Tuz – Përfaqësues të Shkollës Fillore ”Cenap Sahabettin” nga Kadikoy – Turqia qëndruan për një vizitë disaditore në Shkollën Fillore “Mahmut Lekiq”, për të shkëmbyer përvoja në fushën e arsimit, si pjesë e partneritetit të ndërsjellë ndërkombëtar të këtyre dy institucioneve edukativo-arsimore.
Drejtori i SHF “Mahmut Lekiq”, Luigj Dedvukaj, u shpreh se institucioni që ai drejton e ka mirëpritur projektin e partneritetit ndërkombëtar me SHF ”Cenap Sahabettin” nga Turqia.
“Me synime të fokusuara në shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, promovimin ndërkulturor dhe njohjen me dijet shkencore, kulturore dhe historike. Ne mbështetëm nismën për këtë lloj bashkëpunimi ndërkombëtar, ku në muajin prill ishim mysafirë të shkollës në fjalë dhe nënshkruam protokollin e bashkëpunimit akademik e kulturor”, tha Dedvukaj.
Ai shtoi se se gjatë vizitës në SHF ”Cenap Sahabettin” në muajin prill, u njohën sipërfaqësisht me sistemin e tyre arsimor, ku shkëmbyen mendime dhe përvoja.
“Memorandumi i bashkëpunimit në fushën e arsimit i nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë ( i nënshkruar më 18 prill 2012), parashikon angazhimin e palëve për të zhvilluar bashkëpunime në fushën e arsimit në nivel të shkollave. Këto aktivitete kontribuojnë në bashkëpunimin më të mirë të institucioneve edukativo-arsimore të vendeve tona dhe janë shembull i praktikës së mirë në interes të sistemeve arsimore të të dy vendeve”, theksoi Dedvukaj.
Ai në shenjë falënderimi ndaj mysafirëve nga Turqia për çdo gjë që kanë bërë, e veçanërisht për bashkëpunimin e deritanishëm, ka ndarë plaketa dhe nga një libër.
Përfaqësues të Shkollës Fillore ”Cenap Sahabettin” nga Kadikoy – Turqia kanë vizituar edhe Komunën e Tuzit ku janë pritur nga kryetari Nik Gjeloshaj. Ata kanë diskutuar mbi projektet infrastrukturore të realizuara viteve të fundit në SHF “Mahmut Lekiq”, si dhe për mundësitë e shumta që ofron binjakëzimi i këtyre dy shkollave në fushën e arsimit.
Mysafirët nga Turqia gjithashtu kanë vizituar edhe Ambasadën e Turqisë në Mal të Zi dhe Medresenë “Mehmed Fatih”.
t. u.
