
“I këtillë, i rrallë, është prof. dr. Emin Kabashi, autori i monografisë ‘Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA’, autor ky që nderon familjen Osmani për të cilën është shkruar kjo monografi”, thuhet në vështrimin parathënës me titull “Osmanët në Amerikë – një jetë angazhim për lirinë e atdheut” të redaktores së monografisë Afërdita Dervishi.
Struktura e monografisë ka tetë kapituj dhe një shtojcë. Në tërësinë e tekstit është trajtuar jeta dhe veprimtaria e familjes Osmani, respektivisht e vëllezërve, Osmanit, Hasanit dhe Esatit, por në të njëjtën kohë është shpaluar edhe veprimtaria e mërgatës së madhe shqiptare në SHBA.
Autori i monografisë . Emin Kabashi shprehet se mërgata shqiptare në SHBA, pa ndasi fetare, politike, ideologjike, e bashkuar, ka qenë në shërbim, sa herë atdheu ka pasur nevojë për ndihmën, pa angazhimin, krahun dhe pushkën e lirisë. Por, në pyetjen vetes, si ka arritur mërgata shqiptare të lëvizë Administratën amerikane, ai përgjigjet: Në mundësinë për të shpjeguar angazhimin e Administratës amerikane, janë disa dilema: Së pari, si mund të shpjegohet, jo vetëm angazhimi i familjes Osmani – i vëllezërve Osmani, por edhe angazhimi i mërgatës shqiptare në përgjithësi? Së dyti, a e kishte të qartë mërgata shqiptare, andaj edhe Administrata e Shtetit amerikan se me veprimtarinë e tyre kishte filluar zgjidhja e çështjes madhore të kombit shqiptar? Dhe, së treti, a do të mund të realizoheshin këto çështje madhore të Kombit shqiptar, pa angazhimin e mërgatës shqiptare në Amerikë dhe pa angazhimin e Shtetit amerikan?
Disa nga këto çështje janë trajtuar në pjesë të caktuara të kësaj monografie, por është vendi të shtohet se disa aspekte të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në Amerikë, shpesh janë trajtuar, janë shqyrtuar, ose vetëm nga aspekti i ndihmave që kanë dhënë, ose nga aspekti i mundësive që kanë pasur për të organizuar delegacione senatorësh e anëtarësh të Kongresit amerikan që të vizitojnë Shqipërinë dhe Kosovën, ose edhe në planin e organizimit të asaj që quhej alternativë e Kosovës, për të shprehur para institucioneve amerikane, jo vetëm gjendjen e Kosovës, por edhe pikëpamjen e tyre se si i shihnin rrugët e zgjidhjes së këtyre problemeve madhore historike. Po ashtu, nuk mund të trajtohen shkoqur të gjitha veprimtaritë e mërgatës shqiptare në SHBA, që kishin të bëjnë me Kosovën, duke filluar nga viti 1981, kur ndodhin demonstratat e studentëve, rinisë dhe popullit shqiptar, të cilat kishin lëkundur në themel sistemin e padrejtë të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, gjë që autori e ka shpaluar mrekullisht.
Autori i monografisë, Emin Kabashi, e ka prekur çdo cep të atdheut kryq e tërthorë, sepse luftën për liri dhe lëvizjen atdhetare nuk e njohu nga televizionet dhe as nga gazetat, por e njohur nga vendi i ngjarjes, ngase është protagonisti i lëvizjes për çlirim gjatë gjithë jetës së tij, që kur është bërë të ndjejë obligimin ndaj atdheut. Vetëm ato që ka parë gjatë pjesëmarrjes në luftë, nga nëna shtatzënë e masakruar, fëmijë të vrarë e të masakruar, nga shokët e plagosur e të vrarë, e deri te kërkimi i bashkëluftëtarëve nëpër varreza të ndryshme, janë pjesë e jetës së tij, që kjo pjesë e atdheut të jetë e lirë.
Nga ana tjetër, është i pakrahasueshëm dinjiteti i përballjes së autorit të monografisë në fjalë, prof. dr. Emin Kabashit, me Tribunalin e Hagës, përballë kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, si dëshmitar i ngjarjeve tragjike që ndodhën në Kosovës, dhe gjenocidit e spastrimit etnik, që bënë forcat serbe në Kosovë. Nuk jemi mësuar akademik të këtij kalibri që edhe lufton dhe shkruan, edhe burgoset, edhe nuk thyhet.
Të gjitha ngjarjet, rrugëtimet e osmanëve, veprimtarinë e madhe atdhetare dhe mbështetjen e madhe për lirinë e tokave shqiptare, të gjitha krajatat e jetës, autori i monografisë Emin Kabashi i shpjegon në bazë të fakteve, të kohëve të zhvillimit dhe në korrelacion me mërgatën shqiptare në SHBA, si dhe gjithsesi me lidhje të ngushtë veprimi me Josph Dio Guardin, i cili ishte promotori i sensibilizimit të autoriteteve amerikane mbi atë që po ndodhte në Kosovë, dhe gjeneratori i veprimeve konkrete për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe lirinë e pavarësinë e Kosovës në veçanti. Vëllezërit Osmani, as nuk u lodhën, as nuk u koritën kurrë. Ata i qëndruan besnik kauzës kombëtare shqiptare në të gjitha format e mundshme.
Autori Emin Kabashi, merret vertikalisht me fenomenin e veprimtarisë atdhetare të vëllezërve Osmani në veçanti, e që si traditë familjare mund të ndiqet deri te të parët e tyre nga një epokë historike në tjetrën.
Shenjat që e kanë mbajtur gjallë familjen Osmani janë ato të jetës tradicionale. Këto shenja janë besa, nderi dhe mikpritja, të respektueshme dhe të paprekshme deri në devotshmëri, jo vetëm si relikte kanunore, por në radhë të parë si organizim i brendshëm i jetës së familjes Osmani, si organizim i jetës së popullit shqiptar në përgjithësi, ngase dihet, jeta institucionale e pushtuesve të ndryshëm ia kishte nëpërkëmbur edhe gjërat më elementare në jetë. Këtë jetë ka bërë familja Osmani mbi 50 vjet jetë e veprimtari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngase asnjëherë nuk kishte rastisur që dera e shtëpisë të ishte e mbyllur, ngase asnjëherë nuk kishte ndodhur që vëllezërit Osmani, të ishin lodhur dhe të kishin hequr dorë nga ndonjë veprimtari atdhetare për lirinë e Kosovës, apo për demokracinë në Shqipëri, por as të koriten, siç ka ndodhur me disa të tjerë, ose janë tërhequr posa kanë marrë pak merita. Kjo veprimtari e tyre atdhetare, është pjesë e edukatës familjare, e ruajtur dhe e kultivuar me fanatizëm. Dëshmia më e mirë, janë emrat dhe martesat e fëmijëve të tyre me shqiptarë, ruajtja e raporteve miqësore me familjet e mëdha shqiptare, por edhe trashëgiminë e familjes së vet.
Autori Kabashi në shkrimet e veta në monografi, nuk u jep nderë as vend atyre që nuk bënë për lirinë e atdheut. Përndryshe, autori prof. dr. Emin Kabashi, është shkrimtar e hulumtues shkencor, autor i shumë librave, kumtesave e shkrimeve që lartësojnë njeriun shqiptar, që thurin përjetësinë për dëshmorët e kombit. Veprat e tij, mbi 32 sosh, prej De Radës e Elena Gjikës (Dora dIstrijas) prej “Lasgush Poradeci – jeta dhe vepra” e Ismail Kadaresë (“Kadare – mendësia shqiptare”) e deri të “Komandanti i lirisë – Shemsi Ahmeti”, te “Shenjat e kujtesës historike (Lufta e UÇK-së në anën e Malishevës)”, e deri te djemtë shqiptaro-amerikan e UÇK-së (Bataloni “Atlantiku” i UÇK-së).
Në monografinë “Vëllezërit Osmani dhe çështja kombëtare në SHBA”, autori Kabashi është rikthyer në jetën e shqiptarëve përmes periudhave të ndryshme dhe në libër nuk ka vend për ata që kanë fjalë, por e çmon dhe e lartëson veprimin konkret. Sipas tij, vetëm lufta për liri është veprim konkret historik, i cili lëvizi proceset historike, lëvizi dhe Administratën amerikane, për çka meritë kanë edhe vëllezërit Osmani. Andaj, nuk thuhet lavdi për ata dhe për atje, ku s’ka pasur lavdi. Pra, vetëm ata që ishin aty, ku dhe kur duhej dhe kur thërriste atdheu i plagosur, siç janë vëllezërit Osmani, që kanë vënë shenjat e lavdisë dhe nderimit për atdheun dhe shqiptarinë.
Autori prof. dr. Emin Kabashi, me monografinë e vet “Vëllezërit Osmani dhe çështja kombëtare në SHBA”, ka treguar se pesha e njeriut matet me veprimin ndaj atdheut, andaj vlerat që bartë kjo vepër, janë për t’u admiruar, dhe shërbejnë si bazë e mirë për të studiuar tutje veprimtarinë patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Kjo punë, natyrisht do të kërkonte një ekip studiuesish të zot, për të gjetur e shfrytëzuar burimet legale, burimet e shkruara, por edhe atë pjesë të burimeve që ruhet në Administratën amerikane, për të dëshmuar se pa Amerikën, e cila mbështeti Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kosovës dhe Shqiptarëve do t’u vonohej liria. Andaj, shqiptarët e Amerikës, në këtë rast, vëllezërit Osmani, janë të lidhur si mishi me ashtin, me atdheun dhe lirinë.
