Rona Kurti, nxënëse e klasës së pestë në Shkollën për Arsimin Fillor të Muzikës dhe Baletit në Ulqin, po shënon suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare të muzikës. Në garat e festivalit prestigjioz “Guarneri Fest”, i cili u mbajt për herë të parë këtë vit në Kotorr, violinistja e re arriti të kualifikohej në grand finalen e këtij aktiviteti. Festivali u zhvillua paralelisht edhe në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, ku mbi 100 garues nga Mali i Zi dhe shtetet fqinje konkurruan në nivele të larta.
Rona Kurti u shpall fituese e kategorisë së saj në Kotorr, me 99 pikë nga 100 pikë të mundshme, duke fituar ftesën për të marrë pjesë në grand finale, ku garuan 20 nxënësit më të mirë të kualifikuar nga tre shtete. Edhe pse vetëm 10 vjeçe, ajo performoi si soliste nën përcjelljen e orkestrës së harqeve të festivalit në Kur-sallon – Banja Koviljaçë të Serbisë, një arritje e jashtëzakonshme për moshën dhe talentin e saj.
Profesoresha e saj, Msc. Aksa Nimanbegu, e cilëson Ronën si një talente të veçantë.
“Rona është një nxënëse jashtëzakonisht e përkushtuar dhe me shumë pasion për muzikën. Performanca e saj në skenë, veçanërisht në një moshë kaq të re, është rezultat i punës së palodhur dhe përkushtimit të saj. Jam shumë krenare për arritjet e saj dhe e sigurt që ajo do të ketë një të ardhme të shkëlqyer në muzikë”, shprehet ajo.
Rona ka marrë pjesë në shumë gara dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare në vende të ndryshme, si Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, ku është shpallur fituese me çmime të ndryshme, përfshirë: Çmimin absolut me 100 pikë në Festivalin “Polyhimnia” në Maqedoni; Çmimin absolut me 100 pikë në Festivalin e të Rinjve në Malin e Zi; Çmimin e Parë me 99 pikë në “Guarneri Fest” në Malin e Zi; Çmimin e Parë me 98 pikë në garat ndërkombëtare në Zagreb (Kroaci); një tjetër Çmim i Parë me 94 pikë në garat ndërkombëtare në Zagreb (Kroaci); Çmimi i Parë me 90 pikë në garat ndërkombëtare “Mozart” në Serbi; Çmimi i Tretë me 89 pikë në “Tirana Talent” në Shqipëri; Çmimi i Tretë me 89 pikë në Festivalin “Pjetër Gaci” në Shqipëri.
Me këtë seri suksesesh, Rona Kurti po përfaqëson me dinjitet shkollën dhe vendin e saj në arenën ndërkombëtare të muzikës, duke u shndërruar në një shembull frymëzimi për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin pasionin e tyre artistik.
D. Teliqi
