Shkrimi është punë e mundimshme

“Beloja është shkrimtar i mirë dhe serioz. Ai nuk është as shkrimtar i mirë ulqinak, nuk është as shkrimtar i mirë malazez, nuk është as shkrimtar i mirë shqiptar, sepse thjesht nuk mund të jesh shkrimtar i mirë lokal ose nacional. Ose je shkrimtar i mirë, ose nuk je”, ka theksuar shkrimtari Andrej Nikolaidis

Ulqin – Në mjediset e jashtme përpara Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, të enjten mbrëma u mbajt mbrëmje autoriale me shkrimtarin vendas Muzafer Çaushi.
Në bisedë me shkrimtarin Andrej Nikolaidis, Çaushi ka rrëfyer rrugëtimin e tij në letërsi, ka folur për temat e tij të preferuara që lidhen me rrethin ku jeton, pse ka disa vite që nuk ka botuar libër të ri etj.
Në pyetjen se cila ka qenë arsyeja që ka hyrë “vonë” në botën e letërsisë dhe në moshën 49-vjeçare ka botuar përmbledhjen e parë me tregime “Predstave subotom uveče“, Çaushi ka thënë se nuk mendon se është vonuar.
“Konsideroj se çdo kohë që mendon se ke për të thënë diçka, është koha e duhur për krijimtari. Kështu që nuk është se kam humbur diçka në këtë drejtim”, është shprehur ai.
Çaushi ka treguar se në ujërat e letërsisë ka hyrë “rastësisht”, pavarësisht se që në shkollën fillore ka filluar të shkruaj poezi dhe tregime.
“Rastësisht në kuptimin që atë që e kam shkruar në fillim, nuk e kam shkruar që të botoj libër. Nuk jam ulur dhe të them që do të botoj libër”, ka thënë shkrimtari.
Ai ka treguar se libri i tij i parë ka lindur si rezultat i komunikimit me shokët e tij të gjeneratës në çat dhe platforma të ndryshme në internet, ku ai dhe kolegët e tij kanë shkruar për kujtimet e tyre nga fëmijëria dhe rinia e hershme.
“Unë kam shkruar disa tregime, pa pretendime që të formojnë një vepër letrare. Por më kanë befasuar reagimet. Kanë filluar reagimet që këto tregime vlejnë… Dhe kur janë mbledhur disa tregime të tilla, bisedat dhe korrespondencat kanë zgjatur me muaj, një ditë jam ulur dhe kam vendosur që ato t’i rregulloj dhe t’i sjell në formën e tregimeve”, ka thënë Çaushi.
Sipas tij, shkrimi është punë e mundimshme, kërkon të mbyllesh mes katër mureve dhe të jesh në një botë të posaçme.
Çaushi i ka cilësuar të pakuptimta pohimet e atyre që thonë se shkruajnë vetëm për veten e tyre, sepse njeriu flet, shkruan dhe krijon për t’ia treguar dikujt atë.
Shkrimtari Andrej Nikolaidis ka thënë se Çaushi është shkrimtar i mirë në kuptimin e vërtetë të fjalës.
“Ai nuk është as shkrimtar i mirë ulqinak, nuk është as shkrimtar i mirë malazez, nuk është as shkrimtar i mirë shqiptar, sepse thjesht nuk mund të jesh shkrimtar i mirë lokal ose nacional. Ose je shkrimtar i mirë, ose nuk je”, ka theksuar ai.
Nikolaidis ka thënë se Çaushi është një shkrimtar serioz, gjë që e ka vërtetuar qëkur ka marrë në dorë dorëshkrimin e librit të tij të parë.
“Ato kanë qenë tregime të shkurtra, pa pretendime. Dhe jopretencioziteti është i mirë në letërsi, tregime të cilat në mënyrë perfekte e kanë trajtuar dhe përshkruar shpirtin e Ulqinit, shpirtin e Ranës, aq sa unë e njoh atë shpirt… Më vonë tregimet e Belos janë bërë gjithnjë e më komplekse, ashtu që janë bërë kompozicione komplekse”, ka thënë ndër të tjera ai.
Nikolaidis ka thënë se Çaushi nuk është i vlerësuar sa duhet si shkrimtar në vendin e vet.
“Shpeshherë biejmë në atë rutinën ku minimizojmë diçka që është lokale, që është e jona, dhe e shohim si diçka të mirë atë që vjen nga mjediset tjera. Jo, ne kemi këtu vërtet një shkrimtar të jashtëzakonshëm. Letërsia e tij është letërsi e mirë, e letërsia e mirë është e rrallë”, ka nënvizuar ai.
Udhëheqësja e mbrëmjes Ardita Rama ka thënë se tregimet e Çaushit edhe pse të shkurtra mund të lexohen si roman, duke të kthyer në kohë e duke përjetuar me autorin çdo emocion, personazh e ngjarje.
“Me tregimet e tij Çaushi i ruajti nga harresa ata njerëz që jetonin e vdisnin për detin, duke i përjetësuar me lapsin e tij ato biseda të zakonshme që bënin peshkatarët ulqinakë nëpër kafene, ku mblidheshin për t’u çlodhur nga betejat e jetës. Personazhet shfaqen para syrit të lexuesit aq të afërt e të gjallë, sikur të njiheshin qëmoti. Besoj se ai lexues që e ka marrë në dorë librin e Çaushit, e ka lexuar me një frymë, sepse ngjall kërshëri që në rreshtin e parë, jo vetëm për shkak të shkrimit të bukur, por edhe për faktin se këto tregime janë dëshmi autentike të jetës së përditshme ulqinake, përplot detaje, por edhe nostalgji për të shkuarën”, ka thënë ajo.
Gjatë mbrëmjes autoriale vetë shkrimtari Muzafer Çaushi dhe udhëheqësja e mbrëmjes Ardita Rama kanë lexuar fragmente në gjuhën shqipe dhe malazeze nga krijimtaria e autorit.
Muzafer Çaushi ka lindur në vitin 1959. Ka përfunduar studimet për gazetari në Sarajevë. Deri tash ka botuar dy vëllime me tregime “Predstave subotom uveče” (i përkthyer në gjuhën shqipe “Shfaqjet e së shtunës mbrëma”) dhe “Svako mora imati nekog”. Po ashtu është autor i librit didaktik për fëmijë “Kush e shëroi Elefantushin” dhe bashkautor i librit për fëmijë “Tutuja dhe Elefantushi kërkojnë fëmijët”. Tregimet e tij janë botuar në shumë antologji e revista letrare. Shkruan në gjuhën malazeze dhe shquhet për stilin karakteristik, plot lokalizma dhe shprehje frazeologjike.
Mbrëmja autoriale është organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, në kuadër të edicionit të 28-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat