Shpalosja, ndriçimi dhe reflektimi i rrjedhave të lëvizjeve kombëtare shqiptare ndër shekuj

Shaban Hasangjekaj

“Historiografia më e re i ka kushtuar kujdes të duhur të kaluarës jo të largët historike të Kosovës, të periudhës mes dy luftërave botërore. Shikuar nga ky aspekt, janë arritur rezultate të konsiderueshme në hulumtimin dhe trajtimin e gjendjes ekonomike e politike të Kosovës nga sfera të ndryshme. Deri më tani nuk është shkruar asnjë studim për Lëvizjen Kaçake në Kosovë në periudhën 1918-1928, që ta trajtojë në mënyrë të gjithanshme e objektive. Pa dyshim, kjo është një zbrazëti në shkencën historike”, shprehet në fillimin e parathënies së veprës së vet monografike “Lëvizja Kaçake në Kosovë (1918-1928)”, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Dr. Liman Rushiti.
Synimi themelor ka qenë që në këtë vepër monografike të paraqesë Lëvizjen Kaçake në Kosovë në periudhën 1918-1928 ashtu siç ishte, thekson autori në vazhdim të parathënies dhe shton se për ta paraqitur në mënyrë objektive shkencore këtë lëvizje ka qenë i detyruar që në pika të shkurtra ta trajtojë lëvizjen para kësaj kohe. Është nisur vetëm nga periudha kohore 1918-1928 edhe pse kjo lëvizje zanafillën e ka shumë më herët.
Autori Limani shkruan se për ta sqaruar në mënyrë të drejtë e shkencore këtë temë, ka qenë e domosdoshme që në pika të shkurtra të përshkruhet qëndrimi i qeverisë serbomadhe prej luftërave ballkanike ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë dhe e rajoneve të tjera të Jugosllavisë të banuara me shqiptarë. Po ashtu qëndrimin e shqiptarëve ndaj pushtuesve austro-hungarezë dhe bullgarë në Luftën e Parë Botërore dhe qëndrimin e Lëvizjes Kaçake ndaj tyre. Gjithë këtë autori i monografisë e ka bërë me qëllim që të jetë më e qartë rruga e popullit shqiptar në Kosovë, e si pjesë e tij Lëvizja Nacional-Çlirimtare Kaçake, lufta e së cilës ishte drejtuar kundër qëllimeve robëruese qeverive ballkanike e për të drejta nacionale dhe sociale.
Në tekstin e monografisë janë paraqitur shkurtimisht edhe lidhjet në mes të Lëvizjes Kaçake me lëvizjet e tjera jashtë territorit të Kosovës, me ato vende të banuara me shqiptarë në Maqedoni dhe Mal të Zi (Plavë, Guci), Sanxhak e të tjera.
Meqenëse kjo temë përfshinë për të parën herë në mënyrë të tërësishme këtë lëvizje, autori Liman Rushiti ka qenë i detyruar që zhvillimin e ngjarjeve ta trajtojë në mënyrë kronologjike duke u mbështetur në të dhëna autentike. Për ta shtjelluar problematikën komplekse të Lëvizjes Kaçake në Kosovë, e ka parë të arsyeshme që para se t’i hyjë shtjellimit të temës, të paraqesë në pika të shkurta qëndrimin e organeve shtetërore ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti.
Vepra monografike “Lëvizja Kaçake në Kosovë (1918-1928)” e autorit Dr. Liman Rushiti, ka përjetuar tri botime: botimin e parë në vitin 1981 në Prishtinë, recensent të së cilës ishin Prof. Dr. Ali Hadri dhe Prof. Dr. Hajredin Hoxha, botimin e dytë me plotësime në vitin 2016, kryeredaktori i të cilës ishte Prof. Assoc. Dr. Sabit Syla, recensentë Prof. Dr. Hakif Bajrami dhe Prof. Dr. Lush Culaj dhe botimit e tretë në vitin 2022 në Prishtinë, në edicionin e Shtëpisë Botuese “Artini” dhe përbëhet prej 390 faqesh.
Brumin e përmbajtjes së lëndës së monografisë, autori Rushiti e ka ndarë, radhitur e sistemuar në: parathënie, hyrje të zbërthyer në dy trajtesa shtjelluese, në katër kapituj (pjesë) të zbërthyer po ashtu në trajtesa shtjelluese.
Para se të kalojë në shtjellimin e kapitullit të parë, autori Rushiti ka paraqitur shkurtimisht rivendosjen e pushtetit serb në Kosovë, që të mund të sheh që në fillim qëndrimin e qeverisë serbomadhe ndaj Kosovës e cila me anë të ushtrisë – të forcës i mohoi çdo të drejtë popullit shqiptar. Po ashtu në pika të shkurtra është dhënë ndarja territoriale e Kosovës – copëtimi i saj në krahina administrative me qëllim që të mos jetë kompakte,etj.
Në Kapitullin (pjesën) e parë (I) – Rrethanat ekonomike, shoqërore dhe politike e zbërthyer në pesë trajtesa shtjelluese, autori ka trajtuar rrethanat ekonomike, shoqërore dhe politike në periudhën 1918-1928, reformën agrare si formë perfide për shkombëtarizimin e Kosovës. Këtu në pika të shkurta janë paraqitur karakteristikat themelore të pozitës së Kosovës në Mbretërinë SKS (Serbo-Kroato-Sllovene), qëllimet e qeverisë serbomadhe, që me anë të shtypjes së popullsisë jo sllave me metoda dhe mënyra të ndryshme të shtyjë popullsinë shqiptare që të shpërngulet, për të realizuar dëshirën dhe tendencën e kahershme të serbizimit të Kosovës. Duke trajtuar rrethanat politike autori Rushiti është përpjekur të japë një pasqyrë të shkurtër të qëndrimit të mbretërisë SKS ndaj shqiptarëve në përgjithësi, me theks të veçantë ndaj Lëvizjes Kaçake në Kosovë si forcë kryesore, e cila me armë në dorë luftoi politikën shoviniste serbomadhe që zbatohej ndaj shqiptarëve.
Kapitulli (pjesa) e dytë (II) – Lëvizja Kaçake më 1918-1924, e zbërthyer në nëntë trajtesa shtjelluese përfshinë Lëvizjen Kaçake të periudhës kohore 1918-1924, në të cilën bëhet fjalë për veprimtarinë luftarake dhe politike të lëvizjes kundër politikës serbomadhe të qeverisë SKS ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes, organizimin, masivizimin dhe karakterin e saj. Përfshirja masive në lëvizje, mënyra e luftës së lëvizjes, “Zona Neutrale e Junikut”, veprimtaria e çetave si në Kosovë në “Zona Neutrale”, ashtu edhe në Shqipëri, përgjithësisht lufta e lëvizjes dhe e shqiptarëve për çlirimin nacional dhe social, e pastaj formimin e Zonës së lirë të Drenicës – Azem Bejtës, po ashtu dhe të Zonës së lirë të Mehmet Konjuhit në Dumnicë-Zagorth të Vushtrrisë, marrëveshjet e tyre me organet shtetërore, shkatërrimin e këtyre zonave dhe vrasjen e Azem Bejtës pas së cilës gati edhe shkatërrohet Lëvizja Kaçake.
Në Kapitullin (pjesën) e tretë (III) – Lëvizja Kaçake 1923-1928, e zbërthyer në dy trajtesa shtjelluese bëhet fjalë për vazhdimin e rezistencës prej vitit 1924-1928. Autori thekson se në këtë kapitull flitet për lëvizjen deri në këtë kohë nga shkaku se prej vitit 1928 deri në atë 1931, çetat s’paraqiten në territorin e Kosovës për shkak të kushteve të njohura historike.
Në Kapitullin (pjesën) e katërt (IV) dhe të fundit – Qëndrimi i partive politike ndaj Lëvizjes Kaçake, autori Dr. Liman Rushiti ka paraqitur qëndrimin e partive politike si ato qeveritare, ashtu edhe të PK ndaj lëvizjes. Periodizimi në këtë mënyrë është bërë në bazë të rezultateve të hulumtimeve të dokumenteve arkivale, duke u mbështetur në zhvillimin autentik të ngjarjeve në Kosovë.
Autori Rushiti thekson se Lëvizja Kaçake lindi si formë e rezistencës kundër pushtuesit të huaj. Me këtë emër njihet në periudhën turke në shekullin XV-XVI, e cila kishte më tepër karakter ekonomik se sa politik. Kjo lëvizje vjen duke u shtuar gjithnjë e më tepër dhe merr formën e rezistencës politike në truallin shqiptar, posaçërisht në gjysmën e dytë të shekullit XIX e bëhet më masive pas shuarjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Për hartimin, koncipimin dhe përpilimin e veprës monografike në fjalë, autori Dr. Liman Rushiti është mbështetur në dokumentacionin burimor të kohës i cili është i shumëllojshëm dhe i pasur. Hulumtimet e dokumentacionit kryesisht i ka bërë në arkivat e Jugosllavisë, të Republikës së Shqipërisë dhe dokumente të sjella nga arkiva Foreing Office (Londër) nga Dr. Zhivko Avramovski, të cilat gjenden në Arkivin e Institutit të Historisë së Kosovës.
Në përfundimin e përmbajtjes së tekstit të monografisë, autori Rushiti thekson se Lëvizja Kaçake në Kosovë në periudhën kohore 1918-1928, është lëvizja e masave të gjëra popullore e mbështetur në traditat dhe luftërat e popullit shqiptar për liri nacionale. Kjo lëvizje është vijim i luftës shekullore të popullit shqiptar kundër sunduesve të huaj. Karakteri i saj nacional cilësohet në radhë të parë me luftërat kundër Perandorisë Osmane e pas vitit 1912, kjo e vazhdon luftën në kushte të reja kundër veprimeve të sunduesve të rinj – okupatorëve serbo-malazezë që si okupatorë nga fillimi nxiti indinjatë dhe revoltë te të gjithë popullsia shqiptare.
Autori Rushiti thekson se gjatë periudhës dhjetëvjeçare, e nga tetori i vitit 1918, Lëvizja Nacional-Çlirimtare Kaçake kaloi nëpër disa faza të zhvillimit të saj duke përjetuar batica dhe zbatica (katër sosh).
Faza e parë fillon që nga muaji tetor i vitit 1918, e zgjatë deri në muajin mars të vitit 1919. Kjo fazë karakterizohet me rezistencat lokale të çetave kundër vendosjes së pushtetit ushtarako-policor e administrativ të okupatorit serbomadh.
Faza e dytë fillon në muajin mars të vitit 1919 dhe zgjati deri në fund të vitit 1921. Ajo merr hovin e një lëvizjeje të përgjithshme si në dimensionin e gjerësisë, ashtu edhe në formën e luftës, duke kaluar në formën e luftës së organizuar. Kjo fazë e luftës përshkohet me ndikimin e ideve revolucionare e demokratike për çlirim kombëtar. Këto u shprehën në kërkesat e udhëheqjes së lëvizjes jo vetëm në vitin 1919, por edhe gjatë periudhës së ekzistimit të saj.
Faza e tretë në periudhën korrik 1923-korrik 1924, karakterizohet me ndërrimin e taktikës së luftës së çetave dhe me rënien e intensitetit të saj. Në korrik të vitit 1923 formohet zona e lirë e Drenicës e Azem Bejtës dhe zona e lirë në Dumnicë-Zagorth e Mehmet Konjuhit. Në këtë fazë zhvillohet edhe aktiviteti diplomatik nga të dy palët – nga ana e organeve shtetërore dhe nga ana e lëvizjes.
Faza e katërt korrik 1924-1928, karakterizohet me shkatërrimin e zonave të lira, me vrasjen e Azem Bejtës dhe të shumë prijësve të tjerë të çetave, me dobësimin e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare Kaçake në Kosovë dhe në shkatërrimin e lëvizjes së organizuar. Lëvizja vazhdon luftën me çeta te vogla duke bërë rezistencë aty-këtu deri ne vitin 1928. Në atë kohë shkatërrohen shumë çeta të lëvizjes, të cilat e vazhduan luftën kundër qeverisë serbomadhe, si ato që qëndruan në Kosovë, ashtu edhe çetat që kishin dalë në Shqipëri dhe kohë pas kohe kalonin në Kosovë për të bërë aksione luftarake.
Lëvizja Nacional-Çlirimtare Kaçake e Kosovës u shkatërrua me zjarr, pas një lufte dhjetëvjeçare që bënë luftëtarët e saj kundër pushtetit serb me qëllim çlirimin dhe bashkimin kombëtar.
Në faqet e fundit të veprës monografike në fjalë gjenden shkurtesat, burimet, literatura dhe albumi i përbërë prej 28 fotoportretesh, 19 fotografishë dhe dy hartash në teknikën bardhë-zi që dëshmojnë të kaluarën e hidhur të shqiptarëve, si dhe regjistrat e kaçakëve të qendrave, qyteteve dhe zonave të ndryshme të Kosovës.

Të fundit

më të lexuarat