Shpalosje evlerave kulturore dhe trashëgimisë kombëtare

Manifestimi ka filluar në orët е mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e buzëmbrëmjes, në atmosferë vërtet festive. Programi i larmishëm muzikor ka filluar me paraqitjen e shoqërive kulturore-artistike, ansambleve dhe grupeve muzikore (katër sosh) - nga një prej Shqipërisë e Kosovës dhe dy nga Mali i Zi. Manifestimin e sivjetshëm e kanë bërë madhështor edhe pikat e programit sportiv në disa disiplina garuese, ku kanë marrë pjesë shumë të rinj

Në Vuthaj të komunës së Gucisë, të premten më 1 gusht 2025 u mbajt edicioni i 29-të i manifestimit tradicional mbarëkombëtar shqiptar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2025”.
Dita me mot të bukur ka mundësuar që në nënqiellin e hapur, në hapësirën skaj bregut të djathtë të lumit Gërla, të këtij vendbanimi piktoresk e përballë Alpeve Shqiptare, tërësisht i banuar me popullatë shqiptare, të tubohen mijëra qytetarë nga Vuthajt, Gucia e Plava me rrethinë, Malësia e Madhe, Ulqini, Tivari, Rozhaja, nga viset e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë, nga Maqedonia e Veriut dhe vise tjera me popullatë shqiptare, si dhe bashkëvendës mërgimtarë në diasporë, të cilët pushimet verore kanë ardhur t’i kalojnë në vendlindje. Me këtë rast, ata përjetuan çaste vërtet të këndshme pushimi, dëfrimi dhe argëtimi në programin e begatë të këtij manifestimi tradicional, të gërshetuar me pika të larmishme kulturore, artistike, muzikore dhe sportive, në kuadër të të cilit edhe këtë vit u mbajt Festivali Folklorik Kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i 8-ti me radhë, i cili nuk kishte karakter garues, por vetëm prezantues, reflektues dhe argëtues.
Manifestimi ka filluar në orët е mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e buzëmbrëmjes, në atmosferë vërtet festive.
Me sloganin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2025”, nën valëvitjen e flamujve kuq e zi me shkabën dykrenare në mes, manifestimin e kanë hapur dy anëtaret e Këshillit organizativ të Shoqatës “Alpet Shqiptare”, vashat simpatike Arbërore dhe Rilinda Gjonbalaj, të cilat e kanë udhëhequr programin si dhe kanë vallëzuar në programin e SHKA “Maja e Karanfilit”, anëtare të rregullta të së cilës janë.
Ato kanë përshëndetur të gjithë të pranishmit, me theks të veçantë mysafirët pjesëmarrës nga trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi dhe mërgimtarët e shumënumërt bashkëvendës dhe bashkëkombës në diasporë, ndër të cilët kanë veçuar ambasadoren e Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, vëllain e dy heronjve të rënë në luftën e Kosovës dhe njëherazi luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliu, si dhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe ca të tjerë, të cilët të pafajshëm janë duke u gjykuar në Gjykatën e Hagës.
Manifestimin e shpalli të hapur kryetari i Këshillit organizativ, Tahir Gionbalaj, i cili në fjalën e rastit përshëndeti gjithë të pranishmit dhe mysafirëve u uroi mirëseardhje, qëndrim të këndshëm dhe i falënderoi për pjesëmarrjen.
Me këtë rast, të pranishmit me ndjenja emocionuese i përshëndeti edhe veprimtari i çështjes kombëtare nga Rugova e Pejës, Blerim Muriqi.
Me duartrokitje frenetike u përcoll fjalimi emocionues i ambasadores së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklina Peto, e cila me admirim i përshëndeti të pranishmit me rastin e dorëzimit të mirënjohjes së lartë “Ambasador i Paqes” gjashtë laureatëve: Ramiz Gjonbalaj, Gani Kukaj, Ahmet Gjonbalaj e Rilinda Gjonbalaj nga Gucia dhe Gentiana Junçaj e David Junçaj nga Tuzi.
Në fjalën e vet, ajo theksoi se e ndien veten të lumtur që i është dhënë rasti të marrë pjesë në akademinë solemne të këtij aktiviteti vërtet madhështor, duke shtuar se e ndien veten krenare që gjendet në mesin e vëllezërve e motrave shqiptare në Vuthaj, rrëzë Alpeve Shqiptare, që nga shteti amë e ndajnë bjeshkët e larta të këtij nënqielli.
Edhe këtë vit, programi i larmishëm muzikor i manifestimit tradicional “Mirë se vini në Alpet shqiptare” filloi me paraqitjen e shoqërive kulturore-artistike, ansambleve dhe grupeve muzikore (katër sosh) – nga një prej Shqipërisë e Kosovës dhe dy nga Mali i Zi, të cilat u paraqitën me programet e veta të gërshetuara me këngë e valle burimore autoktone nga repertoret e tyre shumëpërfshirëse.
Programin muzikor të manifestimit të sivjetmë e filloi Ansambli i Këngëve e Valleve nga Deçani i Kosovës, vazhdoi me Grupin e Valleve “Dardania” nga Tropoja e veriut të Shqipërisë, SHKA “Besa” nga Trieshi i Malësisë së Madhe – komuna e Tuzit dhe u përmbyll me programin e larmishëm muzikor (këngë e valle autoktone burimore) të SHKA “Maja e Karanfilit”.
Me admirim dhe duartrokitje frenetike të të pranishmëve u përcollën interpretimet e dy këngëve popullore nga këngëtarët e mirënjohur nga Malësia e Madhe – Toni e Shtjefën Ujkaj dhe Marie Lajçaj, e cila me disa këngë të veta edhe e përfundoi programin muzikor i cili zgjati më se dy orë.
Manifestimin popullor mbarëkombëtar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2025” e kanë bërë madhështor edhe pikat e programit sportiv në disa disiplina garuese, ku kanë marrë pjesë shumë të rinj, ndër të cilat janë veçuar: hedhja e gjyles me peshë 7.275 kg nga krahu me hez, ku vendin e parë ndër 11 garues e zuri i riu nga Vuthajt, Donat Dedushaj, të cilit i është ndarë shpërblimi prej 100 euro dhe kupa; vendin e dytë e zuri Luan Kukaj, i cili nga organizatori u shpërblye me 50 euro; dhe vendin e tretë Arben Dedushaj, i shpërblyer me 20 euro.
Çaste vërtet interesante në këtë manifestim paraqiti gara në vrapimin e kuajve, në të cilën morën pjesë babë e bijë nga Bijello Pola, Suad e Ajlla Hot me kuajt e vet. Vendin e parë me kalin e vet e zuri vashëza 16-vjeçare Ajlla, e cila nga organizatori i garës u shpërblye me 300 dollarë amerikanë dhe kupë, kurse i ati i saj Suadi, me 200 dollarë.
Në fund të programit sportiv, në stadiumin ku u mbajt manifestimi u zhvillua ndeshja finale e turneut në futboll të vogël, në të cilën ekipi i SHPK “Selca” nga fshati Martinaj ngadhënjeu
me rezultat 1:0 ndaj ekipit “Shqiponjat” nga fshati Vuthaj. Ekipit fitues i takoi kupa dhe shpërblimi në të holla prej 150 euro, kurse ekipit humbës shpërblimi modest prej 50 euro.
Në fund të këtij shënimi theksojmë se shumë adhurues të natyrës së nënqiellit të hapur ca çaste i kanë kaluar duke vizituar bukuritë e rralla e magjepsëse natyrore me të cilat begaton ky fshat piktoresk dhe ca vende të tjera atraktive e piktoreske rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare.
Organizator i këtij manifestimi tradicional është Shoqata “Alpet Shqiptare” nga Vuthajt, e mbështetur dhe materialisht e ndihmuar nga disa mërgimtarë vendas në diasporë, kryesisht në SHBA.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat