Podgoricë – Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi organizoi të hënën mbrëma më 27 nëntor 2023, pritje zyrtare në Hotelin “Hilton” në Podgoricë, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë solemnitet, të pranishëm qenë personalitete të jetës politike dhe publike në vend si presidenti, Jakov Millatoviq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, deputetët Artan Çobi dhe Ilir Çapuni, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, diplomatë e ambasadorë të huaj. Në fjalën e rastit, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, znj. Zhaklina Peto tha se Republika e Shqipërisë e pozicionuar mes Jonit dhe Adriatikut, midis Serbisë dhe Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, ruan vlera të paçmuara në histori, kulturë, traditë. “Vlera që kulmojnë në kremtimin e Ditës së Pavarësisë dhe të Çlirimit, si dy nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Ngado që shkoj, atdheun e mbaj me vete si një të plagosur , thotë poeti nobelist grek, Jorgo Seferis. Dhe unë them, se shqiptarët këtu në Malin e Zi e kanë ruajtur në zemër atdhetarinë, ndërsa shqiptarët e mërguar nëpër botë, të gjithë së bashku mbeten të bashkuar rreth flamurit kuq e zi, kësaj fortese prej shkëmbi që siç i këndoi Fan Noli, nga Dita e Flamurit 28 Nëntori të Skënderbeut, përkuar bukur me 28 Nëntorin e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, së bashku me 29 Nëntorin Çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist, janë ditët e festimeve për të gjithë shqiptarët”, u shpreh znj. Peto. Ajo më tej shtoi se ky fakt na bën që të jemi më të përkushtuar, që ta gdhendim me realizëm imazhin e vërtetë të Shqipërisë nëpër botë. “Të bëhemi ne, piedestali mbi të cilin të ngrihet në lartësinë që i takon. Të jemi ne, ambasadorët e saj”, u shpreh Peto. Znj. ambasadore shtoi se, në këtë ditë, kujtojnë me nder dhe respekt gjithë çfarë është bërë për liri dhe pavarësi në të kaluarën, duke thënë se ne sot, jemi të privilegjuar që kemi mundësi të reflektojmë, të nderojmë dhe të kujtojmë ata që kanë kontribuar për lirinë tonë. “Këto ditë solemne për kombin shqiptar dhe për shqiptarët kudo në botë, janë një dëshmi e gjurmëve të pashlyera e frymëzuese në historinë tonë kombëtare. Nuk mund të ketë zhvillim të një kombi dhe të qytetarëve të tij pa iu përulur punës dhe nderimit të paraardhësit. Ndaj, e gjej me vend që t’i quaj këto data, jo vetëm një kujdes dhe një nderim për paraardhësit tanë”, u shpreh ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, znj. Zhaklina Peto. Këto ditë kremtimi, siç u shpreh ajo, na bëjnë të kthejmë kokën pas nga historia dhe të vlerësojmë me respekt kontributin e pararendësve tonë, të cilët dhanë gjithçka nga vetja që Shqipëria të mbetej kurdoherë pjesë e qytetërimit evropian e perëndimor. “Përkujtimi i këtyre ngjarjeve historike forcon lidhjet tona të identitetit tonë kombëtar, dhe na inkurajon të bëjmë gjithçka për bashkëpunimin dhe miqësinë midis popujve tonë”, u shpreh Peto. Duke folur për shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi, znj. ambasadore theksoi se ata janë integruar aq mirë, që me mundin dhe përkushtimin e tyre kanë arritur që të jenë pjesë e qeverisë qendrore dhe lokale. “Shqiptarët kanë bërë shumë në Malin e Zi. Ata janë një pjesë e historisë së Malit të Zi. Shqiptarët jo vetëm që kanë ndihmuar me kontributin e tyre për pavarësinë e Malit të Zi, por gjithashtu, ata janë pjesë e rëndësishme e politikë bërjes në Malin e Zi”, theksoi ambasadorja Zhaklina Peto. Ajo ka falënderuar të gjithë të pranishmit me rastin e pritjes zyrtare për nder të 111 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Ndërkaq, po të njëjtën ditë, me 27 nëntor në mbrëmje, Komuna e Tuzit në bashkëpunim me QKI “Malësia” dhe me SHKA “Koha” nga Dinosha, organizoi koncert festiv në Tuz ku morën pjesë, SHKA “Liria”, SHKA “Dedë Gjon Luli”, SHKA “Koha”, Ansambli i Këngëve dhe i Valleve “Trojet tona” dhe SHKA “Maja e Karafilit”.
t. u.
