Tuz- 105 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë është shënuar edhe këtë vit në Malësi nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Koha”, e cila njëkohësisht shënoi dhe dyzetvjetorin e themelimit , me mbështetje të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, me ç rast u shfaq një koncert me muzikë folklorike, me pjesëmarrje të një numri relativisht të madh të anëtarëve të rinj të kësaj shoqate.
Në këtë mbrëmje argëruese për nder të 105 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit tonë kombëtar ka qenë prezent një publik shumë i madh, adhurues të folklorit dhe këngës shgipe nga të gjitha viset e Malësisë por dhe mysafirë të ftuar e autoritete të fushave të ndryshme.
Në hapje të kësaj mbrëmjeje kulturore-artistike pas intonimit të himnit kombëtar, u tha se festa e 28 Nëntorit është një ditë e cila i bashkon shqiptarët më shumë se asnjë datë tjetër, duke i njëjtësur ata pa dallime krahinore apo konfesionale.
Në të njëjtën kohë, në fjalën përshëndetëse kryetari i SHKA “Koha” nga Dinosha, Sylejman Beqaj, ka prezantuar në retrospektivë rrugëtimin e veprimtarisë kulturore të kësaj shoqate në dyzet vitet e kaluara, duke theksuar se përvjetori i 40-të, e gjen këtë shoqatë me rritjen e numrit të anëtarëve të rinj të cilët i japin shpresë kësaj shoqatë për vazhdimin e traditës.
“Për të arritur këtu është dashur të kalohet një rrugë e gjatë dyzetvjeçare e mbushur me plot angazhime dhe sakrifica, por gjithherë e mbushur me entuziazëm dhe dashuri, me të vetmin qëllim për të ruajtur folklorin nga harresa e për t’ua përcjellë gjeneratave të reja trashëgiminë tonë të pasur kulturore. Këtë rrugë e kanë përshkuar gjatë këtyre viteve gjenerata të tëra, të rinj nga Dinosha me rrethina dhe më gjerë”, theksoi Beqaj, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë shoqatë ndër vite si dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave etj, për mbështetje në organizimin e shënimit të këtij përvjetori dhe të 28 Nëntorit.
Në fillim të kësaj mbrëmjeje folklorike SHKA “Koha” ka prezantuar anëtarët më vegjël të cilët kanë debutuar në skenë me kostume kombëtare, duke interpretuar disa këngë dhe poezi të cilat u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku në sallë, ndërkohë që pikat e tjera nga agjenda programore kjo shoqatë i ka shfaqur në fund të këtij koncerti festiv.
Këtij koncerti ia shtuan madhështinë edhe prania e pesë shoqatave të tjera kulturore-artistike në vend, si: SHKA “Besa”, SHKA “Dedë Gjon Luli”, SHKA “Liria”, Ansambli “Shqiponja”, SHKA “Ramadan Sharkiq” si dhe lahutari Gjokë Kalaj të cilët për afro dy orë kanë kënaqur publikun e pranishëm me këngë e valle folklorike të gërshetuara edhe me recitime, duke interpretuar me një skenografi dinjitoze.
Në kuadër të kremtimit të përvjetorit të 40-t të SHKA “Koha” dhe të 105- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, është shpalosur dhe një ekspozitë fotografish nga arkivi 40- vjeçar i veprimtarisë së SHKA “Koha”, e cila ka qëndruar e hapur në hollin e QKI “Malësia”. t. u.
