Shkrimi i historisë kombëtare përmes arkitekturës vernakulare

Lufta e fundit në Kosovë (1998-1999) bëri që shumë prej kullave të digjen dhe të rrënohen, ndërsa shumë prej ndërtimeve tjera tradicionale të zhduken. Përvoja e profesorit bëri që shumë kulla e shtëpi fshatare dhe qytetare të rindërtohen, me ç’rast, shumë kulla të ngriten edhe një herë në piedestalin e tyre të lavdisë

Korab Kraja

Falënderoj Asociacionin e Arkitektëve të Kosovës për organizimin e kësaj ngjarjeje, e cila nuk do të jetë ngjarja e vetme e organizuar nga ata.
Sonte, ndër të tjera, jemi mbledhur që të bëjmë përurimin e dy monografive të profesorit universitar të Fakultetit të Arkitekturës Dr. Flamur Dolit. Jam i nderuar të bëj prezantimin e monografisë “Arkitektura vernakulare e Kosovës” për dy arsye: e para, sepse vështrimin vlerësues për të po e bën studenti i profesorit; dhe e dyta, sepse monografia studimore paraqet një këndvështrim të veçantë historik, arkitekturor, etnografik dhe kulturor të traditës sonë ndërtimore. Më konkretisht, studimi i tij bën shtjellimin e etnogjenezës sonë ndërtimore, duke e ndërthurur atë me traditën vendase dhe duke e shtjelluar atë përmes konceptimit të mendësisë vendase. Mund të thuhet se praktika kreative shekullore shqiptare, përmes shprehjes ndërtimore dhe arritjeve konstruktive dhe estetike, është shprehur edhe në arkitekturën tonë vernakulare. E, veçanërisht, është kulla ajo arritja më kulmore, kur mjeshtri popullor shqiptar shprehu tërë përvojën e tij shoqërore dhe rrethanore, kur mjeshtri popullor shqiptar dha kontributin fisnik të kryemjeshtrit për konceptimin e hapësirave funksionale të saj, dhe është vetëdija e mjeshtrit popullor shqiptar që kullën e bëri ndër arritjet më të mëdha arkitekturore dhe e hodhi hapin në largpamësi që ta bëjë atë sot simbolin e krenarisë së kombit tonë.
Prof. Dr. Flamur Doli ishte i vetëdijshëm në të kaluarën e tij, qysh kur ishte student, se këto ndërtime shprehnin një rëndësi të madhe në shoqërinë tonë. Dhe, ishte i vetëdijshëm se obligimi moral për to është obligim edhe profesional. Përkushtimi i tij moral në të kaluarën bëri që trajtimi i arkitekturës popullore të bëhet sot përkushtim profesional. Kushtet shoqërore dhe politike, në të cilat prof. Flamur Doli bëri hulumtimet e para, u bënë faktor i rëndësishëm për rrekjen e studimeve të shtëpive fshatare dhe qytetare, prandaj mund të thuhet se vetëdija e tij e shtynte të mendonte se shumë ndërtime të tilla me vlera të mëdha historike dhe estetike, në një të ardhme të afërt nuk do të ekzistonin më. Lufta e fundit në Kosovë (1998-1999) bëri që shumë prej kullave të digjen dhe të rrënohen, ndërsa shumë prej ndërtimeve tjera tradicionale të zhduken. Përvoja e profesorit bëri që shumë kulla e shtëpi fshatare dhe qytetare të rindërtohen, me ç’rast, shumë kulla të ngriten edhe një herë në piedestalin e tyre të lavdisë.
Siç e thotë shkrimtari dhe kritiku i njohur i artit dhe arkitekturës, John Ruskin: “Kombet e mëdha shkruajnë autobiografitë e tyre në tre dorëshkrime: librin e veprave të tyre, librin e fjalëve të tyre dhe librin e artit të tyre. Asnjë nga këta libra nuk mund të kuptohet nëse nuk i lexojmë dy të tjerët; por nga të tre, i vetmi mjaftueshëm i besueshëm është i fundit.” Çfarë mund të gjendet në këtë thënie për veprat profesionale studimore të prof. Flamur Dolit? Duke filluar që nga monografitë “Shkolla kosovare e mjeshtrit popullor shqiptar”, “Të krijuarit dhe arkitektura”, “Arkitektura tradicionale-popullore e Kosovës”, e deri te dy monografitë që po i përurojmë sonte, “Ruajtja praktike e trashëgimisë arkitektonike në Kosovë” dhe “Arkitektura vernakulare e Kosovës” (në gjuhën angleze), mund të thuhet se Prof. Dr. Flamur Doli e ka shkruar historinë kombëtare përmes arkitekturës vernakulare. Ai është i vetëdijshëm se “në historinë e gjithëmbarshme të popullit tonë, me një lashtësi mijëvjeçare, bën pjesë edhe historia e arkitekturës shqiptare, e cila karakterizohet me një vazhdimësi të pandërprerë që nga parahistoria e këtej.” (Doli, Flamur, Arkitektura vernakulare e Kosovës, f. 17.)
Monografia “Arkitektura vernakulare e Kosovës” është monografi e veçantë e këtij lloji. Në këtë monografi autori trajton temën e krijimit të arkitekturës ndër shqiptarët, duke kulmuar me kullat dhe duke përfunduar me simbolizmat dhe bestytnitë mitologjike ndër shqiptarët. Përkufizimet e trajtuara shkencërisht përmes analogjisë krahasuese që gjenden në këtë monografi, e bën studimin të qartë në lexueshmëri, të saktë në kuptueshmëri dhe të vlefshëm profesionalisht. Monografia ndahet në katër kapituj dhe në nëntë nënkapituj. Ndërsa, të nëntë nënkapitujt kanë titujt dhe nëntitujt e tyre.
Nëse në kapitullin hyrës trajtohet në mënyrë shteruese hyrja dhe përkufizimi i lëndës studimore, në të cilën shprehet kontributi profesional dhe praktik në kontekst të ruajtjes së ngulimeve të banimit tradicional shqiptar, si dhe nëse në këtë kapitull bëhet shtjellimi i fatit të kulturës materiale dhe emancipimit shoqëror ndërkombëtar për kullën e Rrafshit të Dukagjinit, atëherë kapitulli i parë, i titulluar si Pjesa e parë, trajton arkitekturën në kontekstin gjeografik dhe historik duke marrë për bazë kulturën materiale dhe shpirtërore të lashtësisë sonë, që zë fill që nga ilirët. Pikërisht edhe për këtë arsye, pjesa e parë e kësaj monografie fillon me pozitën gjeografike të Ulqinit, duke trajtuar themelimin e tij dhe duke i kushtuar rëndësi edhe murit ilir si themel-bazë të kalasë së tij. Kujdes të veçantë autori i kushton edhe rretheve rurale, i cili nga një qytet mijëvjeçar bregdetar, kap dhe trajton zonat më rurale e malore të trevës së Krajës, duke u ndalur pikërisht në Shestan. Aty autori shpërbën koshin e misrit të Shestanit dhe e ndërthur atë si riprodhim të tipareve hapësinore formësuese të cipusit ilir. Rëndësi të posaçme i kushton edhe shtëpisë arkaike të Shestanit me strukturë planimetrike ovale dhe drejtkëndore, me të cilat autori arrin në përfundimin e mbetjeve nga lashtësitë pellazgo-ilire.
Pjesa e dytë e monografisë mund të thuhet se është studimi themelor, me të cilën vepra jetësohet dhe merr rëndësinë e saj. Shkrimtari i njohur shkodran, Zija Çela, thotë se monografia përpos që është e rëndë për nga pesha vëllimore e saj, ajo është e rëndë edhe për nga përmbajtja e saj. Studimet e hollësishme dhe gjuha e saktë, e qartë dhe shteruese në përkufizimet e dhëna, e trajtojnë kullën shqiptare me një përmbajtje të larmishme dhe të përkryer. Zbërthimi që autori i bën kullës kalon nëpër disa faza strukturore-shkencore. Përpos që arrin të bëjë ndarjen themelore të stilit arkitektonik të kullës së Rrafshit të Dukagjinit dhe të kullës së Drenicës, monografia synon të trajtojë edhe përkufizimet e çdo elementi hapësinor dhe funksional, rrethanor dhe bestytnor. Ky kapitull fillon me trajtimin e Odës së burrave, si njësi karakteristike e kullës për banim, duke e shtjelluar atë përmes dispozicionit arkitektonik-funksional që nga parahistoria, me tipare të mbijetuara që nga periudha e neolitit të vonë dhe duke e përfunduar këtë trajtim me hallkat e një procesi të pandërprerë të evoluimit të kullës shqiptare. Pjesët, si divanhanja me dyshekllëk, tipologjia, shfrytëzimi, elementet mbrojtëse, strukturimi urbarkitektonik i japin kapitullit karakter të rëndësishëm shkencor, duke studiuar tipet e kullave përmes shembujve të veçantë ekzistues dhe duke e trajtuar elementografinë e kullës në përbërjet e saj funksionale. Trajtohen kullat me peshë historike, si “Oda e Junikut” dhe përmbyllet me kullat dhe historikun e tipareve urbarkitektonike në krahinën etnografike të Plavës dhe Gucisë. Kapitulli mbyllet me ndërtimet tjera të veçanta, të ashtuquajtura si ndërtime ekonomike, pra ndihmëse, që përbëjnë strukturën hapësinore të oborrit të shtëpisë fshatare dhe kullave, siç janë hambari dhe koshi, në të cilat gjen ornamentikën simbolike të shprehur në morfologjinë ndërtimore të tyre.
Studimi përmbyllet me pjesën e fundit, e cila trajton një aspekt të veçantë në kulturën materiale dhe jomateriale. Ornamentika e kultit të Diellit dhe ornamentika e kultit të gjarprit të shtëpisë në arkitekturën popullore, i japin veprës karakter mitologjik dhe etnografik, duke e bërë atë simbiozë të ndërtimit dhe në besimin në atë që ndërtohet.
“Kur të ndërtojmë”, ka thënë John Ruskin, “le të mendojmë se do të ndërtojmë përgjithmonë”. Prandaj, mund të thuhet se arkitektura popullore shqiptare e Kosovës personifikohet me emrin e Prof. Dr. Famur Dolit.
(Vështrimi është lexuar në përurimin e librit në Ulqin, më 28 prill 2023)

Të fundit

më të lexuarat