Senator i lirikës së sotme shqipe

Anton Gojçaj

(vijon nga numri i kaluar)

IV. Atdhe është dashuria
Muza e Kolec Traboinit është Erata. Askund nuk është më i zhdërvjellët, më i natyrshëm, më vetvetja se në vargjet e dashurisë… Mund të duket një gjykim imi subjektiv, por lirika e tij me motive erotike meriton më shumë vëmendje nga lexuesi shqiptar, nga studiuesit e letërsisë, nga hartuesit e antologjive të panumërta të poezisë shqipe, por dhe nga juritë që vendosin kujt t’i ndahen çmimet për veprat letrare më të mira. Për subjektin lirik (alter ego i poetit) dashuria është vlera më e madhe e jetës:
“Pra, thënë ndryshe,
ato relieve që quhen atdhe,
nuk janë asgjë
pa atë që quhet dashuri.

Atdheu është atje
ku është Dashuria!
Pa dashurinë, atdheu
nuk vlen asnjë lek! “

(AUTOBIOGRAFIKE)
Kolec Traboini po i afrohet moshës tetëdhjetëvjeçare dhe, në sytë e mi, i plotëson kushtet të quhet senator i lirikës së sotme shqipe, ani pse subjekti i tij lirik ka energjinë dhe shpirtin lozonjar prej një djali të ri. Është pikërisht ky bashkëdyzim i dashnorit gjithmonë të ri dhe urtakut në moshë që individualizon subjektin lirik:
”Ishte zjarr që digjej
e nuk ishte përrallë,
eshka mbetet eshkë
e stralli mbetet strall“
(QUMËSHT E MJALTË)
apo:
”Fundja ku ka atdhe
më të bukur,
më të mirë,
më besnik
se ajo që të do
dhe hepohet mbi ty
si valëzat e detit?”

(AUTOBIOGRAFIKE, Poemë)
Në këto poezi zjarri nuk është fashitur përfundimisht, akoma nuk është vetëm kujtesë apo vetëm koncept abstrakt. Kolec Traboini, duke qenë poet, e ka vështirë të sillet e predikojë si ”Budë“, ndërsa ”licencia poetica“ ia lejon të dalë jashtë përkufizimit strikt budist të nirvanës, për arsye se:
”Kohë për të dashur
nuk është veç rinia,
qumësht e mjaltë
pikon gjithmonë dashuria!“

(LËRENI ERËN TË FRYJË)

V. Disa vjersha që vlen të përmenden…
Me motivin jo të shpeshtë, futurist – distopik, në letërsinë shqipe veçohet poezia me titullin ”Under Control“. Aty subjekti lirik ngre shqetësimin për fazën aktuale të civilizimit, gjegjësisht zhvillimet e fundit shkencore, sidomos në fushën e gjenetikës. Poezinë e karaktetizon ndjenja e frikës për të ardhmen e njerëzimit dhe të artit. Dikush synon të kontrollojë gjithçka:
”Do ta bëjmë zap natyrën,
gjithçka Under Control”

(UNDER CONTROL)
Kjo rrugë çon në një botë të panjohur, tjetërfare nga kjo jona, ku dikush i jep vetes të drejtën t’i injorojë parimet miliona vjeçare të evolucionit apo të ulet në fronin e Zotit, duke krijuar një botë sipas planeve të tij/tyre, përmes shartimit të llojeve dhe specieve, ku madje “Nuk do të ketë femra, / as meshkuj“, ku “fëmijët do lindin pa seks” dhe:
“Kësisoj dhe njeriu
do të krijohet në laborator,
pa erë dhe pa shije, një copë mish pa formë”.
Pra, po afrohet një botë pa dashuri, me njeriun gjenetikisht të përpunuar që “të mos e riprodhojë vetveten”, ku edhe statusi ose vendi i artit vihet në pikëpyetje:
“Ndërzejmë bilbilin me sorrën,
do të kemi një sorrë që këndon,
do të kemi një bilbil që çirret
e bota nuk do ketë dallime”.

(UNDER CONTROL).
Kjo gjë tani nuk është vetëm një shqetësim për atë që mund të ndodhë në një të ardhme të largët, pasi zbatimi i atij plani veç ka filluar… dhe lexuesi pashmangshmërisht pyetet: ku do ta çojë njerëzimin dhe botën kjo rrugë?
Një përjetim të veçantë të jep poezia “HELENA E TROJËS“ në të cilën, duke përsëritur disa fakte për gruan që u bë shkak i luftës së Trojës, nxisin reflektime subtile mbi të bukurën në botë, mbi tentimin e ndonjë individi mendjeshkurtër për t’u bërë veç ai pronar i saj – si Menelau që “mendoi i gjori se tashmë e bukura vetëm atij i përkiste”, pa e kuptuar se “Bukuria s’mund të / ishte as skllave, as pronë / ta zotëroje përgjithmonë” dhe se ajo nuk mund të vritet, as të zhduket, madje as të fshihet, por vazhdon të jetojë si “një vajzë, a grua që rrezaton dritë”:
“Në botë ka 3000 vjet që shfaqet,
herë në një vend e herë në një
tjetër, ca thonë për këtë luftërat
kurrë nuk reshtën.
Askush pa ditur të vërtetën”

(HELENA E TROJËS)
Të gjitha gjërat e bukura në jetë ikin, lëvizin, ashtu edhe arti, përjetimet dhe semantikat e tij.
Në poezinë “TRUPI DHE MENDJA“ nëpërmjet një dialogu të gjetur përshkruhet, pak me humor e pak me keqardhje, se si ndërrojnë prioritetet (kush sundon) në raportin e shpirtit me trupin, së dëshirueshmes dhe të (pa)arritshmes.
Pothuaj në çdo libër të këtij autori, është i pranishëm motivi i vendlindjes, në këtë rast Traboini i Hotit – të cilin subjekti lirik e quan vendlindje, megjithëse në realitet ky fshat nuk është vendlindja e tij, por e babait të tij, kështu që kemi të bëjmë me një vendlindje mitike:
“Në gjenezë unë jam
asgjë më shumë se
një copë gur nga
vendlindja e të
parëve të mi,
rrokullisur nga
mali i Traboinit”.

(AUTOBIOGRAFIKE)
Subjekti lirik ndonëse thotë se gjendet në Amerikë (Arlington, Boston…), vendin më të zhvilluar dhe më të pasur të botës, vuan për t’u kthyer aty ku dikush dikur (në kohë mitike) i pat luajtur gurët prej vendit… duke na kujtuar thënien e lashtë se guri i rëndë peshon në vend të vet.

VI. Përfundim i papërfunduar
Në qoftë se, kur i mbyll kapakët e librit, lexuesi/interpretuesi ndihet i plotësuar, pa marrë parasysh të gjitha pasiguritë dhe dilemat që ka lidhur me zbërthimin e porosive, dekodimin e tekstit, atëherë ia ka vlejtur koha e kushtuar. Leximi i kësaj poezie të lë shijen e një përjetimi estetik të mirë, por edhe refleksiv. Subjekti lirik i poezisë së Kolec Traboinit është një bashkëbisedues interesant, me shumë talente dhe kulturë. Kjo poezi vazhdon të bashkëbisedojë me lexuesin edhe pas përfundimit të leximit. (Fund)

Të fundit

më të lexuarat