
Nëse tranzicionit të stërzgjatur shqiptar dhe ballkanik do duhej t’i përzgjidhet copëza sharmante, ajo do të mund të ishte pjesa e tregimeve të tij letrare dhe dokumentare. Kjo, assesi, nuk bën të merret si konkluzë, sepse, për fat të keq ose të mirë, tranzicioni ynë vazhdon jetesën e vet tej stërzgjatjes, tej numërimit. Tranzicioni, botërisht i përemëruar si politik, në fakt, për gjeneratat tona përbën stilin e jetesës me të cilin ne jemi formuar e kalitur, përderisa gjithçka jetësore e kemi jetuar e përjetuar përgjatë kohës që historia mëton ta quajë tranzicion. Nëse për shumë gjenerata që përjetuan goditjet e viteve të ‘90-ta, tranzicioni është oqeania përmes të cilit arrihet te Itaka, për gjeneratat tona, tranzicioni është toka ose ujana ku kemi lindur dhe, sipas disa përkufizimeve mund të thuhet që tranzicioni është atdheu ynë. Ne jemi tranzicionarë. Një pjesë, biles, edhe krenarë për diçka të tillë.
“Tregimet e tranzicionit” të Stefan Çapalikut, më futën hullive të tranzicionit si mënyrë jetese, si mendim dhe mendësi, si përditshmëri dhe filozofi. Dymbëdhjetë tregime të ndara në tre libra: libri i ëndërrimeve, libri i dyshimeve, libri i dështimeve. Jo pa qëllim autori duhet t’i ketë ndarë kështu, pavarësisht që kohëshkrimi i tregimeve nuk ndjek kronologjinë krijuese në faqosjen e përmbledhjes. Ajo që mund të vihet re është pakësimi i temave apo titujve në raport me “librat”, në raport me kohën, ashtu që nëse do të mund të kishte një libër të katërt në përmbledhje, ai me siguri nuk do të mund të shënonte më shumë se (as)një titull.
Tregimet dominohen nga një realizëm që përshkohet nga paradokset, nga një thjeshtësi dhe qartësi shkrimi që fshehë shumë metafora dhe simbolika, nga një tekst i qashtër që vetëm pasi ta keshë përfunduar tregimin nxjerrë në pah intertekstualitetin e vet. Vlera më e madhe e tregimeve është mozaiku tematik dhe ai i personazheve, përderisa ambienti nuk ndryshon. Tregimet janë të shkruara përgjatë 25 viteve (1996-2021) dhe ajo që vihet re është pasuria e temave dhe ngjyrave të viteve të para tranzicionit. Kështu “Libri i ëndërrimeve” përmban gjashtë tregime, “Libri i dyshimeve” tre tregime, kurse “Libri i dështimeve” dy tregime. Ajo që mund të kuptohet nga një fakt i tillë është, mbase, humbja e shkëlqimit të tranzicionit, humbja e laramanisë, njëtrajtësimi i atij mozaiku që viteve të para kishte ngjyra të forta ëndrrash, shpresash, për rrjedhojë temash. Vihet re se tregimet e viteve të para dominohen nga një lirshmëri rrëfimi, e cila me kalimin e kohës ngushtohet ose humbet nga rritja e trysnisë, rritja e dramacitetit, pse jo edhe nga monotonia e një gjendjeje që zgjatet e zgjatet pa mbarim.
Tregimet e tranzicionit përbëjnë një kronikë dokumentare të të gjithë asaj kohe që disa nuk e kanë durimin ta prekin në palcë, kurse të tjerët kanë kohën e botës që ta bëjnë muhabet të pavlerë që përsërisin vetveten, siç vetë shoqëria që i është lëshuar një gjendjeje shpirtërore repetitive që tallet me botën që dot nuk e ndryshon, kurse arsyeton me çdo mjet ndryshimin eventual të vetvetes. Tregimet vijnë fort natyrshëm te lexuesi, sa që paradokset hera-herës duken të trilluara, fiktive, mbase edhe për arsyen që nënvetëdija nuk do ta pranojë që aty përshkruhet ambienti i jetës sonë, ose, nuk do ta pranojë që mbi gjithçka edhe ditët tona e kanë sharmin e vet.
Për ta afruar përmbledhjen me lexuesin po përzgjedhë shkurtimisht të analizoj disa nga tregimet që, mendoj unë, janë më reprezentative për kohën dhe botimin. Analizën ose impaktin prej lexuesi të tregimeve do ta nisja prej fundi, në kuptimin prej titullit të dymbëdhjetë të këtij botimi. Në fakt, është një tregim i vitit 1996 por që autori ka vendosur ta rendisë në fund. Titullohet “Ditëlindja e fundit” dhe për kryepersonazh ka një abortus 4 muajsh, një dështak (nga lindje e dështuar), i pa identitet, i cili ngrinë dhe ngre gjakun e një qyteti. Më shumë se vetë subjektiviteti i tij, rëndësi të veçantë merr vetë impakti i tij te bashkëqytetarët. Duke mos pasur emër, mbiemër, ditëlindje etj, ai (dhe jo ai) kthehet në një makth por dhe grishës për ambientin ku graviton aq sa, përtej gjithçkaje, ata, kur sigurohen që nuk bëhet fjalë për një alien dhe nuk mund të lejojnë të flitet për të si për një “trup të huaj”, marrin t’i lënë një emër; në atë çast abortusi zhduket fluturim prej krahëve të prindërve adaptues. Tregimi mund të shihet në disa pikëpamje, biles deri në atë religjioz, por mua më pëlqen ta shoh si lidhje me një datë dhe me një emër. Mund të jetë kjo edhe pyetja esenciale e këtyre tregimeve: kur saktësisht nisi tranzicioni dhe mos e emëruam gabimisht si të tillë; se mos për këtë arsye u tranua dhe na shkoi nga krahët!? A është tranzicioni shqiptar një abortus, një gjymtak, një nocion i adaptuar, një nocion kopil? Në këtë prizëm tregimin “Ditëlindja e fundit” e shoh si tharmin dhe ajkën e kësaj përmbledhjeje dhe nëse asgjë më shumë idesë sime, përkrahës kam vetë vitin e hershëm të shkrimit të tij – 1996.
Dy tregimet “Pse me ne dhe jo me ata” dhe “Po sikur të kem qenë spiun” i shoh si dy gjysma të së njëjtës njësi. Të dy tregimet i kam lexuar fillimisht në platformën fejsbuk të autorit. Të dyja shkaktojnë një transformim emocioni, një bashkëdyzim ndjesishë apo emocion të dyfishtë nëse do t’i rrekeshim termave që përdorë psikologjia për çrregullimet eventuale. Me të parën kam qeshur me lot por e kam kuptuar që është për të qarë, kurse në të dytën kam vajtuar fatin tonë i cili është tejet qesharak në njësinë e vet themelore. Te “Pse me ne dhe jo me ata” tregohet, në një farë mënyre, tranzicioni i shpirtit të një shoqërie, e cila nga shoqëri reaguese, protestuese, transformohet në një shoqëri policeske, gati-gati banditeske. Thënë më troç ose më vrazhdë, storja tregon zhbërjen ose mbytjen e asaj fryme bashkëpunimi që aludohej të kishte egzistuar në vitet e nëntëdhjeta. “Po sikur të kem qenë spiun” mund të lexohet si pjesë e dytë e këtij tregimi ose intermezzo e tij. Aty kryepersonazhi bën për herë të parë llogaritë nëse mund të ketë qenë edhe ai vetë spiun, meqenëse përgjatë aq shumë viteve asnjëherë nuk kishte ardhur deri te gjykimi i drejtë i së kaluarës komuniste shqiptare. Në një vend, autori cekë thënjen konkluduese të presidentit të parë të pluralizmit shqiptar, i cili e kishte përmbyllur temën e xhelatëve dhe viktimave të enverizmit me një paragraf si vijon: “Të gjithë bashkëvuajtës dhe të gjithë bashkëfajtorë”. Për këtë arsye, dy tregimet e kanë një lidhje natyrale, edhe për faktin se janë të shkruara përgjatë të njëjtit vit, në vitin e dytë të koronavirusit, vitin 2021. Parë në këtë prizëm, tregimi i dytë i lartëson personazhet e tregimit të parë, ashtu që nëse më parë mund të thuhej që përmes tij vihet re një transformim i shpirtit shoqëror, së dyti, tashmë, mund të thuhet që bëhet fjalë për një regres, përkatësisht kthim prapa të vetëdijes por edhe shpirtit të një shoqërie. Rikthimi i një shoqërie prapa, drejt atyre reflekseve primitive mbrojtëse të një kohe, që aludohen të kenë qenë inspektimi dhe spiunazhi, ngre alarmin e një tranzicioni të rrejshëm, një tranzicioni abortus që kur marrim t’i vëmë emër dhe datëlindje, se ku e thyen qafën dhe, ne duke mos dashur të pajtohemi me këtë, nisemi të luajmë fantazmash me mbetjet e tij halucinante.
“Shpesh e shkuara përcakton të ardhmen, por këtu te ne mundet që edhe e ardhmja të ta përcaktojë të shkuarën “thotë në një vend autori, duke e ngritur kështu një pikëpyetje të madhe nëse tregimet e kësaj përmbledhjeje, do të lexohen në të ardhmen si tregime të demokracisë, tregime të lirisë, tregime të tranzicionit apo tregime të ankthit ku autori s’dinte çfarë të na tregonte më parë, “ato që kishte dëgjuar apo ato që s’kishte parë”.
Si përfundim, mund të thuhet se, për lexuesin serioz “Tregimet e tranzicionit” mund të bëhen ndër shenjat e rralla dalluese të një përditshmërie që vazhdon të përsërisë një të djeshme të viteve të nëntëdhjeta. Siç është cekur edhe në titull, rrëfimet vijnë si sharmancë e kësaj pjesëkohe monotone që po kalon një vend dhe një komb, vijnë si terapi antianksioze, apo thënë edhe më troç tentojnë të na e bëjnë më të lehtë kalimin e këtij kapërcyelli të stërzgjatur përparues dhe integrues. Çapaliku është një prej autorëve që e ka letrarizuar së shumti tranzicionin me rrëfime të shkurta apo të gjata, novela, romane, drama, poezi etj. Shkodra dhe shkodranishtja e hera-hershme e autorit, të cilat ulqinakët i kanë më të afërta fizikisht dhe historikisht, në një lexim dhe njohje më të thellë mund të çojnë në paradigmën që Shqipëria s’është gjë tjetër veç një Shkodër e madhe, ose Shkodra nuk është tjetër veçse një Shqipëri në miniaturë. Nëse do më pyesnit miqësisht se nga t’ia filloni me këtë autor, dashamirësisht do t’ju propozoja të nisnit me rrëfimet e tij të shkurtra, tregimet, në rastin konkret “Tregimet e tranzicionit”.
