Salla e leximit, në shërbim të popullit të këtij qyteti

Salla e leximit e Ulqinit që nga fillimi i saj është përpjekur të jetë në shërbim të popullit të këtij qyteti, që do të thotë se ajo, ndonëse modeste, ka kryer një mision të rëndësishëm jo vetëm arsimor dhe kulturor, por edhe politik në zonën e saj

Gjekë Gjonaj

Qytetarët e Ulqinit deri para gati një shekulli e gjysmë nuk kishin sallë të leximit (bibliotekë). Bazuar në shtypin dhe periodikun malazez të kohës, shkrimet e para për themelimin e një biblioteke në këtë qytet bregdetar i gjejmë në studimin e Dr. Niko S. Martinoviqit “Zhvillimi i bibliotekarisë në Mal të Zi nga Petar Petroviq II Njegoshi deri në vitin 1945”, botuar në librin “Problemet e bibliotekarisë në Mal të Zi” (Cetinë 1965). Ky autor shkruan se “Salla e Leximit e Ulqinit u themelua në fund të vitit 1881 dhe se iniciativën kryesore në këtë drejtim e udhëhoqi Duka Simo Popoviq, duke iu referuar një shënimi të botuar nga “Glas Crnogorca”, më 3 maj 1881, në seksionin “Lajme të brendshme”.
Njëjtë shprehen edhe historianë të tjerë që janë marrë me këtë çështje. Për shembull, Dr. Gjoko Pejoviq, në librin e tij “Zhvillimi i arsimit dhe kulturës në Mal të Zi 1852-1916” (Cetinë, 1971) në f. 219. thotë: “Një sallë leximi me bibliotekë u themelua në Ulqin, me iniciativën e Dukës Sima Popoviq në fund të vitit 1881”. Ky autor i referohet autorit të lartpërmendur.
As shkrimtarët e tjerë që përmendin sallën e leximit të Ulqinit dhe vitin e themelimit të saj nuk janë kritikë.
Të gjitha publikimet e kohës së atëhershme se salla e leximit në Ulqin është themeluar në vitin 1881 i ka mohuar, duke i dokumentuar me fakte e argumente të qëndrueshme, Dushan Martinoviq (ish-drejtor shumëvjeçar i Bibliotekës Popullore Qendrore “Gjurgje Crnojeviq”). Ai në studimin e tij “Themelimi i sallës së leximit dhe zhvillimi i bibliotekës së Ulqinit (1884-1984)”, të botuar me rastin e 100-vjetorit të themelimit së saj, në “Të dhënat historike, Viti XXXVIII (LVIII), 1985/1” sjell informacione të bindshme se salla e leximit në Ulqin u themelua në fillim të vitit 1884, dhe jo në vitin 1881, siç ishte menduar deri më tani. Viti 1984 shënon fillimet e bibliotekarisë publike në Ulqin. Para Ulqinit në Mal të Zi ekzistonin tri salla të leximit – në Cetinë, Podgoricë dhe Nikshiq.
Se në Ulqin në vitin 1883 nuk ishte hapur ende një sallë leximi, dëshmohet edhe nga informacioni në gazetën “Glas Crnogorca”, e cila thekson nevojën për të krijuar një sallë leximi. Vetëm vitin pasardhës, 1884, në fillim të janarit u mbajt kuvendi themelues, në të cilin u zgjodh administrata (drejtuesit) e parë të sallës së leximit. Administrata e parë prej tre anëtarësh përbëhej nga: Dr. Niko Orahovac (kryetar), S. Jovanoviq (sekretar, bibliotekar e drejtues) dhe Mehmed-beg Resulbegoviq (arkëtar). Kështu, në fillim të vitit 1884 filloi të funksiononte salla e leximit e Ulqinit. Së bashku me sallën e leximit, shpejt filloi të funksiononte edhe biblioteka. Nuk posedojmë të dhëna të tjera rreth sallës së leximit në Ulqin që nga vitet e para të funksionimit të saj. Nuk dihet se ku ndodhej, as sa i madh ishte koleksioni i saj letrar. Megjithatë, dihet me siguri se menjëherë pas themelimit të saj, drejtuesit kanë porositur edhe gazeta, ndër të cilat “përveç atyre serbe, qenë edhe gazeta kroate, ruse, italiane dhe turke”, gjë që tregon se që në fazën e parë të punës së sallës së leximit, politika e blerjes së periodikëve ishte vendosur siç duhet; d.m.th. që nevojat e popullsisë etnikisht heterogjene të zonës së Ulqinit në përgjithësi u morën në konsideratë. Prandaj, salla e leximit e Ulqinit që nga fillimi i saj është përpjekur të jetë në shërbim të popullit të këtij qyteti, që do të thotë se ajo, ndonëse modeste, ka kryer një mision të rëndësishëm jo vetëm arsimor dhe kulturor, por edhe politik në zonën e saj, shkruan Martinoviqi. Një konstatim i tillë lë për të kuptuar se në fillimet e punës së kësaj salle të leximit në Ulqin mungonin periodikët e kohës në gjuhën shqipe, çka tregon se drejtuesit e saj nuk patën interesim që popullata me shumicë shqiptare në këtë qytet të ketë mundësi të lexojë në gjuhën e vet amtare.
Gjurmë tjetër të shkruar, e cila dëshmon se salla e leximit në Ulqin u themelua në vitin 1884, e hasim në vitin 1894, në librin e parë shkollor të gjeografisë malazeze të autorit Mitar Iveliq, përndryshe mësues ulqinak (nga viti 1886 deri në vitin 1892). Ai në këtë libër sallën e leximit e përmend midis institucioneve të rëndësishme arsimore, administrative-gjyqësore dhe institucioneve të tjera të qytetit të Ulqinit.
“Në Ulqin ka shkolla fillore (D.M.), një mejtep mysliman, dy kisha ortodokse, një katolike romake dhe nëntë xhami; ka një sallë leximi, një postë dhe telegrafi, një gjykatë rrethi, një administratë komunale dhe një administratë detare”, shkruan Iveliqi. Sipas konstatimit të dr. Martinoviqit, ky informacion në lidhje me sallën e leximit të Ulqinit daton me siguri nga viti 1891 ose ndoshta nga fillimi i vitit 1892.
Edhe disa të dhëna të tjera me vlerë nga periodikët malazezë mbi punën e sallës së leximit janë të shënuara nga dekada e fundit e shekullit të 19-të. Konkretisht, për vitet 1898 dhe 1899, u regjistruan disa detaje interesante rreth ngjarjeve kulturore dhe arsimore të sallës së leximit dhe rolit të saj në formimin e shoqatave muzikore, se kush ishte kryetari i sallës së leximit në atë kohë etj. Gazeta zyrtare “Glas Crnogorca”, XXI/1892, nr. 43, 24 tetor, sjell e para lajmin, nga korrespondenti i saj nga Ulqini, se në qershor të vitit 1898, bazuar në programin “e përpiluar nga administrata e Sallës së Leximit, u organizua një tubim përpara sallës së leximit, në të cilin kishte shumë njerëz me të gjithë muzikën e tyre popullore dhe këngëtarët, ku u kënduan këngë të ndryshme, përfshirë ‘oron’ malazeze dhe disa melodi shqipe”.
Po ashtu edhe gazeta “Onogosht“ e Nikshiqit, në vitin e fundit të shekullit të kaluar shkruan se “Salla e Leximit e Ulqinit, si sallat e tjera malazeze të leximit të kohës po zhvillonte në mënyrë gjithëpërfshirëse aktivitetet e saj më të gjera kulturore dhe arsimore, bashkoi dashamirësit e librave dhe të përparimit kulturor në përgjithësi, pavarësisht nga përkatësia konfesionale, kombëtare dhe shoqërore, dhe hapi rrugën për një ringjallje më të shpejtë kulturore përmes ngjarjeve të tjera”.
Ende nuk dihet me siguri se nëse salla e leximit e Ulqinit kishte statutin dhe rregulloren mbi bazën e të cilave zhvillonte aktivitetin e saj programor në vitet e para të ekzistencës dhe punës së saj, sikur i kishin sallat e tjera malazeze të leximit (Cetinë, Podgoricë, Nikshiq). Për punën dhe aktivitetin e sallës së leximit të Ulqinit në fillim të shekullit XX mësojmë nga një artikull i rëndësishëm gazete nga i njëjti korrespondent (i nënshkruar me pseudonimin Primorac), botuar nga “Glas Crnogorca”.
Pas miratimit të raportit financiar mbi gjendjen e sallës së leximit për vitin 1901, u diskutua politika e blerjeve dhe u vendos se në cilat revista periodike do të abonohej. Më pas u zgjodh administrata e re, me votim të fshehtë, e përbërë nga: kryetar Marko Dragoviq, sekretar i Gjykatës së Qarkut; nënkryetar Filip Gjokiq, kapiten; sekretar Gjuro Gjurashkoviq, nëpunës i Gjykatës së Qarkut; arkëtar dhe bibliotekar Ilija Srzentiq, sekretar i Gjykatës së Qarkut. Të gjithë drejtuesit e Sallës së Leximit të Ulqinit ishin intelektualët dhe personalitetet më të rëndësishme të jetës politike dhe publike të qytetit.
Administrata ekzistuese u rrëzua me vota për mandatin e ardhshëm. Në administratën e re u zgjodhën këta anëtarë: kapiteni Krcun Vojvodiq, anëtar i Gjykatës së Qarkut; kapiteni Filip Gjurashkoviq, kapiteni Alfredo Trceta dhe mësuesi Ilija Lopiçiq. (Niko Vuçkoviq Sarap/ Primorac: Ulqin, 20 janar 1902 – “Glas Crnogorca”, XXI/1902, nr. 5, 2 shkurt, f. 4.)
Puna pa ndërprerje intensive kulturore dhe arsimore e Sallës së Leximit të Ulqinit, sipas të gjitha gjasave, zgjati 18 vjet, deri në vitin 1902, kur edhe pushoi veprimtarinë e saj. Gjatë viteve 1902-1910 nuk e kemi të njohur se përmendet puna e saj, meqenëse as të dhënat zyrtare statistikore, të raportuara në “Statistikat e dhomave të leximit në bibliotekat në Mal të Zi për vitin 1908” (“Glas Crnogorca”, XXXVIII/1909, nr. 55, 29 dhjetor, f. 7.) dhe nga “Zyra e Departamentit të Statistikës së Ministrisë Princërore të Punëve të Brendshme (nr. 9395 të 17 dhjetorit 1909) nga Cetina, nuk japin asnjë informacion mbi sallën e leximit të Ulqinit. (vazhdon)

Të fundit

më të lexuarat