Shtysë për të vazhduar rrugën krijuese

“Ky çmim për mua do të thotë shumë dhe është rezultat e kurorë simbolike e periudhës së studimeve në Prishtinë dhe shtysë për t’u marrë me letrat shqipe, konkretisht me muzën e letërsisë, që është poezia”, shprehet ajo

Poetja e re nga Ulqini, Ardita Rexha, ka fituar çmimin e tretë në edicionin e tetë të Konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, i cili organizohet nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.
Ajo është vlerësuar me këtë çmim për poezinë “Petal i rënë”, në mesin e 151 poezive konkurruese, nga juria e përbërë nga profesoresha universitare dhe poetja Dije Demiri – Frangu dhe shkrimtarët Liridon Mulaj dhe Arjola Zadrima.
Për poeten nga Ulqini, kjo është hera e parë që merr pjesë në një konkurs poetik.
Ajo thotë se për të, konkurset janë të rëndësishme për të marrë pjesë dhe se nuk i sheh si gara për çmime.
“Ato janë më shumë një mundësi për ekspozim dhe dialog, sesa një gjykim përfundimtar mbi vlerën e një krijimi letrar”, shprehet Rexha.
Ndërsa për konkursin poetik ‘KultrStrofa’, ajo thotë se “është një prej garave më të rëndësishme të poezisë dhe një hapësirë që ofron mundësi për zëra të rinj. E një hapësirë e tillë është gjithmonë inkurajuese dhe shtysë për të vazhduar rrugën krijuese”.
Poetja e vlerëson çmimin, duke thënë se ai për të do të thotë shumë dhe “është rezultat e kurorë simbolike e periudhës së studimeve në Prishtinë dhe shtysë për t’u marrë me letrat shqipe, konkretisht me muzën e letërsisë, që është poezia”.
Në mbrëmjen finale të Konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, që është mbajtur më 15 dhjetor 2025, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, janë lexuar dhjetë poezitë finaliste të konkursit dhe janë ndarë tre çmimet fituese. Çmimi i parë i ka takuar poetes së afirmuar Rozafa Shpuza, ndërsa çmimi i dytë poetes Farida Ramadani, të dyja nga Shkodra.

i. k.

Petal i rënë

Në heshtje lind gjithçka. Edhe ne…
Si trëndafilat që çelin nga brishtësia e viteve,
me petale të vyshkura, ende të etura për dritë.
Ullishta ruan frymën tonë të parë, frymën që nuk u tret e u bë erë,
u bë kujtim në gjethet që kërcasin nën hanë.

Nëpër ullishta heshtin zogjtë,
dhe drita vegon nëpër gjethe si një lutje e lashtë.
Dikur kemi qenë aty… në netët e verës, me duar që kërkonin mollën e sherrit,
nën qiellin që s’na përkiste.

Pikëllimë!…
Çdo gjë kthehet në një frymë që nuk kërkon emër

trëndafilat vyshken e mbetet aroma nëpër kujtesën e erës.

Ballkonet janë të zbrazëta tani, si gjokset pas stuhisë së dashurisë.
Zëri yt rri pezull mbi hekurat e ndryshkur,
si një tingull që harron të shuhet.

Vjeshta, kjo murgeshë e qetë
mbart në pëllëmbët e saj dy mandarina të vogla…
Kujtime të rrumbullakta që ruajnë nxehtësinë e duarve të dikurshme,
kur ende ishim kohë.
Dhe unë i marr, i mbaj në grushta,
si të mbaja fëmijërinë apo vetë shpritin para se të ndahesha prej tij.
Asgjë tjetër s’është më e vërtetë. As dashuria, as koha!
Veçse një pikëllimë e përhershme
që na shndërron në pemë, në gurë, në erë.

Të fundit

më të lexuarat