Shkrimtari që jeton me letërsinë dhe për letërsinë

Bisha ka thënë se të jesh shkrimtar është një punë e vështirë. Ai ka pranuar se “Nusja e detarit” është libri i tij i vlerësuar shumë nga të gjithë ata që kanë shkruar për krijimtarinë e tij. Shkrimtari ka thënë se ky është një libër që e don shumë dhe se me këtë novelë të gjatë është përpjekur që subjektin e saj, të dëgjuar sa e sa herë, të thotë diçka të re

Ulqin – Në sallën e konferencave të Hotelit “Plaza”, të premten është mbajtur mbrëmja autoriale me shkrimtarin Asllan Bisha, e organizuar nga Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Moderatori i takimit, poeti dhe studiuesi i letërsisë dr. Haxhi Shabani, ka thënë se Asllan Bisha është një shkrimtar në kuptimin e plotë të fjalës, i cili jeton me letërsinë dhe për letërsinë.
Ai ka theksuar se Bisha është autor i 15 veprave letrare, prej të cilave ka veçuar librin “Nusja e detarit”, si një prej veprave më të rëndësishme të këtij shkrimtari. Sipas tij, me këtë vepër Bisha ka ndërtuar “një trekëndësh, apo madje një katërkëndësh interesant, që është pritja, uji, vendlindja dhe dashuria”.
Më pas në bisedë me moderatorin, shkrimtari Asllan Bisha ka folur për krijimtarinë e tij dhe librat e preferuar, keqkuptimet që ka hasur me ndonjë vepër për shkak të temës së trajtuar, letërsinë shqipe në Malin e Zi, problemet e përkthimit të letërsisë shqipe etj.
Ai ka thënë se të jesh shkrimtar është një punë e vështirë.
Bisha ka pranuar se “Nusja e detarit” është libri i tij i vlerësuar shumë, nga të gjithë ata që kanë shkruar për krijimtarinë e tij.
“Është libër që e dua shumë dhe ka ndodhur që më kanë thënë, bie fjala Fatmir Toçi, që kur vij në Kala të Ulqinit më duket që çdo kalldrëm që shkeli më del përpara nusja e detarit”, është shprehur Bisha.
Shkrimtari ka thënë se me këtë novelë të gjatë është përpjekur që subjektin e saj, të dëgjuar sa e sa herë, të thotë diçka të re.
“Falënderoj të gjithë ju që e keni mirëkuptuar atë. Mirëpo, ky libër shpeshherë më ka sjellë edhe të papritura. Kam pasur edhe keqkuptime, sepse prej dashakeqësve është kuptuar se unë e trajtoj ulqinaken si një femër të pandershme”, është shprehur Bisha, duke sqaruar se në librin “Nusja e detarit” ai e shikon femrën si njeri që ka edhe të mirat, edhe të këqijat, si çdo mashkull.
Duke folur për librat e tij të preferuar, Bisha ka thënë se një libër tjetër të tij që po ashtu e don është “Frikë dhe dashuri në Barbanë”.
“Është një libër që i përket vendlindjes, jetës, bregut të Bunës dhe ngjarjeve që kanë ndodhur, jetës në kufi, e cila ka qenë plot ankth dhe pritje, sepse kufiri ishte ajo pjesë që ishte e tmerrshme, sidomos Buna”, ka thënë ai.
Shkrimtari ka folur edhe për letërsinë shqipe që krijohet në Malin e Zi dhe integrimin e saj në letërsinë shqipe dhe letërsinë që shkruhet në Malin e Zi.
Ai ka thënë se disa erëra dhe kohë më të mira janë për krijuesit shqiptarë dhe letërsinë shqipe në Malin e Zi.
“Është një klimë tjetër, mirëpo fatkeqësisht ne kemi qenë ngapak të harruar, edhe me fajin tonë, por edhe me gabimin e pushtetit të kaluar”, ka thënë Bisha.
Shkrimtari ka folur edhe për problemin e mosnjohjes sa duhet midis letërsisë shqipe dhe asaj malazeze.
“Mirëpo, tani janë disa bashkëpunime. Shpeshherë nuk janë të mjaftueshme. Pra, letërsia shqipe e shqiptarëve në Mal të Zi ose e shqiptarëve në përgjithësi nuk është përkthyer, bie fjala në letërsinë serbokroate dhe në letërsinë malazeze. Ka ende mosnjohje në mes këtyre dy letërsive. Faji gjithmonë është jetim, por edhe ne si shqiptarë, qoftë këtu, qoftë në Kosovë apo Shqipëri, duhet të bëjmë më shumë për t’u përkthyer, sepse jemi komb i vogël, jo pa vlera, por vlerat tona duhet t’i qesim në pah dhe në shesh”, ka thënë Bisha.
Për romanin “Nusja e detar Agronit” ka folur studiuesi i letërsisë Dimitrov Popoviq, i cili ka thënë se kur e lexon atë sqarohesh se cilësitë e popullit që i përkasin, i kanë edhe ulqinakët, bile shumë të mira.
“Edhe ata janë burra, që kanë kaluar nëpër historinë shumëshekullore me ballin lart, që kanë nxjerrë burra e gra, të nderuar, të respektuar dhe krenarë, që nuk ia kanë shtrirë dorën në lypje askujt, që e kanë nxjerrë bukën nga thellësitë e detit, në luftë me tërbimin e valëve dhe shkëmbinjtë e malit, që nuk kanë vuajtur pak, që janë rrahur me vaj e me uthull etj.”, ka theksuar ai.
Popoviq ka thënë se “autori ia ka arritur të na sjellë diçka fort të bukur përmes një përmbajtjeje të thjeshtë dhe të mbushur me ngjarje e ndodhi të një ambienti shqiptar veriperëndimor”.
Poeti Hajredin Kovaçi ka lexuar një fragment nga romani “Nusja e detar Agronit”, një CV të shkurtër dhe i ka shtruar pyetje shkrimtarit Bisha lidhur me veprimtarinë e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si njëri prej themeluesve të saj.
Mbrëmja autoriale është mbajtur në kuadër të edicionit të 28-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, i cili organizohet nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat