Ulqin – Në Atelier Gazi, të premten mbrëma (19 maj 2023) është bërë përurimi i përmbledhjes me tregime humoristike “Ndodhitë e Ditit” të shkrimtarit Asllan Bisha. Për librin dhe autorin kanë folur redaktori Dr. Haxhi Shabani, shkrimtari Hajro Ulqinaku, recensentët Ismet Kallaba dhe Gani Karamanaga, udhëheqësi i përurimit Gazmend Çitaku, i cili ka lexuar edhe fragmente nga libri. Ata kanë nënvizuar kontributin e Bishës në letërsinë shqipe në Malin e Zi dhe rëndësinë e këtij libri për letërsinë humoristike shqipe.
Redaktori i librit Dr. Haxhi Shabani ka thënë se kur të shkruhet në mënyrë objektive historia e letërsisë shqipe që krijohet nga autorët shqiptarë në Malin e Zi, shkrimtari Asllan Bisha është një emër që nuk mund të tejkalohet.
Ai ka thënë se duke bërë një retrospektivë të veprave të Bishës, i cili ka nisur të shkruajë në një moshë mund të thuhet të pjekur, vërehet se është një autor i cili mban gjallë këtë degë të letërsisë shqipe te shqiptarët në Malin e Zi, që është një meritë që duhet pohuar.
Shabani ka thënë se mendon se mënyra se si shkruan Asllan Bisha u takon atyre shkrimtarëve të cilët janë shkrimtarë të cilët shkruajnë thjesht, kuptueshëm dhe pretendojnë një lexues të gjerë.
“Në letërsi në përgjithësi në botë ka dy tipe shkrimtarësh: janë shkrimtarë të shkrimtarëve. Ka pastaj edhe shkrimtarë të cilët shkruajnë për masat, që botojnë ato që quhen bestsellerë, ata që botojnë për miliona. Asllan Bisha duket se është në mes dhe kultivon tema të atilla të cilat janë reale”, është shprehur ai.
Për shkrimtarin Hajro Ulqinaku, me këtë libër Asllan Bisha ka plotësuar një zbrazëti në letërsinë shqipe në përgjithësi, që është tregimi humoristik, “që është deficitar, nuk ekziston, të rrallë janë ata libra”.
Recensenti i librit Gani Karamanaga ka thënë se autori Bisha është një personalitet poliedrik me veprimtari të shumtë dhe të larmishme si në lëminë e prozës moderne shqiptare, ashtu edhe në atë shoqërore.
“Kjo vepër që e keni në dorë tregon se Asllani, si erudit i madh që është, me penën e tij vazhdon rrugëtimin nëpër letërsinë shqiptare bashkëkohore të lehtë për t’u kuptuar dhe lexuar”, ka thënë ai.
Karamanaga ka theksuar se Bisha flet edhe për ngjarje dhe data të cilat i ka përjetuar vetë dhe kanë lënë mbresa të thella në kujtimet e tij e në mbarë shoqërinë.
“Leximi i veprave të Asllan Bishës të bën të lundrosh në kohë, dekada pas dhe t’i shohë krejt momentet dhe kohët e kaluara, porositë që sjellin ato”, është shprehur ai.
Recensenti tjetër i librit, Ismet Kallaba, ka thënë se Bisha është shkrimtar i temave jetësore, ndërsa personazhet e tij, disa prej të cilëve realë, janë të veçantë.
Ai ka theksuar se përmbledhja “Ndodhitë e Ditit” përbëhet nga gjashtë tregime humoristike që ngjallin kërshërinë e lexuesit.
“Disa prej tregimeve bazohen në ngjarje reale të jetës sonë të përditshme, të cilat autori i stilizon artistikisht duke ndërtuar skena komike, tërheqëse për lexuesin. Bisha dëshmohet si mjeshtër i tregimit humoristik, i cili lëvron me sukses pothuajse të gjitha llojet e prozës. Mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e tregimeve është ai vendas – kryesisht Ulqini me rrethinë, që autori e njeh mirë. Rrëfimi dhe gjuha e thjeshtë e ndihmojnë lexuesin të kuptojë lehtë mesazhet që përçon secili tregim veç e veç dhe libri si tërësi”, ka thënë Kallaba.
Udhëheqësi i përurimit Gazmend Çitaku ka thënë se autori ka sjellë tregime humoristike të protagonistit kryesor Ditit dhe ngjarje interesante që e karakterizojnë atë.
“Heronjtë e Asllan Bishës nuk janë vetëm mësuesit, kolegët e punës, por edhe njerëzit nga jeta e përditshme, domethënë shokët e tij apo shokët e shokëve. Kësisoj krijohen tregimet por edhe personazhet që u lindi ideja për të dhënë lëndën, siç ishte lënda e muzikës apo e fiskulturës, në këtë rast Diti. Për ta bërë të mundur regjistrimin e këtyre tregimeve, autori është dashur që të mos jetë vetëm shkrimtar, por të jetë edhe ilustrues i këtyre tregimeve. Autori është dashur që të mos jetë vetëm shkrimtar, por duhet të jetë edhe vëzhgues, përkthyes, bibliotekar, shitës, librashitës dhe mësues për të mësuar për t’i treguar këto tregime”, ka thënë ai.
Të pranishmve në përurim iu është drejtuar edhe autori Asllan Bisha, i cili i ka falënderuar për pjesëmarrjen.
Libri “Ndodhitë e Ditit” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
i. k.
