
Stacioni shëndetësor në Katërkollë
Ambulanca e parë në vitin 1949
Në Katërkollë për nevojat e shërbimit shëndetësor dhe të mbrojtjes shëndetësore të popullatës, në vitin 1949 është ndërtuar Ambulanca nga materiali i fortë.
Në Anën e Malit, në Katërkollë shërbimi shëndetësor ka nisur mjaft vonë me emrin ambulanca. Një shërbim shëndetësor i organizuar në atë anë nuk ka ekzistuar fare deri në vitin 1949. Tek atëherë, për herë të parë është hapur Ambulanca e cila ka qenë në kuadrin e shërbimit shëndetësor të Ulqinit. Shumë vite punëtorët shëndetësorë, para së gjithëve mjekët e Ulqinit, kanë shkuar në Katërkollë një ose dy herë në javë, ose nëse janë thirrur për rastet e të sëmurëve të palëvizshëm.
Në mes të dy luftërave botërore të sëmurët kanë shkuar në Tivar, në Ulqin ose në Shkodër (Shqipëri) dhe u janë drejtuar mjekëve apo punëtorëve të tjerë shëndetësorë për mbrojtje shëndetësore.
Po ashtu për barnat e rekomanduara kanë shkuar nëpër qytete të tjera dhe në ato barnatore i kanë gjetur barnat e kërkuara. Shumë herë kanë hequr dorë nga barnat e nevojshme shkaku i varfërisë në të cilën kanë jetuar. Bartja e të sëmurëve, transporti i njerëzve dhe i mallrave në përgjithësi ka qenë shumë i vështirë, sepse nuk ka pasur as rrugë as mjete transporti.
Ambulanca e përkohshme e llojit montazh “Besko” – Vlasotinci (Serbi)
Në tërmetin e vitit 1979 ambulanca e parë është prishur fare. Pranë asaj godine të lënë, në fund të prillit 1979 është ndërtuar një barakë tjetër e llojit montazh e cila përkohësisht ka shërbyer për nevojat e shëndetësisë (dhuratë e ndërmarrjes “Besko” nga Vlasotinci – Serbi). Ishte e madhësisë 80m2. Ai ishte objekti i parë në rrethin e Komunës së Ulqinit pas tërmetit të vitit 1979.
Stacioni shëndetësor i sotëm në Katërkollë
Objekti i sotëm në Katërkollë është ndërtuar në vitin 1981. Është donacion i Entit Republikan për Mbrojtje Sociale i cili edhe e ka pajisur me mjete medicinale.
Hapja solemne ka qenë më 26 nëntor 1981. Në këtë manifestim kanë folur: Lluka Knezheviq, në emër të Komunës së Ulqinit, Dr. Gani Karamanaga, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit dhe Kasem Ceka, kryetar i Bashkësisë Lokale të Katërkollës.
Është interesante të theksohet se për projektin e këtij stacioni shëndetësor, delegacioni në krye me nënkryetarin e Këshillit Ekzekutiv të atëhershëm, Ilija Popoviq, me inxhinier. Radomir Gazivoda dhe drejtorin Dr. Gani Karamanaga, kanë vizituar ambulancën në Grahovë e cila ka qenë e projektuar nga arkitekti Vojvodiq nga Nikshiqi dhe atje e kanë zgjedhur projektin të cilin e ka realizuar ndërmarrja “Primorje “, nga Ulqini.
Mbikëqyrësi i punimeve ka qenë inxhinieri i ri, Muharrem Mollabeqiri.
Mjeku i parë me orar të plotë pune ka qenë Dr. Shefqet Dollaku, pastaj Dr. Shuajb Resulbegu, Dr. Gani Karamanaga, Dr. Rexhep Spuzha , Dr. Myrto Salaj, Dr. Xhivat Mani.
Në ditët e sotme një kohë të gjatë në Stacionin shëndetësor të Katërkollës punojnë:
Dr. Sabrije Taipi dhe Dr. Adem Mustafa. Këta ishin besnikë vendlindjes sepse që nga fillimi janë duke shërbyer bashkëvendësit e tyre.
Shërbimet specialistike
Në një periudhë kanë shkuar për të punuar në Stacionin shëndetësor në Katërkollë mjekët specijalistë: internisti Dr. Ali Muharremi, pediatri Dr. Shefket Dollaku, pneumoftiziolollogu Prim. Dr. Gani Karamanga. Kohë pas kohe kanë punuar edhe mjekët gjinekologë Dr. Zylfije Duraku, Dr. Teuta Hoxha, Dr. Sadije Hollaj. Gjithashtu një herë në javë ka punuar ultrasonografinë edhe radiologu Dr. Selim Ismaili.
Stomatologjia
Në Stacionin shëndetësor të Katërkollës fillimisht kanë punuar: Dr. Muhamed Myrteza, Dr. Ali Haxhibeti, Dr. Minir Mavriqi, Më vonë edhe Dr. Fatmir Resulbegu, Dr. Vebi Çobaj. Një kohë të gjatë deri në dalje në pension punoi edhe Dr. Reshit Llolla.
Mund të konstatohet se pas tërmetit më 15 prill 1979 objekti i parë i përkohshëm shëndetësor si edhe ai me material të fortë janë ndërtuar në Katërkollë.
Duke respektuar nevojat e popullatës së Anës së Malit janë të nevojshme këto shërbime shëndetësore :
- emergjenca;
- shërbimet specialistike;
- pediatria.
Stacioni shëndetësor në Ostros (Krajë)
Kraja i takon Komunës së Tivarit, por në periudhën para riorganizimit të shërbimit shëndetësor në Ulqin, një kohë prej vitit 1976 deri në vitin 1983 ka qenë në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit.
Në këtë ambulancë kanë punuar mjekët: Dr. Anto Martinoviq, Dr. Gani Karamanaga, Dr. Rexhep Spuzha, Dr. Ahmet Maraj, Dr. Safer Zhygjeli. Ka punuar edhe Dr. Adem Mustafa nga viti 1989 deri në 1995. Do të theksohet se vetëm Dr. Adem Mustafa nuk ka marr specializim si “dhuratë” për punën në ambulancën e Krajës.
Gjithashtu në këtë stacion shëndetësor më parë kanë bërë shërbimin stomatologjik stomatologët: Dr. Muhamed Myrteza dhe Dr. Ali Haxhibeti.
Ambullanca e parë ka qenë në hyrje në Ostros në anë të djathtë.
Aty fillimisht ka qenë edhe posta e Krajës.
Ai vend është qujtur “VORRI KURT”. Pas Luftës së Dytë Botërore është dhënë urdhri që të zhduken varrezat në hyrje të Ostrosit dhe kështu kanë filluar ndërtimet e ambulancës me postë e të tjera.
Hapja solemne e ambulancës së re në Krajë ka qenë në vitin 1981. Në ceremoninë festive ka marrë pjesë edhe kryetari i qeverisë të atëhershme të Malit të Zi, Velko Millatoviq.
Prej vitit 1983 përsëri i takon Shtëpisë së Shëndetit të Tivarit. Po e përsëris: Ambulanca e Ostrosit atëherë ka qenë në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit të Ulqinit.
Sot në këtë ambulancë punon mjekja Dr. Ganimete Hoxha, specialiste për mjekësinë familjare, banore e Katërkollës.
Për nevojat e Krajës kjo ambulancë ofron shërbimet:
- mjekësia e përgjithme;
- vizitat e mjekut dhe patronazhit nëpër shtëpitë e të sëmurëve;
- laboratorinë;
- stomatologjinë;
- medikamentet më të nevojshme;
- transportin e të sëmurëve.
Tash për tash këto shërbime mjaftojnë…
Por Kraja është lënë pas dore. Fillimisht nga Komuna e Tivarit. Në vitet e shtatëdhjeta të shekullit XX në Krajë ka pasur rreth 4.000 banorë, kurse sipas disa informative sot janë diku 1.000 banorë.
Është obligim i krejt shoqërisë që të ndihmojnë zhvillimin e këtij rajoni në: - rregullimin e problemit të ujit;
- rekonstruimin e akseve rrugore Katërkollë-Ostros dhe Ostros-Virpazar;
- hapjen e kalimit kufitar Ske-Zogaj (Shqipëri),
- mundësitë e hapjes së vendeve të punës.
