Ulqin – Në kuadër të takimit me shkrimtarin, studiuesin e letërsisë dhe profesorin universitar Ag Apolloni, të shtunën mbrëma në Librarinë “Ulqini” është bërë përurimi i dy romaneve të tij të fundit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” dhe “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”.
Udhëheqësi i takimit, poeti Argëzon Sulejmani, ka thënë se kanë zgjedhur t’i promovojnë këta dy libra të këtij autori për shkak të tematikës, rrethanave, kohës, por pse jo edhe stilit.
Në prezantimin që i ka bërë shkrimtarit, ai ka thënë se Apolloni është një autor atipik për letërsinë e gjuhës sonë, për risitë dhe riskun që ndjek dhe promovon.
“Meqenëse vepra e tij dominohet, ndër të tjera, nga kontrasti-përthyerja, atëherë do të mund të themi që letërsia e tij përbën një prurje të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare, kurse të zakonshme për kulturën evropiane”, ka thënë Sulejmani.
Ai ka vijuar duke thënë se “ndërthurjet e shumta në veprat e tij: poetika, dramatika, mistika, antika, muzika, kineastika, heretika etj. e formësojnë mozaikun apo stilin brikolar me të cilin lexuesi shqiptar është njohur vonë dhe kjo vonesë s’do mend që ka ndikuar në formimin intuitiv kulturor të qenies sonë”.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse” është një roman dokumentar që përshkruan vizitën e tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes.
Ndërkaq romani “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur” flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori e dashurisë dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ai flet edhe për përdhunimet gjatë luftës në Kosovë dhe për pasojat e tyre në paqe.
“Apolloni është një autor atipik për letërsinë e gjuhës sonë, për risitë dhe riskun që ndjek dhe promovon. Meqenëse vepra e tij dominohet, ndër të tjera, nga kontrasti-përthyerja, atëherë do të mund të themi që letërsia e tij përbën një prurje të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare, kurse të zakonshme për kulturën evropiane”, ka thënë poeti Argëzon Sulejmani
Duke folur për lidhjen e dy librave, shkrimtari Apolloni ka thënë se lidhja e tyre më e madhe është në aspektin tematik, sepse si referencë kanë luftën.
Apolloni ka treguar se para se të niste të shkruante romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse” ka pasur fiksim për restaurimin e veprave të humbura ose gjysmake. Pastaj rastësisht ka bërë një vizitë te nëna Ferdonije, ku vërejti se miti dhe realja mund të lidheshin.
“Dhe e lashë mitin dhe u mora me personin e vërtetë. Personit të vërtetë i dhashë përmasa mitike që ta ngrija në njëfarë mënyre në kohë dhe të mbetej e përjetshme dhimbja e saj. Nuk e di sa ia kam arritur, por ky ka qenë qëllimi”, është shprehur ai.
Apolloni ka shpjeguar se pse romani fillon dhe mbaron me Nënë Terezën?
“Një libër që flet për nënat duhet të niste dhe të mbaronte me atë që e njohim si nëna e botës – Nënë Terezën”, ka thënë ai.
Përpos nënë Ferdonijes, që është personazhi kryesor i romanit, personazh i dytë në këtë roman është Pashka. Apolloni ka thënë se dallimi ndërmjet këtyre dy personazheve është se “përderisa Ferdonija është personazh beketian që pret, Pashka është personazh kamyzian që revoltohet”.
Personazhi i tretë i këtij romani është shkrimtari hebre-amerikan Eli Vizel.
“Ajo që më duhej në lidhje me Eli Vizelin ishte që të bëja një lidhje në mes të shpërnguljes së shqiptarëve në Maqedoni dhe Shqipëri, dhe historisë së përndjekjes së hebrejve. Ishte pra ideja për ta gjeneralizuar, për ta paralelizuar një fatkeqësi, një tragjedi”, ka thënë Apolloni.
Shkrimtari ka pranuar se për të ka qenë një sfidë shkrimi i këtij romani dokumentar për shkak të vështirësive që bart në vetvete shkrimi i një romani të këtij zhanri.
“Romanet dokumentare ose dokuromanet shkruhen rrallë. Është një punë e lodhshme, duhet t’i qëndrosh besnik burimeve arkivore, rasteve konkrete që u referohesh. Dhe ishte një sfidë për mua. Nuk kam shkruar më herët roman dokumentar. Duhej përfillur të gjitha faktet dhe njëkohësisht duhej bërë edhe një stil personal, duhej bërë faktet sipas mënyrës sime autentike… Pas përzgjedhjes së fakteve, është ajo pjesa e dekoracionit stilistik, ajo që e përvetëson lexuesin. Por për asnjë moment nuk u jam shmangur fakteve. Domethënë, libri ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’ mund të paraqitet edhe në Tribunalin e Hagës dhe unë i mbroj të gjitha faktet”, ka thënë Apolloni.
Duke folur për romanin “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, autori ka thënë se në këtë vepër përvijohen dy linja: historia e dashurisë dhe përdhunimet.
Apolloni ka thënë se ky roman është mbi të gjitha një histori dashurie. Ai ka treguar se fillimisht ka nisur ta shkruaj si një roman mbi përdhunimet që kanë ndodhur në luftë. Por duke qenë se e ka pasur të pamundur ta estetizojë përdhunimin, ka hequr dorë nga kjo duke bërë një roman dashurie.
Shkrimtari ka thënë se ky është një roman homazh për Marte Tunaj, gruan e parë që ka denoncuar përdhunimin gjatë luftës në Kosovë.
Në pyetjen e Sulejmanit se a mund të quhet në njëfarë mënyre atmosfera që e rrethon këtë libër një çmendinë kolektive meqenëse luan me dy linja komplet ekstreme, Apolloni ka thënë se linja e dashurisë dhe ajo e përdhunimeve “duken si linja të shkëputura deri në fund kur kuptohet që lidhen njëra me tjetrën, sepse vetë Lorita është fryt i përdhunimit. Pra, edhe ajo që duket si histori dashurie ka si bazë, si origjinë përdhunimin”. Ai po ashtu ka thënë se historitë e përdhunimeve në roman janë kryesisht të vërteta.
Ag Apolloni është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Ai është profesor në Departamentin e Letërsisë shqipe të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Veprat letrare të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe Libraria “Ulqini”. I. Kallaba
