Shprehje e botës së brendshme përmes formave

Ekspozita “Infinit forme” paraqet një rrëfim vizual të figurës së nënës, gruas, bijës dhe motrës, përmes përkëdheljeve, puthjeve dhe lojërave që pasqyrojnë dhe ruajnë momente të veçanta të marrëdhënieve njerëzore. Është një ftesë për të hyrë në një botë emocionesh dhe përjetimesh të thella, duke zbuluar lidhjen e ndërlikuar midis shpirtit, artit dhe materialit

Tuz – Në QKI “Malësia” të enjten mbrëma më 12 dhjetor 2024, u bë hapja e ekspozitës personale “Infinit forme” të skulptores nga Tirana, Teuta Nito.
Autorja e kësaj ekspozite u shpreh për të pranishmit se ajo përmes punimeve të saja skulpturore, shpreh botën e saj në formë.
“Është një bashkëbisedim me materialin dhe në fund të ditës, t’i shikon se aty ke shprehur çdo gjë personale. Është një skulpturë e realizuar nga mendimet, nga dëshirat për të shprehur më të mirën dhe unë më mirë sesa me formë, nuk di të shprehem me fjalë” tha Nito.
Skulptorja dhe autorja e kësaj ekspozite Teuta Nito tha se në këto punime ndodhet ajo, në çdolloj forme, pra si një situatë që shpreh gjithë atmosferën.

“Në këtë udhëtim artistik, ajo na zbulon mënyrën se si e përjeton gruan në rolet e saj të shumta: si nënë, bijë, motër dhe bashkëshorte. Të depërtosh në ndjenja përmes formës, të prekësh përsosmërinë dhe të arrish në thelbin e jetës dhe të qenies është një sfidë e madhe që artistja i ka vendosur vetes”, u shpreh Berishaj


“Hapësira që shikoni në çdolloj forme, është një hapësirë për të gjetur vetveten, për të mbrojtur vetveten, për të ruajtur personalitetin dhe identitetin si artiste” u shpreh, Nito.
Ndërkohë, drejtori i QKI “Malësia” Vasel Berishaj, duke e shpallur të hapur këtë ekspozitë shprehu kënaqësi të veçantë për mirëpritjen e artistes Teuta Nito, e cila, siç tha, përmes ekspozitës së saj na fton të hyjmë në botën e saj unike të artit.
“Në këtë udhëtim artistik, ajo na zbulon mënyrën se si e përjeton gruan në rolet e saj të shumta: si nënë, bijë, motër dhe bashkëshorte. Të depërtosh në ndjenja përmes formës, të prekësh përsosmërinë dhe të arrish në thelbin e jetës dhe të qenies është një sfidë e madhe që artistja i ka vendosur vetes”, u shpreh Berishaj.
Ai më tutje tha se Nito, përmes skulpturave, na fton të reflektojmë mbi këto ide dhe të zbulojmë brenda vetes kuptimin e formave që ajo ka krijuar.
Ekspozita “Infinit forme” paraqet një rrëfim vizual të figurës së nënës, gruas, bijës dhe motrës, përmes përkëdheljeve, puthjeve dhe lojërave që pasqyrojnë dhe ruajnë momente të veçanta të marrëdhënieve njerëzore. Është një ftesë për të hyrë në një botë emocionesh dhe përjetimesh të thella, duke zbuluar lidhjen e ndërlikuar midis shpirtit, artit dhe materialit.
Ekspozita në fjalë do të qëndroi e hapur deri më 20 dhjetor 2024, nga e hëna në të premte nga ora 09 deri në orën 15.
Skulptorja Teuta Nito, ka lindur në vitin 1978 në Shqipëri, ku përfundoi Akademinë e Arteve në Tiranë dhe u diplomua me master në skulpturë në Universitetin e Prishtinës. Ajo ka marrë gjithashtu shumë certifikata pas ndjekjes së trajnimeve të ndryshme.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat