa det, pa barka
Një vocërrak nga ranishta e vëren se një barkë po i avitet bregut dhe se së shpejti do të ndalet në mol. Vogëlushi vrapon që ta presë pandullën dhe ta lidh pallamarin për kalu.
Ashtu bënte çdo ditë, sepse e donte fort detin dhe barkat. Tash, nja 50 vjet më vonë: një burrë i pjekur e shtyn karrocën me rrjeta. Shkon çdo mbrëmje dhe i lëshon kah Krruçi, që në mëngjes t’i nxjerrë, herë me peshk, e herë pa gjë. Ashtu bën se duhet të ekzistojë edhe detari.
Ai fëmijë, ky burrë është Xhavit Vogliqi. Si të gjithë detarët, edhe Xhaviti ka pasur taravajë jete. I kujtohet, kur i ka vdekur babai, ka qenë në vapor të La-Vallettës së Maltës. Nuk ka qenë në varrim të babës, por ka ardhur në Ulqin tek pas 5-6 muajsh, sepse ka lundruar për Kuba dhe kapiteni s’e ka lejuar ta lërë punën.
Më 1998 Xhaviti punësohet në hotelin “Galeb”. E lakmon punën në tokë, por pendohet që s’ka vazhduar lundrimet.
- Kush po e di se si po rrjedhin punët! – thotë i zhgënjyer.
Hoteli është mbyllur. Punë s’ka. Rrogë s’ka. Gjuan peshk. - Rri se po rrimë! “Passa tempo”! – thotë italiani. Kalo kohë, sot për nesër! Por, si të jetojë detari – pa det, pa barka?
(vijon)
