Shpalosje dhe reflektim i shkathtësive krijuese të poetëve dhe piktorëve

Temë qendrore e Takimeve të 48-ta letrare të Plavës ka qenë prezantimi i poetëve të ftuar me poezitë nga opusi i begatë i krijimtarisë së tyre - nga Plava, Mali i Zi dhe rajoni. Prej 20 poetëve të ftuar, në takim kanë marrë pjesë 16 sish, të cilët janë paraqitur me nga një, dy apo tri poezi të zgjedhura, në gjuhët: malazeze, shqipe, boshnjake, serbe dhe maqedonase

Manifestimi i përbashkët tradicional pesëditor (2-6 tetor 2025) i Takimeve të 48-ta letrare të Plavës dhe i Kolonisë së 23-të figurative “Liqeni i Plavës” (Plavsko jezero), i organizuar nën moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2025”, filloi në orët e paradrekës së ditës së enjte (2 tetor 2025) në Galerinë e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”.
Aty ishin tubuar nxënësit e shkollave fillore “Hajro Shahmanoviq” – Plavë dhe “Petar Dedoviq” – Murinë, me të cilët në punëtorinë letrare-artistike kanë biseduar shkrimtarët për fëmijë Sllobodan Zoran Obradoviq dhe Bllaga Zhuriq, të shoqëruar nga udhëheqësit e programit – Bozhidar Proroçiq dhe Llejlla Srdanoviq.
Me shprehjet e veta me fëmijët e pranishëm, shkrimtarët për fëmijë kanë zgjuar tek ata ndjenjën më të pastër të njeriut – imagjinatën. Në mënyrë të ngrohtë dhe shprehje pedagogjike, Obradoviq dhe Zhuriq kanë treguar se letërsia mund të jetë rrugëtim i fuqishëm deri te vetvetja. Ata kanë lexuar vargje nga opusi i tyre i begatë dhe me nxënës kanë zhvilluar biseda të ndërsjella mbi krijimtarinë letrare si dhe janë përgjigjur në pyetjet e nxënësve.
Në orët e mbrëmjes, ambienti i Galerisë së Qendrës për Kulturë ka shkëlqyer nga koloriti shumëngjyrësh. Pjesëmarrësit e Kolonisë së 23-të figurative “Liqeni i Plavës” aderuesve të shumënumërt të artit pamor u janë prezantuar, duke sjellë në Plavë kundërmimin e nënqiejve të vet dhe vizionet e veta të botës, piktorët nga Mali i Zi – Zharko Pllavshiq, Kaltrina Hoti, Villdana Killian, Senadin Pupoviq, Bellkisa Bertesheviq – Pejçinoviq dhe Arijeta Lluceviq, nga Serbia – Ajlla Dazdareviq dhe Natasha Radosavleviq – Nara, nga Kroacia – Vinko Llameshiq, nga Bosnja e Hercegovina – Mirsada Masall dhe nga Maqedonia e Veriut – Fehim Husoviq. Në këtë mbrëmje, kolorit të veçantë Galerisë i dha ekspozita me titullin “Abstrakte dhe e vërtetë” e piktorit Vinko Llameshiq. Pikturat e tij në pëlhurë shprehin dialog mes dritës dhe errësirës, rendit dhe lirisë.
Manifestimin e ka shpallur të hapur solemnisht kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, i cili ka thënë se “Vjeshta kulturore e Plavës” për vite me radhë tubon krijues, nxënës, profesorë, artistë dhe qytetarë, kultivon atë që ne na bën të veçantë: gjuhën, lojën, librin, artin dhe kujtesën.
“I organizuar nga Qendra për Kulturë, nën patronatin e Komunës së Plavës, ky manifestim përfshin: mbrëmjet letrare, ekspozitat, përurimet e librave dhe takimet me autorë, të gjitha me qëllim që të ruhet dhe promovohet trashëgimia kulturore-historike e Plavës, sepse Plava është qytet që mban mend. Mban mend Radovan Zogoviqin e Husein Bashiqin, mban mend zanatet e vjetra, këngët popullore dhe punimet e dorës, të cilat i kanë formësuar gjeneratat. Për këtë ky manifestim është urë lidhëse në mes së kaluarës dhe së ardhmes, vend ku tradita nuk ruhet në bodrumin e pluhurosur të mbyllur, por jeton në çdo valë, lëvizje dhe buzëqeshje. Për këtë, Plava nuk është vetëm qytet, ajo është peizazh kulturor. Duke i tubuar krijuesit nga vendi dhe rajoni, iu ofron hapësirë të rinjve të flasin në mënyrë që traditën jo vetëm ta ruajnë, por ta shndërrojnë në vlerë të re atë që i inspiron, lidh dhe vë në lëvizje gjeneratat e tanishme”, ka thënë ai.
Po këtë mbrëmje, në sallën e koncerteve të Qendrës për Kulturë është mbajtur Kabarea poetike me sloganin “Prej pëlhurës deri në skenë”, lidhje unitare e poezisë, muzikës dhe shprehjes skenike, programin e së cilës e ka drejtuar Llejlla Srdanoviq. Bendin, aktorët (7 sish) vargjet i kanë shndërruar në tinguj, ndërsa skena ka qenë e mbushur me debutime poetiko-skenike dhe me zhanre të shumënumërta muzikore e poetike.
Edhe dita e dytë e manifestimit (e premte, më 3 tetor 2025) ka filluar në orët e paradrekës në Galeri me punëtorinë e dytë letrare-artistike të nxënësve të të dy shkollave fillore dhe të dy shkrimtarëve për fëmijë (vazhdim i punëtorisë nga dita e parë).
Në mbrëmje, në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë është bërë përurimi i përmbledhjes me tregime në dy gjuhë “Çevra e Ajshes” (Ajšino čevre) e autores nga Plava, prof. Senada Gjesheviq. Kjo përmbledhje e veçantë përmban nëntë tregime emocionalisht të ngjeshur, të cilët hulumtojnë jetën dhe traditën e njerëzve nga treva e Plavë-Gucisë. Promotorë të promovimit, të cilin e ka drejtuar moderatorja Llejlla Srdanoviq, kanë qenë: Prof. Dr. Darko Doshlak, Azra Gllavatoviq dhe prof. Afan Llatiq, të cilët kanë elaboruar mbi rëndësinë e librit, duke theksuar kontributin e tij letrar, kulturor e social.
Dita e tretë e manifestimit (e shtunë, 4 tetor 2025) ka filluar në orët e mbrëmjes me koloritin e ngjyrave. Galeria e Qendrës për Kulturë ka qenë e stërmbushur me aderues të fjalës së shkruar letrare e të artit të bukur pamor. Në ballinat e mureve të saj kanë qëndruar të varura pëlhurat me piktura, të cilat janë krijuar gjatë ditëve në nënqiellin e hapur mu pranë liqenit te Plavës dhe rrëzë bjeshkës së Visitorit kreshnik nga piktorët pjesëmarrës të Kolonisë së 23-të figurative. Ekspozitën e ka hapur shkrimtari dhe publicisti malazez Bozhidar Proroçiq.
“Plava është ndjenjë, të cilën piktorët e shfaqin në ngjyra. Çdo pëlhurë e këtushme frymon me aromë bjeshke dhe reflektim liqeni, çdo vijë e brushave ruan kujtesat e trevës. Autorët (piktorët) kanë qëndruar pranë punimeve të veta, kanë biseduar me të pranishmit, kanë sqaruar motivet, kanë zbuluar fshehtësitë e veta krijuese”, ka thënë ai.
Por pa dyshim, temë qendrore e Takimeve të 48-ta letrare të Plavës, programin e të cilit e kanë udhëhequr Sllagja Bubanja – Merdoviq dhe Llejlla Srdanoviq, ka qenë prezantimi i poetëve të ftuar me poezitë nga opusi i begatë i krijimtarisë së tyre – nga Plava, Mali i Zi dhe rajoni. Prej 20 poetëve të ftuar, në takim kanë marrë pjesë 16 sish, të cilët janë paraqitur me nga një, dy apo tri poezi të zgjedhura, në gjuhët: malazeze, shqipe, boshnjake, serbe dhe maqedonase. Kështu, në programin e mbrëmjes qendrore të poezisë morën pjesë: nga Mali i Zi poetët Milla Dubak – Zeçeviq, Violleta Marinkoviq – Manoviq, Tanja Bariq, Gordan Çampar, Senadin Pupoviq, Afan Llatiq, Kaltrina Hoti (poetja e vetme shqiptare, e cila një poezi e lexoi në gjuhën shqipe dhe një në atë boshnjake), Rasim Gutiq, Millan Petroviq, Sajma Feratoviq – Adroviq dhe Dino Burxheviq; nga Serbia – Natasha Radosavleviq dhe Jasna Lluboder – Llekoviq; nga Bosnja e Hercegovina – Tatjana Qallasan dhe Bajram Nelkoviq; nga Maqedonia e Veriut – Violleta Tançeva – Zllateva dhe nga Luksemburgu – Faiz Softiq. Për shkak të vështirësive në qarkullimin rrugor në rrugën magjistrale Pejë-Rozhajë, si pasojë e borës në vendkalimin kufitar Kulla, në këtë aktivitet nuk ishin të pranishëm dy poetët e ftuar nga Kosova – Shyqri Galica dhe Arbnesha Kelmendi – Draga.
Dita e katërt e manifestimit (e diel, më 5 tetor 2025) u shënua me bisedën me shkrimtarin Mirnes Kovaç, njërin nga autorët dhe publicistët bashkëkohorë më të rëndësishëm në hapësirën e Ballkanit. Bisedën në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë e ka zhvilluar prof. Afan Llatiq, i cili përmes intervistës të pranishmëve ua ka përafruar rrugëtimin krijues të këtij shkrimtari.
Dita e pestë dhe e fundit (e hënë, më 6 tetor 2025) e manifestimit të përbashkët letrar dhe artistik “Vjeshta kulturore e Plavës 2025”, i është kushtuar shkrimtarit, intelektualit dhe krijuesit letrar Vukman Otasheviq, jeta dhe vepra e të cilit ka lënë gjurmë të thellë në skenën kulturore dhe intelektuale të Malit të Zi.
Në ambientin e Shtëpisë së Kulturës në Murinë, qytezë e komunës së Plavës, prej nga edhe është shkrimtari, mbi krijimtarinë, opusin letrar, veprimtarinë publicistike dhe figurën morale të tij kanë folur: poeti dhe kritiku letrar Spasoje Bojoviq, poeti dhe antologu Jovan Drashkoviq dhe gazetari e publicisti Gojko Knezheviq.
Manifestimi i përbashkët tradicional Takimet e 48-ta letrare të Plavës si dhe Kolonia e 23-të figurative “Liqeni i Plavës” u organizua nga Qendra për Kulturë “Husein Bashiq”, nën patronazhin e Komunës së Plavës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Medias.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat