Shkolla shqipe dhe intelektualët vuthjanë

“Është një nder i veçantë që sot, këtu në zemër të historisë sonë, të shfaqim dokumentarin ‘Shkolla shqipe dhe intelektualët vuthjanë’, një vepër që pasqyron me krenari shpirtin e dijes dhe përkushtimit të këtij fshati të bekuar. Fshati Vuthaj nuk është vetëm një vendbanim i bukur malor, ai është një vatër e dijes, një burim i pashtershëm i mendimit dhe përkushtimit kombëtar”, ka thënë Dr. sc. Erzen R. Gjonbalaj

Fshati Vuthaj i komunës së Gucisë është vendbanim me popullatë tërësisht shqiptare. Është fshat piktoresk me pozitë kodrinore, me bukuri të rralla natyrore (kanione, ujëvara, shpella etj.), të cilat janë motiv i joshjes së shumë vizitorëve, turistëve nga komuna dhe më gjerë. Mysafirët me rastin e vizitës së këtij fshati fitojnë përshtypjen se kanë të bëjnë me një trevë atraksionesh e bukurish që ka krijuar natyra, të cilat rrallëkund mund t’i hasin, si Ujëvara Gërla, Syri i Kaltër (i Skavkaçit), Lugina e Ropojanit, Bjeshka e Bjeliçit, Krojet e Ali Pashës etj.
Në të kaluarën jo shumë të largët, Vuthajt ishin një ndër fshatrat më të mëdha në trevën e komunës së atëhershme të Plavës. Asaj kohe numëronte mbi 200 familje me mbi 1 200 banorë. Është fshat që shtrihet përballë e rrëzë Alpeve Shqiptare dhe bjeshkëve të larta me pyje e kreshta. Por gjithsesi fshat i cili më tepër veçohet, njihet e përmendet si vatër e shumë ngjarjeve dhe ndodhive historike. Mirëpo, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të zëshëm dhe më të njohur atë, është e dhëna se fshati Vuthaj është vruall burimi i një plejade intelektualësh shqiptarë të profileve të ndryshme profesionale, të cilët me përkushtim dhe dinjitet kontributin e vet e japin anekënd botës ku jetojnë, punojnë dhe veprojnë.
Ndër malësorët vuthjanë, qëmoti ka lindur ideja që për këtë vendbanim rural me histori të bujshme, të flitet dhe shkruhet në media të shkruara dhe elektronike, për ta njohur në mënyrë konkrete lexuesin, dëgjuesin dhe shikuesin me virtytet e tij të larta.
Nismëtar i kësaj çështjeje madhore ishte aktivisti i shumanshëm vuthjan, Dr. sc. Erzen R. Gjonbalaj, i cili në koordinim dhe bashkëpunim me bashkëvendësin, historianin, publicistin dhe shkrimtarin Rexhep M. Dedushaj, pak kohë më parë u organizuan që të punojnë në realizimin e një filmi dokumentar kushtuar vendlindjes së tyre – Vuthajve. Edhe pse në fillim u përballën me pengesa të ndryshme, kryesisht të karakterit mbështetës financiar, më në fund me përkrahjen modeste materiale të mërgimtarëve vuthjanë në diasporë ia dolën që ta koncipojnë dokumentarin në fjalë, të titulluar “Shkolla shqipe dhe intelektualët vuthjanë”.
Lidhur me këtë, organizuesi kryesor i këtij aktiviteti, Dr. sc. Erzen R. Gjonbalaj, në promovimin e dokumentarit në fjalë, i cili u bë të premten më 2 maj 2025 në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, në praninë e një numri të konsiderueshëm vuthjanësh, por edhe të shqiptarëve nga vendbanimet me popullatë shqiptare të komunave të Plavës e Gucisë, por edhe nga Rozhaja e Republika e Kosovës, me rastin e hapjes së promovimit, në fjalën e vet përshëndetëse tha:
“Është një nder i veçantë që sot, këtu në zemër të historisë sonë, të shfaqim dokumentarin ‘Shkolla shqipe dhe intelektualët vuthjanë’, një vepër që pasqyron me krenari shpirtin e dijes dhe përkushtimit të këtij fshati të bekuar. Fshati Vuthaj nuk është vetëm një vendbanim i bukur malor, ai është një vatër e dijes, një burim i pashtershëm i mendimit dhe përkushtimit kombëtar”. Në vazhdim ai theksoi se “Nuk ka shtëpi në Vuthaj që nuk e ka dhënë një intelektual – një mësues, një profesor, një mjek, një krijues, një atdhetar. Kjo është një dëshmi e rrënjëve të forta kulturore dhe shpirtit të palodhur të këtij vendi. Është kënaqësi dhe nder i veçantë të jemi së bashku sot në këtë moment të rëndësishëm kulturor dhe historik, është një homazh për mendimin, përkushtimin dhe kontributin e atyre bijve e bijave të Vuthajve që me dijen, penën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë te pashlyeshme në historinë dhe kulturën tonë kombëtare”.
Sipas Gjonbalajt, nëpërmjet këtij organizimi jo vetëm që kujtojnë figurat e ndritura të këtij fshati të vogël me zemër të madhe, por njëkohësisht frymëzohen nga rruga e tyre – rruga e dijes, përkushtimit dhe atdhedashurisë.
Ai ka thënë se intelektualët e Vuthajve nuk kontribuan vetëm në vendlindjen e tyre, por dhanë një kontribut të çmuar edhe në Kosovë.
“Nga ky fshat, shumë të rinj vazhduan shkollimin e tyre në qendrat arsimore të Kosovës, ku jo pak prej tyre u afirmuan si figura të rëndësishme në fusha të ndryshme të dijes. Sot pjesë e tyre janë akademikë të njohur që me punën dhe angazhimin e tyre kanë lënë gjurmë në jetën arsimore, shkencore dhe kulturore të Kosovës”, është shprehur autori i dokumentarit.
Ndërkaq meritor për koncipimin e suksesshëm të filmit dokumentar, e njëherazi skenaristi i tij, historiani Rexhep M. Dedushaj, në fjalën e rastit ka treguar se pas një përgatitjeje të gjatë me Erzen Gjonbalajn kanë koncipuar filmin dokumentar për shkollat shqipe në krahinën e Plavës dhe Gucisë.
“Mua si historian, falënderoj që më kanë respektuar, m’u ka dashtë të marr iniciativën me ia nisë, por edhe për shkak të mungesës së mjeteve, edhe për shkak se është tema shumë e gjerë ne kemi rënë dakord që atë me e nda në dy pjesë. Prej ekzistimit të shqiptarëve, qysh në kohën e Mbretit Genc e deri në vitin 1963, jemi marrë me shkollën e Vuthajve dhe të Gucisë. Pse të Vuthajve? Sepse nga Vuthajt kanë dalë intelektualët më të mëdhenj dhe kanë pasur përgjegjësi të madhe, madje edhe në Kosovë, dhe se shkolla e Vuthajve është shkolla e vetme në Mal të Zi që nuk ia kanë dalë kurrë ta mbyllin. Pastaj, ata që u shkolluan në Vuthaj dhe vazhduan në shkollën e Gucisë dhe pastaj kanë vazhduar shkollimin e mesëm e superior kryesisht në Kosovë, ashtu që sot çdo shtëpi vuthjane e ka nga një intelektual”, ka thënë ai.
Para shfaqjes së filmit dokumentar “Shkolla shqipe dhe intelektualët vuthjanë”, të pranishmit i përshëndetën mysafirët nga Kosova: kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve nga Peja, Esat Loshaj, kryetari i Klubit Letrar “Podguri” nga Istogu, Nuredin Imeraj, dhe nga Komuna e Rozhajës, aktivisti i shumanshëm dhe veterani i arsimit shqip, mësimdhënësi shumëvjeçar në shkollën fillore “Dacaj” të Dacajve, Sokol Daci, prania e të cilit u përshëndet me duartrokitje frenetike, ndërsa me një pikturë atë e nderoi piktorja Kaltrina Hoti.
Të pranishmit po аshtu i përshëndeti veprimtari i çështjes kombëtare, mësimdhënësi, gazetari dhe shkrimtari Ali Daci, si dhe Hasnije Kukaj – Gjonbalaj, mësimdhënëse në pension, e cila me admirim foli për veprimtarinë e ndritshme jetësore të aktivistit të ndjerë vuthjan Ramadan Gjonbalaj, babait të Dr. Sc. Erzen Gjonbalajt.
Gjatë shfaqjes së dokumentarit, të pranishmit përcollën me vëmendje rrëfimet e protagonistëve
të dokumentarit: historianit Rexhep M. Dedushaj, gazetarit Zenun H. Çelaj dhe profesorit universitar Beqir Sadik Hasangjekaj.
Pjesë e programit të promovimit të filmit dokumentar ishte edhe muzika, ku me tri këngë popullore – patriotike u paraqit këngëtari i njohur nga Skenderajt e Kosovës, Fejzë Hoxha, përcjellë me valle popullore nga valltari gjakovar Esad Sahiti.
Po të njëjtën ditë, në mbrëmje, në Vuthaj është bërë promovimi i pjesës së dytë të dokumentarit, me titull “Nata e grave”.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat