Shkollë model në rajon

Gjekë Gjonaj

Shkolla Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Ostros të Krajës ka një histori të vjetër. Ajo u themelua para 94 vitesh. Për nder të këtij përvjetori të rëndësishëm, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës më 10 mars 2023 shfaqën një program festiv para mësimdhënësve, prindërve dhe pjesëmarrësve të tjerë.
Në fjalën e hapjes drejtori i shkollës Sami Dodiq, duke i përshëndetur pjesëmarrësit foli për të arriturat e shkollës gjatë rrugëtimit të saj të gjatë, për punën me përkushtim të mësimdhënësve, për suksesin e nxënësve dhe për përmirësimin e infrastrukturës shkollore. “Ne po punojmë dhe veprojmë në të mirën e të gjithëve dhe me një angazhim maksimal kemi arritur që të jemi një shkollë model dhe e afirmuar. Kjo shkollë vit pas viti shënohen suksese të reja që të gjithëve na gëzojnë pa masë. Krenohemi për suksesin dhe sjelljen e nxënësve, me organizimin e punës, me infrastrukturën shkollore dhe me kontributin e donatorëve të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit, në veçanti të mërgimtarëve nga Kraja, falë të cilëve kemi arritur të jemi shkollë model në rajon. Kjo shkollë sot shërben si shembull model. Jemi angazhuar shumë edhe në rregullimin dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Kështu para pak kohe kemi realizuar projektin për ndërrimin e dritareve në dy kabinete të financuara nga Komuna e Tivarit”, tha Dodiqi. Sipas fjalëve të tij, kjo shkollë dita-ditës po pasurohet edhe me mjete mësimore për realizimin e mësimit bashkëkohor, duke u pajisur me disa kompjuterë, elemente dhe pajisje të tjera, donacion po ashtu nga Komuna e Tivarit. Përveç mërgimtarëve dhe Komunës së Tivarit, Dodiqi përmendi edhe mbështetjen financiare të Bashkësisë Lokale Ostros e cila, siç u shpreh ai, këtë vit shkollor dhuroi një donacion për sigurimin e mjeteve mësimore dhe përmirësimin e kushteve në shkollë.
Drejtori Dodiqi falënderoi nënkryetarin e Shoqatës “Kraja” në Nju Jork , Musa Lukën i cili përmes shoqatës dhuroi donacion, mjete dhe materiale mësimore të nevojshme për nevojat e zhvillimit të mësimit gjithnjë më të suksesshëm. Për nder të kësaj feste nxënësit kanë përgatitur edhe një ekspozitë të arteve figurative me punimet e veta. Me këtë rast u përurua edhe numri i 25-të i Revistës “Valët” ku janë botuar krijime të nxënësve të shkollës edhe të autorëve të tjerë të letërsisë shqipe.
Duhet thënë se kushdo që ka qenë mësues apo nxënës në këtë shkollë, është shkruar në librin e madh të historisë së saj. Ata janë pjesë e një kolektivi të vogël por të suksesshëm ëndrrash, të cilët vit pas viti e kthyen këtë institucion edukativo-arsimor në një çerdhe të dijes dhe të edukimit në frymën e atdhedashurisë për vendlindjen, për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar. Kjo ndjenjë e përkatësisë ndaj kësaj historie suksesi gati njëshekullor, besoj se rikthen me dëshirë gjithsecilin prej tyre në këtë shkollë, qoftë edhe një herë të vetme. Kjo shkollë ka qenë dhe mbeti një familje me dinjitet, dikur e madhe kurse sot e vogël për nga numri e i nxënësve e cila i bashkon në rrugën dhe misionin e shenjtë të arsimimit dhe edukimit të rinjtë kranjanë.

Të fundit

më të lexuarat