Shkëmbim i vlerave dhe përvojës teatrore shqiptare

Drama “Nana” është shfaqur në natën e tretë të këtij Festivali, në amfiteatrin e Qendrës për Kulturë në Dibër. Para publikut dibran kanë interpretuar aktorët Blerta Kurti, Muho Uruçi, Anes Kurti, Albana Kurti – Zeçeviq dhe Bashkim Alaj, të cilët janë përshëndetur me duartrokitje të zjarrta nga publiku i madh në numër dhe janë vlerësuar shumë lart nga panelistët e Festivalit

Teatri “Teuta” nga Ulqini ka marrë pjesë me shfaqjen “Nana” në edicionin e 16-të të “Festivalit të Teatrit Shqiptar”, i cili është mbajtur nga data 31 tetor deri më 4 nëntor në Dibër të Madhe të Maqedonisë.
Drama “Nana”, me regji të Munib Abazit dhe me asistente të regjisë Edina Mustafiq, është shfaqur në natën e tretë të këtij Festivali, në amfiteatrin e Qendrës për Kulturë në Dibër.
Para publikut dibran kanë interpretuar aktorët Blerta Kurti, Muho Uruçi, Anes Kurti, Albana Kurti – Zeçeviq dhe Bashkim Alaj, të cilët sipas drejtuesve të Teatrit “Teuta” janë përshëndetur me duartrokitje të zjarrta nga publiku i madh në numër dhe janë vlerësuar shumë lart nga panelistët e Festivalit.
Edicioni i sivjetshëm i Festivalit teatror në Dibër bëri bashkë aktorët nga Ulqini, Shkodra, Gjilani, Presheva, Podujeva e Dibra e Madhe, të cilët shkëmbyen vlera të përvojës sonë teatrore, përvojës së përbashkët, si edhe të asaj bashkëkohëse botërore, por, mbi të gjitha, u fol shqipja në një gjuhë të bukur letrare.
Drama “Nana” me autore Arlinda Morinën trajton një temë universale, siç është nëna, dashurinë ndaj saj, raportet familjare, problemet e brezave në familjen e sotme etj. Krahas mesazheve artistike që përcjell në rreth 40 minuta, drama ngërthen në vetvete edhe mesazhe fetare, duke treguar rolin e nënës dhe peshën e fjalës së saj. Drama përçon mesazhin se amaneti i nënës duhet respektuar dhe çuar në vend.
Që prej premierës së saj në Ulqin, në muajin mars të këtij viti, kjo dramë është dhënë në skena të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë.
“Nana” është drama e parë e Teatrit “Teuta”, i cili është themeluar në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Ulqin me qëllim të ringjalljes së jetës teatrore dhe kulturore në këtë qytet. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat