Në librin “ Mediet dhe kriza e identitetit” theksi i veçantë i Salajt përqendrohet të mediet në Malin e Zi, ku gjendja është shumë më e brishtë për shkak të traditës së pakët, të pozitës specifike të shqiptarëve si minoritet në këtë shtet të vogël, për shkak të presioneve nga më të ndryshmet dhe për shkak të interesave shpeshherë meskine
Gani Mehmetaj
Ali Salaj, analist, gazetar shumëvjeçarë, raportues për radio e televizion, njëri ndër njohësit më të mirë të mediave elektronike e të shkruara jo vetëm në Malin e Zi, por edhe në territoret etnike shqiptare, në librin më të ri: “Mediat dhe kriza e identitetit”, problemit te turbulencave politike e konfrontimeve partiake u qaset në mënyrë të gjithanshme. Nis me problemet në mjedisin ku jeton e vepron për të vazhduar për mediat në epokën e globalizmit. Nga këndvështrimi i vrojtuesit të paanshëm, nga këndi i prodhuesit të analizave e skicave, nga pozita e përgjegjësit të një reviste, ai jep edhe diagnozën e lëngatës së mediave në Mal të Zi, sepse e ndjenë thellë në shpirt turbulencën e mediave e të gazetarëve që lundrojnë në mes të Shillës e Harribdes mu si anija që tundet në detin e tërbuar, duke u përpjekur për të arritur në lima. Ndërkaq valët e përplasen sa në njërin shkëmb me rrezik çarjeje, sa e tërheqin në detin e trazuar me rrezik përmbytjeje.

Salaj, që ua piu kupën radios, televizionit, revistave e portaleve vuan me pozitën e pakëndshme të mediave, i dhimbsen gazetarët e instrumentalizuar e të keqpërdorur, përpiqet të ngre alarmin për një qëndrim më të dinjitetshëm ndaj kësaj kaste, por edhe ndaj mediave që në rrethana e me trajtim normal, janë shumë të rëndësishme për demokratizimin e opinionit. Duke i analizuar ai përpiqet t’ua gjejë shërimin, mirëpo është shoqëria inerte apo e instrumentalizuar ajo që nuk ka interes ta ndryshojë gjendjen.
Në librin “ Mediat dhe kriza e identitetit” theksi i veçantë i Salajt përqendrohet të mediat në Malin e Zi, ku gjendja është shumë më e brishtë për shkak të traditës së pakët, të pozitës specifike të shqiptarëve si minoritet në këtë shtet të vogël, për shkak të presioneve nga më të ndryshmet dhe për shkak të interesave shpeshherë meskine. Për ta ilustruar gjendjen e mediave ai paraqet një informacion të mediave nga tradita që është kultivuar në mes të Shkodrës e Dubrovnikut, aty ku jetojnë shqiptarët e sotëm të Malit të Zi.
Politizimi i mediave është gracka e parë që e shkel pavarësinë e mediave. Mecenati apo biznesi që i mbanë gjallë një pjesë të mediave është rreziku i dytë për pavarësinë e objektivitetin e tyre. Ndërsa, presion i i pushtetit lokal e qendror është gracka apo presioni i tretë. Janë edhe një mori grackash të tjera të cilat i analizon autori, duke u përqendruar edhe në mënyrën e zgjidhjes, sepse media e pavarur është kusht i zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
Shkrimet apo prezantimet filmike e foljore në medie shpeshherë rrëshqasin margjinave të shoqërisë, sepse pronarët apo gazetarët janë të babëzitur për sa më shumë pëlqime, apo për ndikim komercial në opinion, kështu që në vend që të merren me problemet fundamentale ata merren me çështjet banale të jetës private të yjeve të muzikës, të filmit apo personaliteteve publike. Në këtë banalitet rrëshqasin veçmas portalet e faqet e ndryshme elektronike.
Gazetaria hulumtuese është një segment me peshë, që e gjakojnë të gjithë gazetarët me personalitet e integritet. Mirëpo është gazetaria hulumtuese ajo që pëson më së shumti në këtë mori informacionesh të huazuara e të parëndësishme.
Televizion i cili i ka ndrydhur format e tjera të shprehjes publike duke e varfëruar tmerrësisht jetën shpirtërore ka depërtuar në të gjitha shtëpitë por e ka tëhuajësuar familjen, individin e komunitetin, duke e bërë të varur nga ajo që i gatuhet, por të paaftë që të vendosë në mënyrë të pavarur. Edhe këto probleme janë shqetësim i autorit të këtij libri.
Ndërkaq, rrjeti social, një shpikje revolucionare dhe demokratike e ka zhvlerësuar në shkallë të madhe komunikimin publik, duke i barazuar emrat e njohur: shkrimtarë, gazetarë e analistë më ata të paemër e gjysmë analfabetë që më shkrimet e tyre denigrojnë çdo gjë, veçmas peshën e fjalës së shkruar. Të gjitha këto fenomene devijante Salaj i analizon më përkushtim.
Dhe mbi të gjitha Ali Salajt i dhëmb pozita e vështirë e mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi specifika e gjendjes në të cilën janë shqiptarët e atjeshëm aq edhe nga mediokriteti i subjekteve politike që e përfaqësojnë etninë tonë.
Në pjesën e dytë të librit, ku skicat apo lloji i veçantë kroki, sikurse u thotë autori, përkushtimi është preciz, i shkurtër, që godet në thelb të problemit. E nis me sfidat ndaj politikës, e vazhdon me lirinë e shprehjes si e drejtë fundamentale njerëzore, pastaj me mënyrën e rekrutimit të gazetarëve në dhe nga shërbimet sekrete, kufizimi i raportimit të lirë në kohë lufte etj. Ndër të rrallët autori merret me pikëpyetjen e mëdyshjeve morale: a duhet të transmetohet çdo gjë në media edhe atëherë kur pamjet janë të rënda, të papërballueshme dhe pa ndonjë qëllim.
Libri e ka peshën e vet të kohës, por edhe thellësinë e depërtimin në fenomenet që i analizon.
