Shpërblehen talentet e reja të artit figurativ

Tuz – Për të tretin vit radhazi, Komuna e Tuzit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me një aktivitet argëtues e letrar, ku përpara godinës së komunës, morën pjesë një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të cilët kërcyen, recituan, kënduan dhe u dëfryen me bashkëmoshatarët e tyre. Këtë aktivitet e hapi kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj i cili Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve e konsideroi një ditë të rëndësishme.
“Kjo ditë ne të rriturve na përkujton se gjithçka bëjmë, e bëjmë për të mirën tuaj, për një të ardhme të gëzuar dhe me plot mundësi për realizimin e dëshirave dhe synimeve tuaja. Fëmijë të dashur, edhe ne kemi kaluar këtë rrugë që po kaloni ju sot, rruga e fëmijërisë, por që ajo ishte paksa ndryshe, me më pak mundësi, megjithëse edhe ne ëndërronim. Madje, ëndërronim se do ta ndryshojmë botën, që ta bëjmë më të pranueshme, më pak të dhunshme, e më të begatshme për fëmijët, veçanërisht për ata që edhe sot vuajnë nga uria”, u shpreh Gjeloshaj.
Ai apeloi tek më të vegjlit që as ata të mos ndalojnë mbi këto synime, por të mësojnë, të argëtohen e të gëzohen, e mbi të gjitha të mbesin të mirë e të shëndetshëm ashtu siç janë.
Në këtë aktivitet janë ndarë tre çmime, për punimet më të mira të fëmijëve (vizatimet), të cilat ata i kanë realizuar përgjatë muajit maj, e që i paraqiten në një ekspozitë.
Në këtë manifestim u tha se fituesit e këtyre çmimeve do të kenë mundësi që të takojnë piktorë të njohur, të njihen me punën e tyre por edhe të marrin këshilla për art, në takimet artistike që do të mbahen në fund të qershorit, takime që mbajnë emrin e piktorit të madh Gjelosh Gjokaj me titull: “Një gotë për Gjeloshin”.
Juria e përbërë nga dy profesorët e artit figurativ nga Ulqini, Edin Kapllani dhe Allmir Suka, përzgjodhën tri punimet më të mira, duke zbuluar tre talentë të rinj nga Malësia.
Vendi i tretë i takoi nxënëses Gabriella Lulgjuraj, vendi i dytë nxënëses Betina Ujkaj, dhe vendi i parë, nxënëses Adrijana Cacaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat